Premiera “Duet për një”: Sëmundja multiple skleroza – rruga e gjetjes së qëllimit jetësor (FOTO)

Si regjisori Kushtrim Bekteshi, por edhe Teatri Shqiptar i Shkupit me shfaqjen “Duet për një”, me hapa të sigurtë filluan vitin 2019-të, transmeton Portalb.mk. Krahas në natën e parë – të premten, numër i madh i të interesuarve për të parë në formë teatrore veprën e Tom Kempinskit u pa edhe në natën e dytë – të shtunën. 

E pashmangshme ishte heshtja që për një kohë të gjatë vërshoi publikun pas përfundimit të shfaqjes, megjithëse trishtimi dhe dyshimet që silleshin në kokë, përshkuan fytyrat e tyre derisa ata lëshonin sallën. “Çfarë loje!, “Sa trishtim”, “Më është mbledhur diçka në lukth”, ishin disa nga komentet që dëgjoheshin mes publikut.

Se reagimet ishin të mira, këtë e tha edhe regjisori i “Duet për një”, Kushtrim Bekteshi: “Publiku e di më së së miri, por mua mu dok se ishin të vëmendshëm. Kishte reagime shumë të bukura, dhe sipas meje mendoj se e kanë pëlqyer”.

Megjithëse me një numër modest të aktorëve, vetëm dy në numër Vebi Qerimi dhe Vjollca Bekteshi Hamiti, me një skenë të thjeshtë por shumë domethënëse – sepse ajo mbante sirtarë të mbushur përjetime dhe rrëfime jetësore, shfaqja që zgjati rreth 90 minuta, diti ta mbajë vëmendjen e publikut, të cilët për të receptuar shfaqjen në masë më të lartë, shpesh shiheshin në këmbë. E pashmangshme ishte edhe momenti i ujitjes së luleve, me të cilin filloi dhe mbaroi shfaqja – rrëfimi i Stefanies, i cili veprim dha mësimin se jeta është lulja, varësisht se si kujdesesh për të, si e ujit, ashtu edhe ajo do të lulëzojë apo zhvillohet.

Dhe mes gjendjes emocionale të Stefanies, kur ishte në prag të vetëvrasjes, erdhi mësimi i doktorit – psikoterapeutit Feldman që erdhi me lojën e aktorit Vebi Qerimi.

“Qëllimi i jetës është vetë aktiviteti jetësor; arritjet e njeriut janë qëllimi dhe shpërblimi i jetës. Njeriu mund ta bëjë botën një vend më të mirë për t’u jetuar dhe, në këtë proçes, ai rrit njohuritë e veta, dhe ndoshta një ditë shton edhe urtësinë. Ne nuk kemi më nevojë për motive të jashtme; motivet i gjejmë tek vetvetja. Vështroni rritën e një fëmije. Ai vjen në këtë botë gjithë etje, si i burgosuri që sapo është liruar nga burgu. Prek dhe kap gjithçka; thyen, përplas dhe vërvit çdo gjë për shkak të pasionit për të parë, ndjerë, dëgjuar, shijuar e nuhatur aromat. Duket sikur ka epsh për gjithçka, etje për jetën. A është e nevojshme ta pyesni atë se cili është qëllimi i këtij veprimi gëzimprurës? Po t’ju kuptonte ai do shkrihej se qeshuri dhe do t’ju thoshte: “Këtë po e bëj se dua ta prish shtëpinë me tulla që e ka ndërtuar mami dhe më pas do ta ndërtoj sërish nga themelet. Kam shumë qejf! Shoh se edhe të tjerët shkatërrojnë dhe rindërtojnë, këtë dua të bëj edhe unë. Kjo është mrekulli! Po ia ndryshoj faqen Universit.”

Pavarësisht ardhjes në seanca psikoterapie pa dëshirën e saj, dhe me kërkesën e bashkëshortit Dejvid, Stefania arriti, që duke rrëfyer fëmijërinë e saj, raportet e saja me babain, duke arsyetuar përkushtimin e saj në realizimin e synimit jetësor të saj –  të bërit violiniste me famë, dhe duke bindur veten se: “Kundërshtimi i babait për idenë që ajo të bëhej pjesë e llumit shoqëror, që sipas tij ishin artistët”, erdhi në idenë se: Sëmundja multiple skleroza ishte vetëm një shkas, e kurse humbja e qëllimit jetësor e kishin sjellë në gjendjen sa ajo të mos ishte e sigurt as në këmbët e saja”.

Se shfaqja nuk flet vetëm për sëmundjen, kështu u shpreh edhe vetë regjisori i shfaqjes “Duet për një”, Kushtrim Bekteshi.

“Në fakt shfaqja nuk flet vetëm për multiple sklerozën. Atë autorja e ka zgjedh si një problem për të shfaq një humbje. Në fakt shfaqja flet për humbje të mëdha, si t’i përballojmë humbjet e mëdha dhe si të gjejmë një kuptim të jetës, për ta vazhduar jetën, për ta shijuar jetën”, tha Bekteshi.

Qëllimi i jetës – pema ka më shumë degë me mollë

Shfaqja kishte për synim të ngrit vetëdijen te publiku për rëndësinë e gjetjes së qëllimit jetësor, gjetjen e motiveve brenda nesh, dhe jo jashtë nesh, nëpërmjet së cilave do të orientohet edhe vetë energjia njerëzore, duke e bërë botën një vend më të mirë për të jetuar.

“Shumë mirë e thotë autori në monologun, ndoshta më të bukurin që e kam lexuar në jetë. Doktor Fieldman thotë: Jeta ka me mijëra qëllime, dhe pema e jetës ka më shumë se një dreq molle. Nëse thyhet një degë ku ka një mollë, ka më shumë degë ku ka më shumë mollë ku mund të kapemi ne. Me rëndësi është të vazhdojmë jetë, sepse ajo ka shumë gjëra të bukura”, rrëfehet më tej Bekteshi.

Skenografia kompletoi përmbajtjen e dramës

Publicisti Latif Mustafa e ka vlerësuar lartë mënyrën se si “Duet për një” u shfaq para publikut të Shkupit. Rolin e Vjollca Bekteshit dhe Vebi Qerimit e sheh të mishëruar me rolin e Stefanies dhe doktorit Feldman, ndërkaq zgjedh t’i jepet një persiatje skenografisë, e cila qëllimshëm ose padashje shpesh herë i ikë rrjetës së kritikës teatrore.

“Sa i përket skenografisë, e ideuar nga Betim Zeqiri, përpos që komplementohet me përmbajtjen e dramës ajo shkon edhe përtej duke dhënë një pamje fizike për personaltitetin njerëzor. E punuar në një sipërfaqe të rrethore gjë që të përkujton globin ose botën dhe procesin se si gjithçka rrotullohet në këtë jetë. Muri me kocka/blloqe jemi NE dhe blloqet e bardha ndërtimi i personalitetit tonë. Zbrazëtirat në mes blloqeve janë zbrazëtirat tona shpirtërore kur pas murit gjendet thellësia errësisë, nënvetëdija/idi. Disa blloqe janë edhe fjoka ku ruhen të dhënat/follderat tonë, me një fjalë memoria jonë. Disqet e muzikës në mes tyre – shpirti ynë artistik. Nuk harrojmë të përmendim as Chopen-in kompozim që të ndjellë “rrëshqitjen e qilimit nën këmbë” dhe gjithçka përfundon”, tha Mustafa.

Për kostumet është përkujdesur Samka Ferri, kurse vepra është shqipëruar nga Agon Myftari.

E shfaqja prek më thellë, kur mendohet se vepra në të cilën bazohet ajo, vjen nga jeta e vërtetë e Jacqueline Mary du Pré (26 January 1945 – 19 October 1987), që për simbolikë dje pati edhe ditën e lindjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button