Eco Guerilla: Qeveria anashkalon Tetovën, kërkojmë të ndërtohet qarkorja për në Jazhincë

Lëvizja për mbrojtjen e ambientit “Eco Guerilla” kërkon nga Qeveria e Maqedonisë të investojë në ndërtimin e një qarkoreje Tetovë-Jazhincë e cila sipas tyre, do të ndikojë në uljen e ndotjes së ajrit njofton Portalb.mk.

Kjo OJQ  ka reaguar për siç shprehen, jo-seriozitetin e Qeverisë, kur paraqiti planin strategjik për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, me të cilin anashkalohet Tetova, e cila me vite ka problem të madh me ajrin e ndotur.

“Segmentet rrugore me frekuencë më të madhe qarkullimi në Maqedoni janë Tetovë-Gostivar (rreth 12.000 automjete në ditë) dhe Tetovë-Shkup (rreth 11.000 automjete në ditë). Për të qarkulluar prej këtyre dy segmenteve në rrugën Tetovë-Jazhincë (që ka qarkullim rreth 8.000 automjete në ditë) duhet të hyhet brenda qytetit të Tetovës. Me këtë shkaktohet ndotje dhe kaos i trafikut. Qeveria as në planin për vitin 2019 as në planin strategjik 2019-2030 nuk ka paraparë ndërtimin e qarkores për të lidhur këto rrugë. Kërkojmë urgjentisht nga Qeveria të rishikojë planin dhe të ndërtojë qarkoren që do ndikojë dukshëm në ndotjen e ajrit në Tetovë.” kumtojnë nga Lëvizja për mbrojtjen e ambientit “Eco Guerilla”.

Ndryshe, të martën në një konferencë për media, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, së bashku me zv/kryeministrin për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, ministrin për Transport dhe Lidhje, Goran Sugareski, si dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Zoran Kitanov, thanë se me fillimin e sezonit ndërtimor do të përshpejtohet rehabilitimi ose ndërtimi i pjesës më të madhe të infrastrukturës rrugore, që kap koston prej një miliard e 270 milionë euro.

Zaev e quajti këtë si “ciklin më të madh investues në ndërtimin e infrastrukturës rrugore që do të realizohet gjatë vitit 2019.”
LEXO: Qeveria paralajmëroi më shumë se një miliardë euro investime në infrastrukturën rrugore

Nga ana tjetër, edhe pse u mbyll ndotësi më i madh i rajonit të Tetovës, fabrika “Jugohrom”, Tetova nuk hiqet nga lista e qyteteve me ajër të ndotur. Problemi qëndron në mos-pasjen e masave tjera lokale për uljen e ndotjes. Komuna e Tetovës deri më tani nuk ka prezantuar plan kundër ndotjes edhe pse kjo gjë është kërkuar me vite nga OJQ-të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button