Hyri në fuqi rihapja e përkohshme e qeverisë federale amerikane

Mbyllja më e gjatë në historinë e qeverisë amerikane përfundoi të premten kur Presidenti Donald Trump shtyu kërkesën e tij për financimin e një muri përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, duke nënshkruar një ligj financimi tre-javor për rihapjen e agjensive qeveritare dhe për rikthimin në punë të 800 mijë punonjësve federalë. Zyra për Menaxhimin dhe Buxhetin u dërgoi mbrëmë vonë një memorandum agjensive të mbyllura federale për t’i informuar se tashmë janë të hapura dhe se punonjësit mund të rikthehen në punë. Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, financimi afatshkurtër synon t’u japë kohë ligjvënësve të trajtojnë çështjen e sigurisë kufitare, njofton Zëri i Amerikës.

Fluturimet ajrore pësuan vonesa përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara, pasi punonjësit e papaguar të sistemit të kontrollit ajror filluan të mos paraqiten në punë…

E premtja shënoi edhe rrogën e dytë të humbur për punonjësit federalë, pas dy përpjekjeve të dështuara të Senatit për të rihapur qeverinë.

Ky akumulim problemesh detyroi Presidentin Trump të rihapë qeverinë deri më datën 15 shkurt, por pa një financim për murin kufitar.

“Gjatë 21 ditëve të ardhshme, pres që si demokratët edhe republikanët do të veprojnë në mirëbesim. Kjo është një mundësi për të dyja palët të punojnë së bashku për të mirën e kombit tonë të pacënuar, të bukur dhe të mrekullueshëm”, tha Presidenti Trump.

Do të jenë pra 21 ditë gjatë të cilave punonjësit federalë do të paguhen dhe ligjvënësit do të negociojnë për një marrëveshje për sigurinë kufitare, për të cilën Presidenti tha qartë se duhet të përmbajë një mur kufitar.

“Muret që ndërtojmë nuk janë mure mesjetarë. Janë mure inteligjente. Nuk na duhen 2 mijë milje mure betoni nga një breg në tjetrin. Asnjëherë nuk kemi propozuar një gjë të tillë”, tha Presidenti Trump.

Rënia dakort nga Presidenti Trump për të rihapur qeverinë dhe për të diskutuar sigurinë kufitare, ishte kërkuar nga demokratët gjatë gjithë ngërçit historik që zgjati 36 ditë.

“Popullit amerikan nuk i pëlqen kur dëmtohen jetët e punonjësve të qeverisë për një mosmarrëveshje politike pa lidhje. Të shpresojmë se tashmë Presidenti ka nxjerrë mësime”, tha Senatori Chuck Schumer, udhëheqës i demokratëve.

Udhëheqësit republikanë u bënë thirrje demokratëve t’u përgjigjen kërkesave.

“Shpresoj që miqtë demokratë do t’i përmbahen angazhimit që kanë shprehur vazhdimisht gjatë javëve të fundit, se do të jenë krejtësisht të gatshëm për të negociuar në mirëbesim për një vit të plotë financimi të qeverisë, ku do të përfshihej një investim domethënës për marrjen e masave urgjentisht të nevojshme për sigurinë kufitare, ndër to edhe ngritjen e barrierave fizike”, tha Senatori Mitch McConnell, udhëheqës i republikanëve.

Por, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e bëri të qartë se pozicioni qendror i demokratëve kundër financimit të një muri kufitar nuk ka ndryshuar.

“Uniteti është forca jonë dhe ndoshta këtë e nënvlerësoi Presidenti”, tha zonja Pelosi.

Presidenti Trump mori në konsideratë shpalljen e një emergjence kombëtare në kufi, me qëllim përftimin e fondeve për ngritjen e murit. Ai paralajmëroi më vonë se ende ekziston kjo mundësi, nëse negociatat nuk dalin me sukses.

“Do punojmë me demokratët; do shohim situatën dhe nëse nuk realizohet, atëherë do të shpallim emergjencën, pasi e tillë është – një emergjencë kombëtare”, deklaroi Presidenti Trump.

Ky është një tregues se progresi në debatin e tanishëm për emigracionin është vetëm i përkohshëm.

LEXO:Nis mbyllja e pjesshme e Qeverisë së SHBA-së
LEXO:SHBA: Mbyllja e qeverisë, tani më e gjata në historinë amerikane
LEXO:SHBA: Pasojat politike të mbylljes së qeverisë, ende të paqarta
LEXO:Ligjvënësit amerikanë po kërkojnë zgjidhje për të hapur Qeverinë
LEXO:U dorëzua presidenti Trump, rihapet Qeveria e Amerikës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button