DEPUTETËT PLAGJIATORË

E shikojmë televizionin disa miq, përkatësisht një emision i cili i zbulon plagjiatet e doktoratave të deputetëve të Shqipërisë, me një fjalë e shikojmë emisionin në të cilin me emër e mbiemër nxirren në shesh vjedhjet e pronës së huaj intelektuale pikërisht nga ata që duhet t’i forcojnë ligjet për këto shkelje. Dhe, flasim, me këtë rast polemizojmë me deputetët për logjikën, për rregullat, për respektimin e ligjeve e në këtë kontekst edhe për funksionimin e shtetit. Në jetë duhet të na prijnë rregullat, ligjet, faktet e argumentet dhe logjika, përgjegjësia… themi ne. Këto duhet të jenë shtyllat për funksionimin e një shteti, që do të thotë për jetën më të mirë. Duhet! shtojmë. Për këtë flasim e temë qendrore i kemi deputetët  “me grada shkencore, mr. dr. prof. i atillë e i këtillë ” deri sa na ngulçon neveria kur fryhet shumë turpi për plagjiatet. Pastaj themi duhet të bëhet diçka, duhet të ndërmerret diçka që kësaj dukurie t’i shkulen rrënjët. Dhe, ndalemi te fjala – duhet. Duhet!… Kjo fjalë, siç e shpjegon Fjalori, përdoret si folje gjysmëndihmëse me vlerë modale përpara foljeve me lidhure a përpara pjesores me kuptimin “ka shumë mundësi, ka shumë të ngjarë, mundet”. Kjo fjalë, pra, përmban në vete mundësinë e dytë e cila thotë – se mundet, por nuk është e thënë të bëhet. Nuk është e domosdoshme të bëhet një gjë, po s’na e ka qejfi. Gjuhët sllave i kanë dy fjalë për këto kuptime: treba, që domethënë duhet dhe mora, që domethënë do të bëhet medoemos, do të bëhet se ç’ke me të, do të bëhet deshe a s’deshe ti… Njerëzit tonë, më shumë ia mbajnë anën kësaj domethënies sonë të dytë, që është se duhet, ama nuk je i detyruar ta bësh një punë që punë, ani se është detyrë jotja. Duhet, po edhe se nuk e bën s’ka gjë, s’ka dert.

Po ne t’u kthehemi deputetëve dhe plagjiaturave të tyre. Te merremi pak me këta fodullë. Me plagjiaturat e doktoratave. Janë  punë e rëndë këto. Është problem i madh. Vjedhje. Krim. Këtë e di gjithkush. Do të duhej ta dinin edhe deputetët. Ndërkaq deputetët që kanë bërë këtë rezillëk shiten si përfaqësues të ndershëm të deleguar nga populli që u ka dhënë besimin e plotë për përfaqësimin e zonës nga e cila vijnë në Kuvend, njerëz që kërkojnë ndryshime, si njerëz që do ta venë në binarë të së drejtës vendin, si njerëz të arsyeshëm që e mbrojnë popullin prej shkeljeve të drejtësisë, që i mbrojnë interesat e zonës së tyre, interesat e tërë popullit. Kështu komentojmë e pastaj shpërthejnë emocionet. Dikush thotë: “O zot, ku na qenka mbrojtja e popullit kur ti deputet ‘doktoron’ në fakultete fantome, fakultete joserioze dhe pas doktoratës së marrë a të blerë, ndoshta, e ngre pazarin tënd me rritje rroge, të cilën nuk e meriton dhe me mundësi për t’u pasuruar në hesap të popullit përmes manipulimeve dhe marifeteve të tjera. Me çfarë fytyre del para foltores së parlamentit ose në debate ti e djersohesh duke folur për zhvillimin ekonomik që na pret, për përmirësimin e cilësisë së arsimit, bie fjala. Ku është mbulesa jote, zotëri deputet, kur del të flasësh me studentët e mundohesh t’i udhëzosh ata që të të bëhen të ndershëm ngase duhet ta marrin mbi vete të ardhmen e vendit? Ku e merr guximin t’i shesësh mend popullit për rëndësinë e arsimit? Kështu si e ke marrë ti doktoratën dëshiron që studentët të të kenë model ty”?  “Jo kështu, shoku deputet”! ndërhyn tjetri në komente: “Me titull të këtillë “shkencor e arsimor” ti asnjëherë nuk e ke ngritur problemin e zbrazjes së vendit nga pjesa më e mirë e popullit. Sepse ty dhe njerëzve si ti u pengojnë ata që kanë mbaruar fakultete me djersë e mund qoftë në vend, qoftë jashtë vendit. Ty të pengojnë ata që i dinë punët. Rë aftit ty do të prishin rehatinë. Ty të duhet rehatia. Që të mund të bësh çfarë të duash në çifllëqet tuaqë t’i ka sjellë kolltuku.  Dhe, në këtë rehati të na japësh lajme se ke zënë  kontrabandistë të imët, për t’i fshehur rezillëqet e mëdha. Ti i ke lënë intelektualët në fund të pusit. Ti që arsimin, atë luftën më të ndritshme të njerëzimit, e ke ulur në shkallën më të ulët shoqërore. Natyrisht je përbaltur edhe vet, por na ke përbuzur edhe neve”. I treti shton: “Nuk ke lejuar këmbim studentësh midis Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe arbëreshve. Nuk lejon edhe këmbim profesorësh. Ti na përfaqëson mjerueshëm këtu dhe jashtë, me njollën e plagjiaturës, se e di që për këso punësh të papastra të gjithë duhet të japin dorëheqje dhe të përballen me ligjin. Ashtu siç ndodh në Evropë.. E di se nuk turpërohesh, por do të të arrijë prushi i përgjegjësisë ngase ne turpërohemi për këtë derexhe të arsimit, ne shqiptarët e vuajmë për gjithë ato universitete që s’janë universitete, turpërohemi për vjedhjen e pushtetit që ke bërë dhe fuqisë që ke grumbulluar, turpërohemi pse ke vjedhur pronën e huaj intelektuale”. Pason komenti vijues: “Çudi është pse nuk tërhiqesh. A nuk e ke ditur vallë se për t’u bërë deputet nuk duhen tituj shkencorë. Mund të vijë edhe një zejtar në vendin tënd dhe ta bëjë punën në mënyrë më të ndershme. Ndoshta nuk e di se Ramë Bllaca ka qenë deputet në Kralevinën jugosllave dhe ndonëse i pashkollë ai ka mbetur emër i nderuar në histori, ka mbetur hero, për shkak se e ka bërë punën me nder e me faqe të bardhë, duke e dhënë edhe jetën për parimet e veta dhe për interesat e popullit shqiptar. Një hero që nuk e patëm ndër deputetët shqiptarë në kohët pas rënies së komunizmit”. “A e dinë vallë këta deputetë”, komenton tjetri,  “se krimet dhe rezillëqet tjera që i bëjnë, janë goditje e rëndë për të gjitha nënat që i kanë kaluar vitet me të mira të tyre nëpër internime, janë goditje për ata fëmijë të dikurshëm të internimeve e sot ndoshta me shkolla të kryera me sukses, janë fyerje për gjithë ata burra e gra që kanë kaluar me dhjetra vjet për të mbrojtur një Shqipëri të ndershme, për një Shqipëri që e ruan pasurinë shtetërore për qytetarët e vet, për një Shqipëri që kujdeset për gjuhën shqipe dhe për traditat shqiptare për të gjithë Shqiptarët me të cilët kufizohet Shqipëria e sotme dhe për arbëreshët, arbërorët dhe shqiptarët e shumtë në Turqi, janë fyerje për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë e cila na mbajti të ndarë duke krijuar iluzione për ‘Shqipërinë me lule” jashtë dhe iluzione për “vendet e mjerimit” jashtë kufijve të Shqipërisë”.

Pasojnë ditët tjera. Heshtje. Kemi pritur të ndodhë diçka. Së paku ndonjëri nga deputetët të kërkojë falje para të gjithë shqiptarëve ose ta komentojë “të vërtetën për doktoratën e vet. Ditët tjera sollën vetëm qetësi të mundimshme dhe buzëqeshjet e njohura para ekranit televiziv të deputetëve pagjiatorë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button