Një 36-vjeçar barazoi rekordin e Batistutës dhe “zhvlerëson” Ronaldon

Më 31 janar do të mbushë 36 vjeç, por vitet për të janë thjesht shifra, pasi në fushën e lojës argëtohet si një adoleshent, ndërsa para portës shfaqet si një profesionist i vërtetë, njofton Supersport.al.

Bëhet fjalë për Fabio Quagliarellën, sulmuesin veteran të Sampdorias, i cili me dopietën që shënoi dje në fitoren 4-0 ndaj Udineses, barazoi edhe rekordin e Batistutës, duke shënuar në 11 ndeshje radhazi.

Sulmuesi argjentinas kishte shënuar 13 gola në 11 javë, gjatë sezonit 1994-1995 me Fiorentinën, rekord ky që kishte thyer atë të futbollistit të Bolognës Pascutti me 12 gola në 10 takime radhazi dhe që qëndronte i paarritshëm prej 24 vitesh.

Por Quagliarella ia ka dalë ta barazojë rekordin dhe fundjavën e ardhshme do t’i ketë të gjitha mundësitë ta thyejë, pasi Sampdoria do të luajë në transfertën napolitane, qytet në të cilin sulmuesi veteran ka lindur.

Aktualisht Quagliarella ka befasuar të gjithë, duke lënë në hije edhe Cristiano Ronaldon, pasi 36-vjeçari italian ka shënuar 16 gola dhe ka asistuar 6 të tjerë, ndryshe nga portugezi i Juves me 14 gola dhe 5 asiste.

Vlera e Fabio Quagliarellës shtohet edhe më shumë kur mendon se ai vetë iu bashkua Sampdorias për shifrën e 4 milionë eurove, ndërsa Juventusi shpenzoi qindra të tilla për të marrë yllin portugez.

Vetë sulmuesi nuk e fsheh kënaqësinë për momentin që po kalon dhe tregon sekretin e formës fantastike, duke shtuar se mbetet në pritje edhe të ndonjë ftese nga ana e Roberto Mancinit, në kombëtaren italiane.

“Edhe vetë po habitem me këtë moment magjik që po kaloj, por duket se sakrificat që kam bërë në të shkuarën, më kanë shërbyer të kem këtë formë. Jam shumë i lumtur që barazova rekordin e Batistutës dhe do të ishte mrekulli, po t’ia dilja ta thyeja. Kombëtarja duhet të fokusohet te elementët e rinj, por unë vijoj të stërvitem shumë dhe do të mirëprisja ndonjë ftesë nga Mancini”, deklaroi sulmuesi italian.

Fabio Quagliarella ka luajtur për klube të ndryshme italiane si Ascoli, Napoli, Juventus, Torino dhe tashmë Sampdoria, ndërsa ka diskutuar një total prej 422 ndeshjes, duke shënuar 142 gola dhe asistuar 46 të tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button