fbpx

Schenk: Çmimi ka rënë, grupi i Kumanovës fiton shumë më pak se ai i Velesit

Gjahtari i lajmeve të rreme i cili e zbuloi rrjetin e Kumanovës, Marten Shenk, në një intervistë me korrespondenten e MIA-s  në Bruksel, tregon se si arriti të gjejë anëtarët. Ai thotë se nuk bëhet fjalë për biznes të organizuar nga Rusia, por që rusët, në mënyrë oportuniste, i përdorin lajmet e rreme që paraqiten.

Si e zbuluat këtë rrjet?

– Kam një ueb faqe për kontroll të fakteve, Leadstories.com dhe zhvilluam softuer me të cilin bëjmë monitorimin e storjeve të cilat janë “trending (në modë)” në internet, ndërsa ky softuer i shikon edhe kodet e reklamave në të gjitha faqet. Ashtu kemi mundësi të shohim nëse disa faqe përdorin identitetin e njëjtë për reklamë, gjë që tregon se i njëjti person i menaxhon ato faqe.

Kolegu im nga faqja holandeze për kontroll të fakteve vërejti disa lajme të rreme që po pësonin spam në Twitter dhe që vinin nga llogari të cilat dukeshin si bote dhe më kërkoi që t’i kontrolloja në softuerin tim, Trendolizer. Kur i pashë, i thash se i kisha parë këto faqe edhe më herët, i njëjti trend me lajme të rreme. Dhe punuam së bashku për të zbuluar sa është i madh rrjeti dhe i kujt është. Filluam të analizojmë sistematikisht, çdo ueb faqe me të njëjtin tag të reklamimit, datën e regjistrimit dhe gjetëm edhe ueb faqe më të vjetra me kodet reklamuese që na çuan më tej e kështu u kthyem prapa në kohë. Dhe, vërejtëm se këto faqe përdornin artikuj të njëjtë në një rreth. I numëruam të gjithë titujt, për të parë se cilët ishin përdorur më shumë se një herë. Disa artikuj janë shfaqur në më shumë se 23 faqe.

Pastaj përdorëm mjete kërkimi, si Google, për të parë se në cilat faqe të tjera i kishin botuar artikujt e njëjtë; rezultoi se shumica e këtyre artikujve ishin të kopjuar dhe të vjedhur nga faqe tjera. Gjatë kësaj kohe sikuam edhe cilat faqe po pësonin spam në rrjetet sociale dhe kështu ardhëm deri në rreth 75 faqe. Pastaj filluam të përdorim një vegël të Fejsbukut që iu ofrohet gazetarëve për të përcaktuar se kush i pari e ka publikuar një linke të caktuar në ndonjë grup publik. Dhe kështu e kuptuam se një sërë njerëzish po publikonte një sërë linqesh të rinj disa javë. Dhe gjithmonë ishin njerëzit e njëjtë.

Kur i shikuam informacionin për faqet e para të regjistruara, e pamë se ata nuk ishin regjistruar në mënyrë anonime. Këtu gjetëm Viktor Kolevski dhe Sllagjan Bojkovski, me adresat e emailit dhe numrat e telefonit. Meqenëse këto ishin faqet e para, mbase nuk kanë qenë të vetëdijshëm se është dashur të regjistrohen në mënyrë anonime. Ose ka mundësi që janë regjistruar me qëllim legjitim, ndërsa më pas e kanë ndryshuan qëllimin e tyre.

Shumë prej këtyre sipërmarrësve me lajme të rreme fillojnë me faqe për bikini, motoçikleta, qen, ushqim të shëndetshëm e pastaj kalojnë në lajme të rreme.

Kështu i gjetëm këto emra, i kemi emrat e atyre që i kanë përhapur në artikujt e Fejsbukut. Pastaj filluam t’i kërkojmë në Fejsbuk dhe e pamë se shumë prej tyre ishin miq. Disa ishin, qartë, profile të rreme, siç ishte Xhoni Smith, një ushtar amerikan nga Nju Xhersi me miq vetëm në Maqedoni.

Ju thoni se ata kanë marrë përmbajtje nga faqe tjera, këto janë faqe reale kështu që, ato nuk janë pjesë e rrjetit?

– Kanë përdorur kryesisht ueb faqe të së djathtës ekstreme si yournewswire.com, herë pas here ndonjë artikull nga Breitbart, por kanë marrë edhe artikuj nga faqe satirike amerikane. Është një liberal i mirënjohur amerikan që e mbështet publikisht Hillary Klinton, por bën artikuj satirik që synon t’i thumbojë konservatorët me tituj bombastikë si “Obama më në fund në burg”, përmes të cilëve mbledh para nga reklamat. Dhe në pjesën e poshtme të artikullit shkruan se është satirë, se është plot me shaka. Por njerëzit as që i lexojnë artikujt, e shohin ndonjë titull, e shtypin butonin lajk (like) dhe e shpërndajnë. Edhe këto faqe i publikojnë këto artikuj satirikë pa specifikuar se janë satirë.

Sipas jush a bëhet fjalë për një rrjet, apo për më tepër rrjete? Dhe a mendoni se kjo është e rastit ose dikush qëndron prapa këtij rrjeti?

– Mendoj se është një rrjet. Kur e filluam hetimin, u përpoqëm të kontaktojmë disa prej njerëzve të përfshirë. Dhe menjëherë të gjitha faqet u zhdukën, përveç disa që janë shumë të vjetra dhe joaktive për muaj të tërë. Prandaj, mendojmë se njerëzit të cilët i kontaktuam qëndrojnë prapa rrjetit. Kemi vërejtur se ata njihen, se edhe familjet e tyre marrin pjesë, botojnë, shpërndajnë, se bëhet fjalë biznes familjar-miqësor, ka një ish-ushtar, një ish-polic, një shofer kamioni. Nuk  janë vetëm adoleshentët që argëtohen me këtë, por janë të rritur, me punë. Kam  mësaur edhe nga një koleg britanik, i cili ka qenë në Kosovë apo Shqipëri dhe ka intervistuar disa sipërmarrës të lajmeve të rreme. Ai më tha se kanë mbyllur grupet apo forume të Fejsbukut ku ata ndajnë praktikat, resurset etj., me të vërtetë janë specialistë të cilët mund t’i punësoni pët t’ju ndërtuar një faqe dhe lexues dhe pastaj mund ta blini faqen prej tyre dhe ta përdorni. Ka specialistë për të hapur ueb-faqe, specialistë për të hapur llogari false në Twitter, specialistë nga të cilët mund të blini një “starter pak” me artikuj që do të marrin klikime dhe e shesin atë. Mendoj se kjo ka ndodhur edhe me këtë rrjet, edhe pse këtë nuk mund ta konfirmojmë sepse njëri na e mbylli telefonin, ndërsa tjetri na kërcënoi me padi, fakti që e përdorin disa herë dhe përsëri të njëjtit artikuj, mendoj se tregon që kanë “starter pak “dhe kohë-pas-kohe kopjojnë diçka më të re.

Pra, akoma janë aktiv?

– Nuk e di nëse planifikojnë të punojnë në mënyrë aktive përsëri, një nga ato llogari ishte sërish në internet, por i ka fshirë të gjitha artikujt. Mbase ka menduar se nuk do ta gjejmë.

Prej kur ekzistojnë?

– Së paku nga viti 2016, është faqja më e vjetër që kemi gjetur.

Pra, megjithatë, korrespondon me zgjedhjet amerikane?

– Po, atëherë kishte një kulm. Kishte rrjete tjera që ishin funksionale edhe në vitin 2015 dhe ishin shumë të suksesshme. Periudha e artë ishte fillimi i vitit 2016, kur një artikull shumë lehtë bëhej viral. Diku vitin e kaluar, Fejsbuk instaloi masa kundër kësaj dhe pati ndikim, ndërsa tani ka rënie të madhe, por ende kanë sukses. Tani po barten në Twitter, por atje u bëjnë spam. Nuk mendoj se e kanë të njëjtin sukses si më parë. Plus, duhet të regjistrojnë gjithnjë e më shumë faqe, e më herët regjistronin nga një muaj në muaj, e kah fundi nga pesë deri gjashtë në muaj.

Çfarë mendoni për adoleshentët nga Velesi?

– Mendoj se është industri lokale, të gjithë kanë mësuar nga njëri-tjetri, do të tregoj se çfarë po bëj, etj. Nga ajo periudhë kishte një storje se ka pasur një njeri i cili i ka mësuar se si bëhet kjo punë, harrova si quhej. I pyeta këta të rrjetit nëse e njhnin, por nuk u përgjigjën. Vetëm kontrolluam se a janë miq në Fejsbuk.

Sipas jush, a qëndron Rusia prapa tyre siç po flitet?

– Nuk besoj. Ajo që e bëjnë rusët është fushatë e amplifikimit. Përdorin llogari të rreme Twitter ose profile të rreme në FB. Ka ndodhur të përdorin skrinshote të këtyre faqeve ose të titujve. Por, nuk mendoj se punojnë për rusët, para së gjithash duan të fitojnë para, ndërsa rusët kur e shohin se një artikull është viral ndihmojë ai të përhapet. Në mënyrë oportuniste. Nuk është se rusët i krijojnë storjet ose që i orientojnë në një drejtim të caktuar, por kërkojnë të mbjellin ndasi. Nxisin dy palë kundërshtare dhe pastaj organizojnë protesta dhe ngjashëm. Rusët kanë publikuar artikuj edhe në favor të Hilari Klinton. Njerëzit mendojnë se rusët i kanë ndihmuar vetëm Trampit, por kjo nuk është e saktë, ata vetëm donin të shkaktojnë ndasi.

Sa para fitojnë në rrjetin e Kumanovës me këtë biznes?

– Nuk e dimë dhe Google refuzoi të tregoj. Sipas mikut që ka punuar në Kosovë, në kohët e mira, 2015, 2016 janë fituar deri në pesëqind euro në ditë. Tani 50, 100 në ditë ….

Pse kanë rënë çmimet?

– Sepse është më e vështirë ndonjë storje të bëhet virale, nuk depërtojnë te aq shumë njerëz dhe nuk fitojnë për shkak të masave të Fejsbukut, filtrave, masave të kontrollit të fakteve, etj. Por në Maqedoni, nëse e kam kuptuar mirë edhe kjo është një shumë e mirë në nivel dite.

Keni folur me njërin prej tyre me telefon, çfarë u tha?

– Tha se tashmë nuk është në ARM, se nga kjo fiton para anash dhe se kishte pasur ueb faqe më herët dhe se ai nuk di asgjë për këtë, mohonte.

A është kjo ajo që bëjnë ata e paligjshme?

– E pra, shkelja masive e të drejtës së autorit është e paligjshme. Natyrisht, në shumicën e vendeve perëndimore, nuk është e paligjshme të shkruash se mendon që myslimanët janë të atillë apo të këtillë. Është liria e shprehjes, por disa nga këto nene janë në kundërshtim të qartë me rregullat e Fejsbukut, sepse nxisin urrejtje. Gjithashtu është në kundërshtim me rregullat e reklamuesit, Google Adsense nuk lejon fjalë të urrejtjes në faqe. Edhe kopjimi i artikujve nga faqe tjera është një shkelje e të drejtës së autorit, jam i habitur që nuk ka më shumë padi kundër tyre. Mbase për shkak se është vështirë të kapen. Kur i hapin nga gjashtë faqe të reja, derisa autoritetet ta gjejnë njërin, ata kanë kaluar në ndonjë tjetër. Prandaj softueri është i mirë, sepse na lejon të zbulojmë cili kod AdSense përdoret për reklamat dhe shenjat e tjera të gishtave siç i quajmë. Programi na paralajmëron çdo herë kur ka ndonjë ueb faqe re, me të njëjtat gjurmë gishtash, kështu që sa herë që hapin faqe të re, unl menjëherë e mësoja. Dhe ky është një mjet që kontrollon më shumë faktet dhe të ngjashmet por që autoritetet nuk e kanë.

Këtë softuer e keni shpikur ju?

Po, unë e kam ndërtuar dhe e kam programuar Trendolizer; Po.

A po planifikoni ta shisni atë?

– Po, tashmë jemi duke ia shitur mediave dhe organizatave për kontroll të fakteve. Përdoret për të monitoruar zgjedhjet në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani. Edhe tani në zgjedhjet evropiane do të përdoret për kontroll të disa fakteve.

Sa është përmasa e rrjetit maqedonas?

– Atë e udhëheqin vetëm disa njerëz, ndërsa disa dhjetra të tjerë i shpërndajnë (artikujt), plus disa profile të rreme. Nuk nevojiten shumë njerëz, kur thjesht kopjoni e nuk shkruani artikuj të vërtetë, nuk keni nevojë për shumë persona, thjesht ctrl+c/ctrl+v.

A mendoni se ka ende të ardhme në këtë biznes tani me të gjitha këto kontrolle të fakteve, masa, njerëz si ju me softuere?

– Gjithmonë do të ketë njerëz që do të përpiqen, por do të jetë gjithnjë e më vështirë. Disa vite më parë, njerëzit thoshin se spamet do të vrasin internetin, pastaj u shfaqën filtrat, por unë ende pranoj spame kohë-pas-kohe. Kjo nuk do të thotë që duhet të ndalojmë luftën kundër saj, ata gjithmonë do të gjejnë ndonjë zgjidhje, ndërsa ne përsëri do të gjejmë kundërmasa, gjithmonë do të ketë garë. Mundemi t’i dobësojmë seriozisht … Gjithmonë u them njerëzve të FB që të prezantojnë një buton i cili do t’ju paralajmërojë para se të bëni like ose të shpërndani ndonjë lajm të rremë se bëhet fjalë për artikull të paverifikuar dhe të pyet nëse jeni i sigurt që dëshironi të bëni lajk? Mendoj se do të reduktohet për 50%.

LEXO: Një belg ka zbuluar rrjet maqedonas të krijuesve të lajmeve të rreme

LEXO: Kreatori i lajmeve të rrejshme nga Kumanova është i punësuar si ushtar profesionist, konfirmoi ARM

LEXO: Filloi hetimi, mund të ketë procedurë disiplinore kundër ushtarit – kreator të lajmeve të rrejshme

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button