fbpx

Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi thellojnë bashkëpunimin në luftimin e migrimit të parregullt

Në Zagreb është mbajtur një takim trepalësh midis ministrave të brendshëm të Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi në lidhje me veprimin e përbashkët për sa i përket migrimit përmes tërheqjes të mjeteve nga fondet evropiane, bashkëpunimit me Frontex dhe përmes shkëmbimit të informacioneve të sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Brendshme i Kroacisë, Davor Bozhinoviç, pas takimit trepalësh vlerësoi se çështja e migrimit në rrugën e Mesdheut Lindor dhe Perëndimor është intensifikuar nga fundi i vitit 2017 dhe theksoi se vendi i tij për këtë shkak si anëtare e Bashkimit Evropian (BE) ka forcuar dialogun me institucionet e BE-së mbi këtë temë.

Bozhinoviç vlerësoi se rruga e Ballkanit Perëndimor, si rruga e vetme tokësore, ka potencial të bëhet rruga më e madhe e migrimit.

“Të gjithë e vërejmë rritjen e emigrantëve të parregullt. Në Kroaci ky numër është gati 70 për qind më i lartë se në vitin 2017, Shqipëria ka regjistruar gjashtë herë më shumë emigrantë se në vitin 2017, ndërsa kolegu Nuhodxhiç ka zbuluar një numër më të lartë të emigrantëve të cilët përmes Malit të Zi përpiqen të vazhdojnë më tej”, deklaroi Bozinoviç.

Më tej, ai ka theksuar se ka pasur një ndryshim në strukturën e migrantëve, pasi duket se numri më i madh i emigrantëve janë nga vende si Afganistani, Pakistani, Irani dhe Iraku.

“Kjo sugjeron se nuk mund të përdorim vetëm terma të tillë si refugjatë dhe emigrantë, pasi këto kryesisht janë migrantë ekonomik që përpiqen të arrijnë në destinacionin kryesor, në Evropën Perëndimore nëpër vendet tona, e cila nga njëra anë është legjitime, por nga ana tjetër duke marrë parasysh politikat e Bashkimit Evropian, e cila dëshiron të ndërpres emigrimin e parregullt, përpiqet dhe angazhohet edhe më shumë në mbrojtjen e kufijve të jashtëm, diçka me të cilën duhet të merremi ne”, tha Bozhinoviç.

Ministri kroat njoftoi se vendet e rajonit në dekadat e ardhshme duhet të merren me çështjen e emigrantëve të parregullt dhe theksoi rëndësinë e dialogut të barabartë të institucioneve të BE-së me vendet e Evropës Juglindore të cilat nuk janë ende anëtarë të BE-së. Ai paralajmëroi se Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë marrë fonde konkrete evropiane për forcimin e kapaciteteve kufitare.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve midis Malit të Zi dhe Shqipërisë me Frontex-in, rojen evropiane bregdetare dhe kufitare. Siç tha ai, Kroacia ka regjistruar 619 vepra penale të trafikimit me qenie njerëzore vitin e kaluar, që paraqet një rritje prej 71 për qind krahasuar me vitin 2017.

– Lleshaj: Nëse e mbyllim kufirin tokësorë, fluksi do të drejtohet kah kufiri detar

Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sander Lleshaj, vlerësoi se 2019-ta është një vit i fillimit të bisedimeve serioze të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Përqendrimi më i rëndësishëm i migracionit të parregullt është në Shqipëri të cilën ne duam ta reduktojmë dhe kështu të ulim fluksin e tyre drejt Bashkimit Evropian. Është e qartë se korridori i Ballkanit Perendimorë është paraqitur për shkak të krizës në Siri, por tani është hapur edhe për emigrantët e tjerë nga vendet si Pakistani dhe Afganistani”, tha Lleshaj.

Lleshaj paralajmëroi se ka një lidhje midis fluksit të migracionit me trafikimin dhe krimin, të cilat duhet të trajtohen nga të dyja anët, përfundoi ai.

“E dimë se nëse e mbyllim kufirin tokësorë, fluksi do të drejtohet kah kufiri detar”, tha Lleshaj dhe shtoi se Shqipëria është e gatshme për të forcuar bashkëpunimin trepalësh.

“Me mbikëqyrjen kroate ne mund të kemi qasje më të mirë në fondet e BE-së dhe të forcojmë kapacitetet tona për të reduktuar fluksin e emigrantëve”, tha Lleshaj, duke shtuar se i rëndësishëm është forcimi i instrumenteve për shkëmbimin e informacioneve dhe përvojës, si dhe bashkëpunimi operacional i tre shteteve dhe Frontex-it.

– Nuhodxhiç: E nevojshme është forcimi i kapaciteteve të policisë kufitare

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Mevludin Nuhodxhiç, theksoi se sfidat e migracionit vazhdojnë të kenë një dimension global dhe se lufta kundër migracionit të parregullt kërkon bashkëpunimin midis vendeve në nivel operacional dhe strategjik.

“Është e nevojshme që të vazhdojë forcimi i kapaciteteve të policisë kufitare, modernizimi i pajisjeve teknike kufitare, të punojmë në rritjen e kapaciteteve të pranimit, zbatimin e marrëveshjes të riatdhesimit, si dhe forcimin e shkëmbimit të përditshëm operativ të informacioneve, të cilat janë vendimtare për luftimin e migrimit të parregullt dhe të cilat janë burimi i të gjitha formave të tjera nga ai i krimit të organizuar deri te radikalizmi ekstrem fetar”, tha Nuhodxhiç.

Ai theksoi rëndësinë e miratimit të standardeve të Shengenit, duke vlerësuar se me fondet e ndara, paraprakisht Malit të Zi, është ndihmuar për forcimin e kapaciteteve kufitare.

Nuhodxhiç tha se në Mal të Zi në vitet e fundit janë ndjekur penalisht më shumë se 70 anëtarë të rrjetit të kontrabandës dhe se së shpejti pret nënshkrimin e marrëveshjes mes Malit të Zi dhe Frontex-it.

“Jemi të gatshëm si një vend kaq i vogël të siguruojmë të gjitha burimet në dispozicion, në bashkëpunim me vendet e rajonit, por edhe me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, sa i përket këtyre çështjeve”, tha Nuhodxhiç.

Sipas tij, të tre vende, Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi, si anëtare të NATO-s ndajnë rreziqet e sigurisë dhe janë të obliguara të sinkronizojnë veprimet kur është fjala për rreziqet e sigurisë.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close