Italia, Greqia dhe Shqipëria, marrëveshja detare brenda tre muajve

Italia, Greqia dhe Shqipëria duhet të mbyllin në tre muajt e ardhshëm marrëveshjet respektive për gazsjellësin TAP, kohë brenda së cilës duhet të zgjidhet edhe çështja e mbetur pezull e marrëveshjes së ujërave mes Tiranës e Athinës.

Mediat greke theksojnë se marrëveshja për delimitimin e kufirit detar me Greqinë mund të kthehet në një pengesë serioze për avancimin e bisedimeve dypalëshe lidhur me projektin e gazsjellësit TAP.

Sipas tyre një investim i përmasave të tilla mund të kthehej në një shans të mirë që dy vendet që të përmbyllin në kohë marrëveshjen për kufirin detar dhe atë për zonën ekskluzive ekonomike në detin Jon, njofton BalkanWeb.

Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Italisë, Dimitris Avramopulos dhe Xhulio Terci u takuan javën e kaluar në Romë dhe shprehën vullnetin për nënshkrimin e marrëveshjes lidhur me gazsjellësin TAP, një projekt tejet i rëndësishëm për hartën energjetike të Ballkanit dhe Evropës.

Mediat greke raportojnë se delegacionet e tri vendeve mund të takohen në tetor në Tiranë për të diskutuar lidhur me modalitetet për nënshkrimin e një marrëveshje trepalëshe, që do t’i hapte rrugë projektit TAP dhe do të përçonte një mesazh të fortë në Azerbajxhan.

Sipas tyre mbështetja politike që Tirana, Roma dhe Athina do të tregojnë ndaj këtij projekti të madh energjetik do të jetë vendimtar për të ardhmen e tij. Brenda vitit 2013 konsorciumi që menaxhon rezervat e gazit në Sha Deniz do të vendosë përfundimisht për projektin fitues që do të sjellë gazin në Evropë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button