Nderimi i “kundërshtarëve” të 2001-shit, pajtim apo marketing politik?

Lajmi dhe fotografia e ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi duke vendosur lule mbi përmendoren e ushtarëve të ARM-së të rënë në vitin 2001, në ditën e rënies së dëshmorëve në krye me Komandant Telin,  përshkoi mediumet dhe rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të bujshme te qytetarët. Por jo edhe aq reagime, sa kishte pas aktit “reciprok”, kur disa zyrtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë nderuan dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Sllupçan.

Analistët me mendime të ndryshme rreth këtyre gjesteve. Disa i konsiderojnë si të papërgjegjshme, disa i përshëndesim, e të tjerët akuzojnë për lojë politike.

“Mendoj që ky gjest (vizita e zyrtarëve të ARM-së në Sllupçan) është i zgjedhur nga ana e një individi apo individëve, të cilët nuk kanë mbajtur llogari për efektet që do të shkakton përkulja dhe vizita e përmendores së ushtarëve të UÇK-së. Ne ende po merremi me definimin e anëve të konfliktit. Distancimi na ky gjest nga ana e institucioneve shtetërore maqedonase vjen edhe si rezultat i moszgjidhjes dhe mosdefinimit të statusit të ish ushtarëve të UÇK-së” – thotë Frosina Remenski, profesoreshë në Fakultetin për siguri në Shkup.

Ajo është e mendimit se kjo duhet marrë si arsye dhe shtytje për hapjen e një debati publik për të qartësuar pozitat e konfliktit të vitit 2001.

“Kjo duhet të jetë shtytje për diskutim të hapur për statusin e anëve pjesëmarrëse në konfliktin e vitit 2001 dhe prej aty të del nevoja apo pa nevoja e përkuljes para përmendoreve. E gjithë kjo në kontekst të gjetjes së një vërtete të përbashkët, nëse mund të gjendet një e vërtetë e përbashkët për konfliktin e vitit 2001” – thotë Remenski.

Analisti Bashkim Bakiu këtë gjest e sheh si të guximshëm dhe për tu përshëndetur.

“Në përgjithësi është gjest i guximshëm nga ana e institucioneve dhe sinqerisht mendoj se është për të përshëndetur. Sepse pas Marrëveshjes së Ohrit, respektivisht një ndër rekomandimet e MO është që të kthehet besimi i ndërsjellë” – thotë Bakiu nga Instituti për hulumtim tëpolitikave dhe qeverisjes së mirë.

Sipas tij, reagimi dhe distancimi i shtatmadhorisë së ARM-së dhe partisë maqedonase në pushtet është rezultat i mentalitetit të dobët politik tek elita politike maqedonase.

“Megjithatë edhe pse dita apo fotografia e vendosjes së kurorës dukej si akt i kthimit të besimit të ndërsjellë, dhe për herë të parë në mënyrë institucionale u nderuan dëshmorët, reagimi i shtatmadhorisë, si dhe reagimi i partnerit të koalicionit, tregon mentalitetin politik tek elita politike maqedonase (në këtë rast ajo që ka mandat) ende është i vjetër (që sipas mendimit tim ishte edhe shkak i kulminimit të konfliktit të 2001-shit), dhe nuk kontribuon status të barabartë midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Sidoqoftë mendimi im është se Besimi bërë një hap të guximshëm dhe të duhur” – mendon Bashkim Bakiu.

Për anëtarin e lëvizjes qytetare PYKA, Edmond Ademi, ky “shkëmbim nderimesh” vjen si rezultat i marrëveshjes politike mes partnerëve të koalicionit, në tentim që secili të bëhet patriot para elektoratit të vet.

“Tregimi nuk është edhe aq i thjeshtë. Gënjehemi në qoftë se mendojmë se nuk janë marrë vesh partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, në stilin, ju bëni çfarë të doni, nëse kalon, kalon, nëse nuk kalon ne do të reagojmë, çdokush do të distancohet nga çdonjëri dhe vazhdojmë më tutje. Ashtu si edhe deri më tani, njëri bëhet patriot te të vetët, kurse tjetri te njerëzit e tij. Në fakt, nuk është as me rëndësi nëse ka pasur marrëveshje apo jo. Me rëndësi është që e tërë puna doli fals!” – shkruan Ademi në kolumnën e tij.

Shtatmadhoria e ARM-së dhe VMRO – DPMNE janë distancuar nga gjesti i nderimit të ushtarëve të UÇK-së. Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim këto dy momente i sheh si “hap që kontribuon në rritjen e mirëbesimit dhe tejkalimit të paragjykimeve midis komuniteteve në një shoqëri postkonfliktuoze”.

Ndërkaq ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi i vjen keq që “nuk është kuptuar plotësisht përpjekja për pajtim në frymën e Marrëveshjes së Ohrit”. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button