Sami Lushtaku shpallet i pafajshëm, kërkon 1.4 milion euro dëmshpërblim nga shteti

Për shkak aktakuzave të pabazuara dhe vendimeve gjyqësore të kontestuara, qindra qytetarë të Kosovës janë privuar nga liria. Disa nga ta po kërkojnë kompensim financiar për dëmin që u është shkaktuar. Ata kanë kërkuar shuma të mëdha të parave, derisa buxheti i KGJK-KGJKsë është i limituar. Disa i janë drejtuar edhe gjykatave për të kërkuar të drejtën e tyre dhe shteti mund të humbë miliona euro për shkak të gabimeve të prokurorëve dhe gjykatësve, transmeton Periskopi.

Kompensim financiar ka kërkuar edhe Sami Lushtaku, ish-komandat i UÇK-së dhe ish-kryetar i Komunës së Skenderajt.

1.4 milion euro është shuma që Lushtaku kërkon nga shteti.

Ai është shpallur i pafajshëm, por para marrjes së këtij vendimi nga Gjykata Supreme, Lushtaku ka vuajtur katër vite e një muaj burgim.

Duke marrë parasysh që është shpallur i pafajshëm, avokati i tij Arianit Koci me 20 nëntor të vitit 2018, ka bërë kërkesë për marrëveshje për kompensim financiar me KGJK-në.

Në kërkesë thuhet se Lushtaku është dënuar dhe është mbajtur në burgim pa arsye, dhe kërkon kompensim në emër të dëmit material dhe jomaterial të shkaktuar si rezultat i dhimbjes, vuajtjes shpirtërore të intensitetit të lartë, cenimit të së drejtës së reputacionit dhe të drejtës së personalitetit, shpenzimeve lidhur me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, shpenzimeve për vizitat familjare, dërgimin e pakove dhe transportin për anëtarët e familjes.

Gjithashtu ishte kërkuar kompensim për detyrimet financiare ndaj avokatit për të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurën penale të zhvilluar ndaj tij.

Duke i marrë parasysh të gjitha arsyet e cekura më lart, Sami Lushtaku kërkon nga komisioni i lartpërmendur i KGJK-së kompensimin prej gjithsej 1 milion e 446 mijë e 890 euro.

Gjate gjithë procesit gjyqësor të zhvilluar ndaj Sami Lushtaku nga dita e arrestimit e deri në ditën e lirimit të tij nga të gjitha akuzat, janë mbajtur 50 seanca.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me 8 nëntor 2013, pati ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Lushtaku “ka vepruar në mënyrë brutale, qëllimisht i ka marrë jetën një mashkulli të paidentifikuar të moshës rreth 40 vjeçare, duke i vënë pistoletën e llojit TT në kokën e tij, përderisa i njëjti person i kishte duart e lidhura nga dy ushtarë të paidentifikuar të UÇK-së”. I njëjti person ishte qëlluar me tri të shtëna në tokë, me ç‘rast edhe kishte ndërruar jetë, në një lokacion të papërcaktuar ndërmjet fshatrave Galicë dhe Dubovc”.

Për këtë vepër penale, Lushtaku ishte dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa është shpallur i pafajshëm për pikat e tjera të aktakuzës.

Mbrojtja e Lushtakut kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj aktgjykimit dënues dhe kjo gjykatë me 15 shtator 2016 e ka aprovuar në tërësi ankesën e mbrojtjes duke e shpallur atë të pafajshëm për veprën penale “Marrja e jetës me dashje të një personi civil të burgosur shqiptar”. Por Gjykata e Apelit, duke e gjetur të bazuar ankesën e prokurorisë, e shpall fajtor Lushtakun për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” që ndërlidhet me përgjegjësinë komanduese. Tutje, mbrojtja kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme. Kjo gjykatë me 3 korrik 2017, e aprovoi ankesën e ushtruar nga mbrojtja, dhe liroi Sami Lushtakun nga të gjitha akuzat, duke e liruar atë nga paraburgimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button