Pas Koxiasit, Ali Ahmeti i dërgoi letër edhe ndërmjetësit Nimic: U kry!

Pas letrës së dërguar ish ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Koxias, lideri i partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti letër i ka dërguar edhe ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, transmeton Portalb.mk.

Lideri Ahmeti duke i shkruar letër Nimicit, mes të tjerash citon fjalët që ky i fundit u kishte thënë veprimtarëve amerikanë: “Dëgjojeni Aliun sepse ai ka një hall të madh pasi që ka marrë rrugën për të ardhur gjer këtu. Dhe vërtet më dëgjuan më vëmendje”.

Ahmeti i thotë Nimicit, se ndihet rehat me rezultatet e arritura.

Më poshtë ua sjellim letrën e plotë që Ahmeti ia dërgoi Nimicit:

“Përshëndetje i dashur Met,

diku në vitin 2012, një mik i imi i madh amerikan më kishte sygjeruar që të udhëtoj drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas dështimit të përpjekjeve të atëhershme për ta përmbyllur kontestin e emrit me Greqinë. 

I premtova që sa po t’a përfundojmë betejën zgjedhore për zgjedhjet lokale vitin vijues, do të bëj përpjekje për të udhëtuar përtej oqeanit. 

Në fillim të majit, më 2013, arita në Vashington për një sërë takimesh zyrtare, por edhe me veprimtarë të shquar amerikan në çështjet e Evropës Juglindore. 

Bashkëbiseduesit e mi në Departmentin e Shtetit, në Kongres, në Pentagon dhe në Shtëpinë e Bardhë më thanë që miku im amerikan i kishte porositur ata me këto fjalë: Ndëgjojeni Aliun sepse ai ka një hall të madh pasi që ka marrë rrugën për të ardhur gjer këtu. Dhe vërtet më ndëgjuan më vëmendje. 

Më pas iu drejtova Nju Jorkut për takime me misionet britanike, amerikane dhe franceze në Kombet e Bashkuara, për ta përfunduar vizitën në SHBA me takimin që kisha me ty i dashur Met. 

Duke të të inkurajuar për t’i vijuar përpjekjet drejt zgjidhjes, atë ditë të thash që do hysh në histori, që do kujtohesh si njeriu që përmbylli një vatër krize, mundësoi paqën, sigurinë, stabilitetin dhe ardhmërinë e vendit tim. 

Ja ku jemi sot, të ngadhnjyer. Të duruar, por të ngadhnjyer. Të përkushtuar ndër vite e stuhi të ndryshme, por i dashur miku im, u bë edhe kjo punë. 

Ne jemi takuar shpesh dhe që të dy asnjëherë nuk kemi humbur përkushtimin për ta larguar këtë gurrë të rëndë mbi gjokset tona, këtë litar të shtrënguar fort në qafë që po na mbante peng gati tre dekada.

Siç e the dhe ti vet, kur arrihet kompromisi, askush nuk del duke vallëzuar, por unë ndihem rehat me rezultatet e arritura dhe kam besimin që kjo marrëveshje historike do të vendos themelet e besimit të ndërsjellë dhe vullnetit të mirë që do t’i shërben mirë edhe Shkupit edhe Athinës drejt të ardhmës së përbashkët. 

Bashkë arritëm sukses të dukshëm drejt objektivit tonë për ta integruar vendin në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Por, rruga para nesh mbetet sfiduese ndërsa ne mbetemi të përkushtuar që të vijojmë veprimin e përbashkët dhe vendosmërisht ta mbrojmë lirinë dhe vlerat e përbashkëta të lirive dhe të drejtave njerëzore, demokracisë, solidaritetit dhe sundimit të ligjit. 

Kjo është vërtet një e arritur shekullore dhe përparim i jashtëzakontë, por akoma kemi punë për të bërë në mënyrë që ta quajmë sukses të plotë. Atë do ta bëjmë kur do të rreshtohemi krah për krah me Aleatët si pjesë e familjes së madhe euroamerikane të NATO-së. Unë e di që ti do të jesh me ne edhe në atë çast, edhe në atë të arritur. 

Desha të të faleminderoj shumë për këmbëngulësinë tënde dhe për përkrahjen e plotë gjatë gjitha këtyre viteve në drejtim të përfundimit të këtij konstesti të gjatë midis dy fqinjëve. Mirënjohje i shpreh edhe Sekretarëve të Përgjithshëm të OKB-së ndër vite për përkushtimin e tyre dhe kontributin ndaj procesit. Përkushtimi yt i kombinuar me durimin dhe kuptimin e rrethaneve të dy vendeve tona na solli këtë rezultat pozitiv.

Shkrova gjatë miku im sepse unë në këtë rrugëtim ndiqja përbetimin tim rilindas për përkatësi drejt perendimit, ndërsa ti ndiqje vlerat e njerëzimit të përqafuara nga demokracitë botërore e që të dyja frymëzimet tona ishin komplementare dhe të përputhshme. 

Erdhi dita i dashur Met që të të them, u kry!”, shkruan në letrën e tij Ahmeti.

LEXO: Ali Ahmeti i dërgoi letër ish-ministrit grek, Koxias: Ia dolëm mik

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button