Xhaferi u takua me Erjavec: Sllovenia mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot realizoi takim me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Sllovenisë, Karl Erjavec, i cili qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Kryetari Xhaferi falënderoi për mbështetjen që Republika e Sllovenisë e jep për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO dhe BE. Vizita e tij në këtë moment kyç për Republikën e Maqedonisë, kur Ambasada e Republikës së Sllovenisë bëhet pika kontaktuese për NATO, është edhe një vërtetim i miqësisë që kultivohet ndërmjet dy shteteve me dekada, theksoi kryetari Xhaferi. Ai e informoi bashkëbiseduesin për procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe për proceset reformuese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në kontekst të procesit për aderim në NATO dhe shprehu shpresë se më së voni deri në fillim të vitit të ardhshëm, vendi edhe zyrtarisht do të jetë vendi anëtar i tridhjetë i NATO-s.

Ministri Erjavec shprehu bindjen e vet për anëtarësimin e shpejtë të Republikës së Maqedonisë në NATO, që gjithsesi do të kontribuojë për stabilitetin në aspekt të sigurisë të shtetit, por edhe për stabilitetin në kuptim ekonomik, me ç’rast do të mundësohen perspektiva më të mëdha për të rinjtë. Ballkani akoma nuk është stabil, theksoi ministri Erjavec, ndërsa anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë do të jetë sinjal pozitiv në këtë drejtim, edhe pse pjesa më e vështirë e punës vjen pas anëtarësimit në NATO, kur do të nevojitet të ndërmerren reforma më të mëdha dhe të sigurohet përqindje përkatëse nga buxheti për mbrojtjen, për çka, tha ai, Republika e Sllovenisë qëndron në dispozicion ti ofrojë të gjitha resurset dhe ekspertizat e veta.

Bashkëbiseduesit ishin të njëzëri se marrëdhëniet bilaterale të shkëlqyera, pa çështje të hapura, duhet të përforcohen në procesin e harmonizimit me legjislacionin e BE-së, si edhe në fushën e ekonomisë, ambientit jetësor dhe fushave tjera me interes të ndërsjellë, sipas parimit të leksioneve të mësuara dhe praktikave të mira në procesin e aderimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button