Reliq: Cipras po e zgjidh kontestin me Maqedoninë edhe për arsye pragmatike

Pse Evropa dhe bota janë aq të interesuara për të zgjidhur kontestin për emrin dhe pse s’ka mirëkuptim për kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës në Greqi? Në këto pyetje si dhe në pyetje tjera u përgjigj eksperti për EJL, Dushan Reliq në intervistë për Dojçe Vele.

DV: Nëse shikoni se çka informojnë masmediat gjermane, këto ditë, për demonstratat e mëdha greke të fundjavës, fitohet përshtypje se Greqia është një vend shumë nacionalist. A është kështu?

Dushan Reliq: Nuk mund të jepet një vlerësim paushall. Sepse nacionalizmi, viteve të fundit, është bërë më i fortë kudo në Evropë dhe në botë. Por në EJL dhe Greqi ai ka një traditë e fortë të identitet dhe nacionalizmit në politikë. Kjo është kryesisht për shkak të historisë, por ndërlidhet edhe me faktin se elitat politike në rajon, duke përfshirë Greqinë, jo gjithmonë u kanë ofruar njerëzve qeverisjen më të mirë. Greqia, viteve të fundit, ka kaluar në mjerim dhe ende s’i ka tejkaluar plotësisht problemet, prandaj emocionet janë mjet i mirë për të bërë politikë, mjet i dobishëm. Në letrën nacionaliste tani, para zgjedhjeve, shumë fuqishëm është duke luajtur partia opozita konservatore Nea Demokratia.

Pse Evropa s’ka fare mirëkuptim për kundërshtarët e Marrëveshjes (së Prespës, v.j.) në Greqi?

Jo vetëm në Evropën Perëndimore, por edhe në botë, njerëzit kurrë nuk e kishin të qartë se çka në fakt ishte problemi. Sepse, Greqia është një vend relativisht i madh – 10 milionë njerëz, anëtar në NATO, në BE, me ushtri të fuqishme që u bë edhe më i fuqishëm kur të shikohet nga aspekti i rëndësisë që e ka Greqia në murin juglindor të NATO-s, si dhe në kontekst të problemeve me Turqinë. Një shtet kaq i stabilizuar (është në kontest, v.j.) me një fqinj që s’ka ushtri, popullsia e të cilit aktualisht në territorin e Maqedonisë vlerësohet të jetë rreth 1.3 apo 1.4 milionë dhe që nuk ka aleatë të cilët do ta mbështesnin për ndonjë lloj tendence ekspansioniste. E gjithë kjo i bëri pozitat e Greqisë të pakuptueshme në 20-30 vitet e fundit.
Pas kontestit që zgjati me dekada, gjërat përnjëherë shkojnë shumë shpejt. Si e shpjegoni faktin që kryeministri Cipras po e shtyn zgjidhjen e kontestit përkundër reagimeve të ashpra në Greqi, edhe atë aq shpejtë?

Dusan Reljic (DW)
Dushan Reliq, njohës i mirë i rrethanave në Evropën Juglindore

Supozoj se nga njëra anë duhet t’i besohet Ciprasit dhe një pjese të madhe të  forcave politike në Greqi kur thonë se duan që, më në fund, ta zgjidhin problemin. Ky problem e rëndonte jo vetëm bashkëpunimin me Shkupin, në vitet e fundit, por ishte ajo për të cilën Greqia shpesh dukej si një “dele e zezë” në bashkësinë e shteteve perëndimore dhe vazhdimisht e helmonte klimën politike në Greqi. Së dyti, mendoj se të dy palët – ajo e Ciprasit dhe e kryeministrit maqedonas Zaev – pozicionohen majtas nga qendra dhe në vetë-perceptimin e tyre çështjet e identitetit dhe çështjet nacionaliste nuk janë në fokusin e të menduarit dhe veprimit të tyre politik. Por, mbase ka edhe argumente pragmatike. Greqia duhet vazhdimisht të bëjë marrëveshje me partnerët perëndimorë rreth mbështetjes financiare, për të cilën vendi do të ketë nevojë edhe një kohë të gjatë, ndërsa kryeministri Cipras e di se zgjidhja e konfliktit mes Shkupit dhe Athinës, për të dhe për Greqinë do të jetë një plus në marrëdhëniet me qendrat financiare perëndimore. Dhe së fundi, në rajonin e EJL-së, Greqia po tregon gatishmëri për të hequr pasigurinë dhe problemet që kanë zgjatur shumë, se do të jetë shembull dhe me të vërtetë do të mund të luajë rol udhëheqës në përpjekjet për të zgjidhur problemet e rajonit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse marrim parasysh se përpjekjet turke, në dhjetë vitet e fundit, kanë pasur një lloj primati.

Pse evropianët kanë interes të veçantë? Mund të shihet se edhe Berlini edhe pjesa tjetër e BE-së kanë interes shumë të madh për të zgjidhur e konfliktin.

Edhe amerikanët janë shumë të përfshirë. Kam lexuar në gazetat greke se ambasadori amerikan, kohët e fundit, ka qenë në kontakt sa me Ciprasin aq edhe me opozitën. Pse është e interesuar bota? Së pari, BE-ja dëshiron të tregojë, edhe një herë, se eksporton stabilitet dhe se nuk është e vërtetë që një vend i BE-së nuk mund të zgjidhë problemet e veta që janë të rëndësishme për rendin dhe paqen në Evropë. Së dyti, Maqedonia ose iRJ e Maqedonisë është shtet labil  për shkak të konfliktit etnik, ashtu që një qeveri në Shkup e cila do t’ia del ta sjellë vendin në NATO, do të mund pastaj të thotë se ka dhënë kontribut të konsiderueshëm për tejkalimin e konfliktit të brendshëm në Maqedoni midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Pa zgjidhjen e kontestit për emrin me Athinën, situata labile do të vazhdojë dhe duke pasur parasysh se në rajon po përhapet frika nga Shqipëria e Madhe, një Maqedoni e cila do të shkatërrohej sigurisht do të shkaktonte tronditje në rajon. Pra, interesat e sigurisë së Perëndimit janë padyshim të qarta.

D-r. Dushan Reliq nga Fondacioni shkenca dhe politika nga Berlini është ekspert për Evropën Juglindore

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button