Për portalet maqedonase, Shqipëria dy herë ka publikuar listë të spiunëve

Burimi: KriThink

Brenda një dite, të paktën 24 media maqedonase njoftuan se Shqipëria gabimisht ka publikuar një listë të spiunëve të saj. Në mënyrë korrekte, të gjitha këto media iu referuan tekstit të “Indepentet”-it britanik, mirëpo e ndryshuan atë aq sa të mos jetë plagjiat i përsosur. Problemi është se lajmi është i vjetër dy javë. Dhe që e botojnë atë për herë të dytë

Shkruan: Igor K. Ilievski

“Shqipëria, gabimisht, në internet i publikoi informacionet sekrete për agjentët e saj të zbulimit”. “Shqipëria, rastësisht në internet ka publikuar informacione të ndjeshme për agjentët e saj më të dalluar të zbulimit”, “Shqipëria, anëtare e NATO-s, rastësisht në internet ka publikuar informacione sekrete për agjentët e saj të zbulimit”, “Panik në NATO, Shqipëria gabimisht publikoi…”, “Alarm në NATO, Shqipëria e publikoi listën… ”  Të hënën, më 24 dhjetor, kjo ishin të paktën 24 tituj në mediat maqedonase, kryesisht “portale”, ndërssa “raportimi” rreth skandalit vazhdoi edhe të martën më 25 dhjetor. Dhe të gjitha janë të sakta. Por, për herë të dytë. Dhe janë dy javë të vjetra.

Foto: Time.mk (kliko për format më të madh)
Foto: Time.mk (kliko për format më të madh)

ÇFARË NDODHI

Mediat maqedonase, në mënyrë korrekte, e përcollën tekstin e gazetës britanike “Independent”, por të vjetër dy javë. Për aferën me listën e agjentëve shqiptarë, gazeta raportoi më 8 dhjetor. Një pjesë e mediave maqedonase, në mënyrë korrekte dhe në kohë, lajmin e transmetuan atë ditë dhe të nesërmen, për shembull MKD dhe PRESSING.

 

I njëjti portal, i njëjti lajm, i referohet artikullit të njëjtë – publikohet një herë, e pastaj pas dy javësh edhe një herë. Foto: Pamje nga ekrani

 

Por, pas 15 ditësh, me një pasion të veçantë, mediat maqedonase iu rikthyen edhe një herë kësaj ngjarjeje. Për dallim nga hera e parë e transmetimit të lajmit, hera e dytë ishte shumë më masive dhe me vëmendje shumë më të madhe. Disa media kërkuan ekspertizëtë rastit, e disa u përpoqën ta shfrytëzojnë atë për të fituar edhe ndonjë klikim më shumë në faqet e tyre me titujt e stilit “Ja kush janë…”.

PSIKOLOGJIA E TURMËS

Psikologjia e turmës është një degë e tërë e psikologjisë sociale, me disa pikëpamje teorike. Por, baza është kjo: “sjellja e turmës ndikohet fuqishëm nga humbja e përgjegjësisë së individit dhe përshtypja për universalitetin e sjelljes, të cila rriten me madhësinë e turmës”. Me fjalë të tjera, turma sillet në mënyrë shumë më të papërgjegjshme sesa individi, i cili papërgjegjshmërinë e tij e fsheh pas turmës – sa më e madhe që është ajo, aq më i papërgjegjshëm është ai.

Në rastin e lajmit me listën shqiptare, sa më shumë media që e kanë transmetuar, aq më pak vëmendje ka mundur t’i kushtojë çdo medie e ardhshme. Dhe, për fat të keq, kjo nuk është hera e parë, por një praktikë e përditshme, veçanërisht te portalet.

Të martën, dikush, pas dy javësh, e ka vërejtur lajmin në “Independent” ose, ka më shumë të ngjarë, përkthimin e tij në ndonjë medie rajonale ose të vendit, i është dukur interesant, nuk e vënë re, nuk e ka gjetur, ose thjesht e ka injoruar faktin se ai është dy javë i vjetër dhe se tashmë është publikuar, dhe ka vendosur ta publikojë përsëri. Brenda dhjetë minutash, lajmin e kanë marrë edhe disa ueb-faqe të tjera, ndërsa në fund të ditës është pranuar përgjithësisht.

KU ËSHTË PROBLEMI?

Megjithëse, në thelb, mediet e kanë transmetuar në mënyrë relativisht korrekte lajmin e huaj dhe i janë referuar burimit, në këtë rast ato kanë transmetuar një lajm të vjetër, për më tepër, lajm që tashmë ishte publikuar në Maqedoni. Me këtë, ata formalisht kanë shkelur të paktën dy parime të Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë:

Roli i gazetarëve është shpërndarja e informatave, ideve dhe e mendimeve dhe e drejta për të komentuar. Duke i respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë
(Kodi i Gazetarëve të Maqedonisë, Parimet e sjelljes)

Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale e as nuk do të falsifikojë dokumente.
Saktësia e informatës duhet të vërtetohet sa më shumë që është e mundur.
(Kodi i Gazetarëve të Maqedonisë, neni 1, paragrafët 2 dhe 4)

Kur e kanë parë lajmin, gazetarët kanë qenë të obliguar ta verifikojnë atë. Më së paku që kanë mundur të bëjnë, është ta gjejnë tekstin origjinal të “Independent” dhe të paktën të theksojnë se kur është publikuar. Po ashtu, është dashur ta kishin vënë re se lajmi është publikuar para dy javësh në mediet maqedonase. Por, edhe ata që e kishin publikuar lajmin atëherë, d.m.th. në kohë, nuk i rezistuan psikologjisë së turmës: PRESSING e ka publikuar lajmin në kohë, më 9 dhjetor, por përsëri dhe më 24 dhjetor. Të tjerët, si Makfaksi për shembull, e kanë publikuar atë dy herë brenda disa orëve.

Në gjithë këtë tollovi, vetëm një medie veproi më profesionalisht duke kërkuar mendim të ekspertëve për lajmin, gjegjësisht për ndikimin e skandalit mbi Maqedoninë. Por, as teksti, e as bashkëbiseduesi, nuk përmendin se bëhet fjalë për një situatë të para dy javëve.

Sidoqoftë, Maqedonia për momentin nuk përballet me asnjë kërcënim potencial, por përkundrazi, ka përfituar. Me fjalë të tjera, shërbimet sekrete maqedonase e kanë fituar të gatshme nga Shqipëria gjithë atë që vetë duhej ta zbulonin. Thjesht, nuk ka shpjegime tjetër, përveç se shërbimi shqiptar i zbulimit shënoi një autogol spektakolar, shpjegon (Vlladimir) Pivovarov (koordinator kombëtar për menaxhimin e kufirit në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë). (Burimi: “Slloboden peçat”: Pivovarov: Ne kemi vetëm dobi nga skandali me agjentët shqiptarë të zbulimit)

Autogol po, por për portalet maqedonase, sepse, përveç kodit të etikës, ata e shkelën edhe rregullin themelor të lajmit – ai duhet t’u përgjigjet pyetjeve: kush, çfarë, kur dhe ku. Në këtë rast, ky nuk është lajm, sepse është informacion i para dy javëve.

Le të përmbledhim: të udhëhequr nga psikologjia e turmës, më shumë se njëzet media (1.) kanë publikuar informacionin të vjetër, (2.) e kanë publikuar atë për herë të dytë, (3.) nuk kanë theksuar se kur ka ndodhur ngjarja për të cilën informojnë. E katërta, në këtë rast problem më i vogël, është se shumica e tyre informacionin e kanë “përpunuar” vetëm sa për t’i ikur plagjiaturës – as e kanë verifikuar e as që kanë tentuar ta zgjerojnë atë. Në fund, ne mund të nxjerrim edhe një “rregull”: sa më shumë tituj të ngjashëm për një lajm, aq më pak i besueshëm është informacioni.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button