Më vrit mami

Mami, m`i nxirr gishtat nga zjarri

M`i kruaj buzët e çara me satër;

Dhe, sapo të vijë pranvera

Lojën time nise ti para derës së oborrit

 

Mami, më vrit mami

Për hir të ëndrrës së vdekur

 

Pisha ka thyer të gjitha degët

Me gjak të ruajtura ndër vite

Ujku shikon qiellin e ulërinë në kodër

Në harkun e errët tymon një kasolle

 

Hëna e djegur fle mbi degë.

II

Shtrydhi gjinjtë e shterur

Pak tambël për buzët e mia mami

Pak bukë për qenin e shurdhër

Thyeje prej krahut tënd

 

Mami, vraje qenin mami

 

Kuis i çartur mami, apo mami

S`më le të ëndërroj mëngjesin

Tamblin e gjinjve të tu që s` është

Tamblin që kurrë s` do të kthehet

 

Në harkun e errët një fjollë tymi

Një ofshamë që rrënon shpirtin

Një dhembje që thyen eshtrat e vjetër

 

Pisha ka thyer tëra degët.

III

Baba s`patëm kurrë, mami

Vetëm emrin ia patëm për farë

E vraftë koha e vet e verbër

E vraftë largësia, mami

 

M`i fut gishtat në gjinj, mami

E pasi të më ngrohen më vrit,

Ky është çasti i përjetshëm yti

Të ma plotësosh dëshirën, mami

Se kurrë më, kurrë më, e gjora ime,

Nuk do të më gjesh të ngrohtë

 

Vraje qenin njëherë, mami

E pastaj, mami, më vrit mua!

IV

M`i fut gishtat në gjinj, mami

E pasi të më ngrohen më vrit

 

Ujku do t`ua ngul dhëmbët reve

Tymi i oxhakut të kasolles së vogël

Vizaton ëndrra në qiellin e zi

 

Pisha ka lëshuar degët e vjetra

E heshtur laget në shi të ftohtë

Dhe, asgjë më pos syve të vogëlushit

Në pritje memece të babait të ikur

Që i ka premtuar bukën e largësisë

 

Dhe, asgjë më pos qenit të vrarë

Nga ende kuis i uritur mbi hije

Me sy të çelur nga qielli i verdhë.

Autor i poezisë: Nexhat Halimi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button