fbpx

SHBA: Pasojat politike të mbylljes së qeverisë, ende të paqarta

Ndërsa mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane ka hyrë në muajin e dytë, asnjëra nga palët e politikës nuk është e sigurtë se sa kohë do të zgjasë kriza politike në Uashington. Anketat e opinionit publik tregojnë se për momentin, amerikanët fajësojnë më tepër Presidentin Trump, se sa demokratët e opozitës. Kjo çështje mendohet se do të ketë ndikim tek zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, njofton Zëri i Amerikës.

Në Uashington, punonjësit qeveritarë rrinë në radhë për të marrë ushqime falas, një ndihmë për ta në këto ditë nevoje.

Nuk po shihet ende të ketë një zgjidhje për mbylljen e pjesëshme të qeverisë. Politikisht, të dyja palët duken të zhytura në krizën e krijuar.

Presidenti Trump vazhdon të qëndrojë i paepur në kërkesën e tij për financimin e murit përgjatë kufirit jugor:

“Shpresoj që Kryetarja Pelosi ka për ta kuptuar atë që dinë të gjithë, se muri është i nevojshëm.”

Demokratët vazhdojnë ta kundërshtojnë me forcë financimin e murit, përfshirë udhëheqësin e tyre në Senat, Chuck Schumer:

“Duam që simbol i Amerikës së mbetet Statuja e Lirisë, liria, barazia dhe jo muri përçarës. Ne do të luftojmë fort për këtë.”- tha zoti Schumer.

Ata që po i vuajnë pasojat e ngërçit politik janë punonjësit qeveritarë, të cilët nuk paguhen, qofshin ata që nuk shkojnë punë, apo ata që punojnë pa pagesë. Një prej tyre është agjenti i FBI-së Tom O’Connor:

“Agjentët e FBI-së nuk ka pse të punojnë siç po bëjnë, në dyqane, ngaqë nuk kanë para për të mbajtur familjet me punën e tyre në qeveri.”- thotë ai.

Mbyllja e qeverisë nuk ndihmon askënd politikisht, thotë Jim Kessler.

“Trump po humbet pikë, Kongresi po humbet pikë nga kjo çështje, punonjësit federalë që punojnë pa rrogë, po humbasin…”

Disa anketa të kohëve të fundit fajësojnë më tepër zotin Trump për mbylljen e qeverisë, thotë analisti John Fortier.

“Anketat fajësojnë më tepër Presidentin se sa demokratët. Mbështetja për Presidentin ka rënë, por jo shumë. Baza e të dyja partive në parim mbështesin udhëheqjen e tyre, prandaj kjo e vështirëson së tepërmi zgjidhjen.”

Edhe demokratët duken të bashkuar në kundërshtimin e tyre ndaj presidentit, thotë Jim Kessler, i grupit “Third Way”.

“Demokratët nuk duken të vendosur për financimin e një premtimi të fushatës të Donald Trumpit: ai tha se për murin ka për të paguar Meksika; pra ndodhemi në një qorrsokak, dikush duhet të tregohet krijues për të gjetur një zgjidhje.”

Për momentin, asnjëra nga palët nuk duket të bëjë lëshime, thotë analisti

Larry Sabato.

“Është e vështirë të kuptohet se si do të marrë fund kjo gjendje, edhe pse dihet që fundi do t’i vijë. Të dyja palët duhet të bëjnë lëshime, por cilat do të jenë ato, tani nuk dihet.”

Analistët parashikojnë që ngërçi i krijuar mund të rezultojë në një qeveri të përçarë në dy vitet e ardhshme, si dhe mund të jenë përcaktuese për zgjedhjet presidenciale të 2020ës.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close