Zaev dhe Xhaferi u takuan me Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Majlinda Bregu

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, sot u takua me Majlinda Bregun, Sekretare e Përgjithshme e sapoemëruar e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (KRB), organ ekzekutiv i Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore, themeluese e së cilit dhe anëtare e plotfuqishme është edhe Republika e Maqedonisë.

“Republika e Maqedonisë i përkushton vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal, duke konsideruar se është me rëndësi jetike integrimi evropian i të gjithë rajonit dhe vazhdimisht në mënyrë aktive merr pjesë në punën e të gjitha organizimeve rajonale dhe nismave, posaçërisht KRB si krah operativ në procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJ),” theksoi Kryeministri Zaev, duke shtuar se të gjitha vendet, veçanërisht të Ballkanit Perëndimor patjetër duhet ta shfrytëzojnë mundësinë për të krijuar kushte më të mira për ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme, sipas shembullit të ekonomisë së BE-së.

Në takim u shpreh përkrahja për nevojën e lidhjes së rajonit dhe integrimit të ekonomive kombëtare në treg të vetëm, si dhe të projekteve në të cilat Republika e Maqedonisë punon në lidhjen e vendit nëpërmjet infrastrukturës energjetike, rrugore dhe hekurudhore, lidhjen e njerëzve dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta, burimeve njerëzore dhe kapitalit intelektual, si interes i përbashkët për të gjitha vendet e rajonit.

Kryeministri Zaev dhe Sekretarja e Përgjithshme Bregu e përshëndetën mënyrën se si përparojnë marrëdhëniet dypalëshe midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë, veçanërisht duke theksuar prioritet e përbashkëta të të dy vendeve, gjegjësisht lidhjen e infrastrukturës, bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik.

Bregu gjate ditës realizoi takim edhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Kryetari Xhaferi ia uroi Bregut emërimin në funksion dhe i uroi sukses në përpjekjet për përforcimin e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore. Ai theksoi se e çmon lartë rolin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, si “dorë operative” e Procesit për Bashkëpunim të Evropës Juglindore (PBEJL), duke theksuar se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është pjesëmarrës aktiv në Asamblenë Parlamentare të PBEJL dhe kryesues me Komisionin e Përgjithshëm të Drejtësisë, Punëve të Brendshme dhe Bashkëpunimit të Sigurisë.

Sekretarja e përgjithshme Majlinda Bregu, shprehu kënaqësi që vizita e saj realizohet në një moment të shkëlqyer politik për vendin dhe për rajonin. Ajo drejtoi urime për nxjerrjen e ndryshimeve kushtetuese dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke shprehur shpresë se në kohën më të shpejtë Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet edhe në parlamentin grek.

Bregu theksoi se në fokusin e aktiviteteve të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal janë lëvizshmëria, konkurrenca, ndërlidhja dhe sundimi i të drejtës në vendet e EJL. Në lidhje me këtë, ajo informoi se për momentin në Shkup është në rrjedhë rrethi i dytë i negociatave për njohjen e ndërsjellë të një pjese të diplomave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pritet të rezultojë me Marrëveshje, me të cilën do të sigurohen kushte të barabarta për pranimin e kualifikimeve profesionale dhe qarkullim të papenguar të profesionistëve nga rajoni.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi rajonal është komponenti kryesor për eurointegrimin e vendeve të EJL dhe vlerësuan se nevojiten rezultatet të dukshme në këtë plan, që është parakusht i rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

 

    

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button