Tetovë: U prezentuan pesë zgjidhjet inovative për zvogëlimin e ndotjes së ajrit

Sot në TECH Park të Universitetit të Evropës Juglindore u prezentuan pesë zgjidhjet inovative për zvogëlimin e ndotjes së ajrit të programit “SFIDA O2” të financuar nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor, njofton Portalb.mk.

Pesë kompani të ndryshme, ndër të cilat: Business and Inovation Center DOO, Eko Solar, Bizifaj, Tehnoben nova dhe Venito prezentuan produktet e tyre inovative që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Këto ide u financuan nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe ende janë në fazën e prototipit. Kompanitë janë optimiste se do të ketë investitor të interesuar për të prodhuar këto produkte në Maqedoni.

Një ndër idetë inovative më interesante ishte edhe një biçikletë elektrike e cila përmban filtra për pastrimin e ajrit. ETQ Biçikleta  ka për qëllim që një sistem transporti më ekologjik të fillojë të funksionojë në qytetet tona.

ETQ Biçikleta

“Projekti jonë është një sistem transporti që realizohet nëpërmjet biçikletave elektrike, në të cilat biçikleta janë të vendosura filtra që do ndihmojnë në pastrimin e ajrit nga ndotja. Projekti ende është një prototip, kanë ngelur edhe disa faza tjera për optimizimin e prototipit përpara se të dalë produkti në treg”, tha Filip Popovski nga ekipi GET Velosiped.

“ Ndër thirrjet e para të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik ishte thirrja për problemin e ndotjes së ajrit, që tregon se ne që në fillim jemi marrë me një ndër problemet më serioze të Maqedonisë, dhe më vjen mirë që sot kemi disa zgjidhje që besoj të zënë vend në jetën tonë të përditshme”. tha zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Jani Makraduli.

Ai theksoi që inspektoriati shtetëror është në krye të detyrës dhe ka kontrolluar kompanitë e kategorisë A, por ndotja shkaktohet edhe nga banorët që shfrytëzojnë dru për ngrohje gjatë dimrit, e për këtë shteti do të intervenojë me 1.2 milion euro për zgjidhjen e këtij problemi.

“Inpektoriati shtetëror ka për detyrë të kontrollojë kompanitë e kategorisë A, gjë të cilën edhe e ka bërë dhe ka dhënë raport dje, ku janë marrë masa, madje disa kompani kanë ndaluar punën për një ditë. Në Tetovë, Shkup, Kumanovë dhe Manastir, si katër qytetet më të ndotura në Maqedoni ndotja vjen nga banorët që shfrytëzojnë dru për ngrohje gjatë dimrit, andaj ne në program kemi përfshirë edhe alternativë, ku 1.2 milion euro nga programi do t’i dedikohen ndrimit të burimeve joekologjike për ngrohje me ato ekologjike. Pra shteti do të intervenojë me burimet e veta për zgjidhjen e këtij problemi, disave ekonomi shtëpiake do t’u japim invertorë, disa pompa termale, ndërkaq disa prej tyre sërish do t’i kyçim në ngrohjen qendrore”, theksoi  Jani Makraduli.

Nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik u shprehën të kënaqur me pesë idetë inovative që u financuan dhe besojnë që me këtë kanë dhënë sadopak kontribut për zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit.

“Qëllimi i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik bashkë me ministrinë ishte që të japim kontribut në zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit, problem i cili na shqetëson të gjithëve. Qëllimi jonë ishte të financojmë projekte për këtë problem, ku ndamë rreth 8 milion denarë me të cilat u financuan pesë projekte që u prezentuan sot”, u shpreh drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski.

Jani Makraduli, Teuta Arifi dhe Jovan Despotovski

Në këtë ngjarje e pranishme ishte edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Ndotja e ajrit është një prej betejave më të mëdha për të gjitha autoritetet, si ato qëndrore edhe ato lokale. Ne kemi vazhduar me implementimin e masave të cilat si komunë kemi qenë ndër të parat që i kemi sjellë para tre viteve, poashtu e vlerësoj mjaft që edhe në nivelin qendror gjithnjë e më tepër dëshmohet një përgjegjësi më e madhe.Theksoj që çështja e ndotjes është një problem i madh, një problem i të gjithëve pa dallim, numrat tregojnë që gjithë shteti ka problem me këtë çështje. Jam e bindur që masat afatgjate dhe eventualisht radikalimizimi i masave afatshkurte do të japin rezulatet e tyre në qoftë se të gjithë u përmbahemi atyre”, u shpreh Teuta Arifi.

Ndotja e ajrit ditëve të fundit është një ndër problemet më të mëdha me të cilin po përballet Maqedonia. Madje, të shtunën e kaluar Shkupi u rëndit në vendin e gjashtë, si një ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button