Rrugë e re për biçikleta që do të lidhë 8 vende në Ballkanin Perëndimor (FOTO)

Trans Dinarika ofron korridor deri te qytetet, fshatrat e largëta malore dhe traditat e lashta.

Trans Dinarika, rruga e re ndërkufitare për biçikleta, aktualisht e lidh Slloveninë, Kroacinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Duke filluar nga lugina e Soçës në Slloveni, afër Italisë, shtegu shkon drejt jugut përgjatë bregut të detit Adriatik në Kroaci, para se të kthejë në lindje dhe përfundon në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnjës. Por destinacioni përfundimtar i rrugës, siç theksojnë organizatorët e rrjetit të biçikletave, është të përfshihen të tetë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në fund të bashkëngjiten Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Maqedonia, shkruan Fakulteti.mk, transmeton Portalb.mk.

Ky shteg mundëson që shumë vizitorë të udhëtojnë për herë të parë nëpër lokalitete të UNESKO-s, fshatra dhe parqe kombëtare. Rruga e thekson gamën e gjerë të peizazheve në rajon: relieve mbi det, kalime malore, liqene alpine, lumenj dhe qytete në zemër të Alpeve Dinarike (prej ku edhe rrjedh emri i këtij shtegu).

2
Foto: Matej Hartman, transdinarica.com

Ideja për Trans Dinarika u shfaq në vitin 2016, kur tre operatorë turistikë nga Sllovenia, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, janë bashkuar për të krijuar një korridor, që do të shtrihet në të gjithë Ballkanin Perëndimor, i cili është shpesh i neglizhuar nga turistët. Misioni i tyre ishte që të kombinohet biçiklizmi (me theks në biçiklizmin malor) bashkë me përvojën e ndonjë qyteti të vjetër në atë zonë. Përveç kësaj, rrjeti i trajton edhe sfidat që i sjell infrastruktura dhe qasja, duke inkurajuar njëkohësisht edhe bizneset lokale. E frymëzuar nga shtegu i këmbësorëve Via Dinarika, i cili është paralel me rrugën e biçikletave dhe mbulon 1,930 kilometra nëpër këto tetë vende, Trans Dinarika mundëson që shumë vizitorë për herë të depërtojnë nëpër lokalitete, fshatra dhe parqe kombëtare të UNESKO-s.

– Për shkak të shumë komuniteteve përmes të cilave kalon Trans Dinarika, nuk do të ndjehet si një turizëm tipik, sepse edhe nuk është i tillë. Këto janë vende reale që nuk janë mësuar me turistë, por që duan të jenë nikoqirë – thotë Edo Vriçiq nga “VMD udhëtim aventuristik”, operatori kroat i cili ndihmon për zhvillimin e këtij shtegu.

3
Foto: Matej Hartman, transdinarica.com

Jan Klavora, nga “Vizitoni vende të mira”, një agjenci për turizëm aktiv, pajtohet me këtë dhe shton se ky lloj udhëtimi është i përshtatshëm në mënyrë të përkryer për Ballkanin.

“Ne themi se çiklistët janë të ngadalshëm dhe të uritur. Dhe për shkak se ata nuk mund të mbajnë shumë gjëra, ndërsa mund të arrijnë te të gjitha vendet, ky shteg ndihmon në transformimin e strukturës dhe siguron nxitje të bizneseve në zonat e largëta, ku turistë tjerë, përveç çiklistëve, nuk vijnë”, thotë Jan Klavara.

Aktualisht shtegu është i përfunduar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, por kur të zgjerohet do të përfshijë edhe Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë.

4
Foto: Matej Hartman, transdinarica.com

“Qëllimi i Trans Dinarika është të krijojë një rrugë sfiduese dhe frymëzuese në një territor relativisht të paprekur në Evropë”, thotë Tieri Zhuber nga “Vizionet e gjelbra” në Sarajevë, operator turistik dhe partneri boshnjak i rrjetit. Sipas tij, në pjesën e Sllovenisë mbizotërojnë shtigje për çiklizëm malor, por me zhvillim të hollësishëm në Kroaci dhe Bosnje dhe Herzegovinë do të krijohen shtigje teknike dhe rrugë alternative për secilin nivel të përvojës.

Arsyeja për të cilën ky shteg do të jetë i suksesshëm është vetë Ballkani Perëndimor. Ky rajon është përplot me peizazhe të mrekullueshme dhe në plotë kuptimin e fjalës ua merr frymën dhe ju jep mundësi të uleni, hani dhe pini me popullatën lokale, e cila dëshiron të ndajë kulturën e vet – shton ai.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button