Kosovë, filloi zyrtarisht procesi i transformimit të FSK-së në ushtri

Ministria e Mbrojtjes është mbishkrimi që e zëvendësoi emrin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, me çka edhe zyrtarisht nisi procesi i zbatimit të ligjeve për transforimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me kapacitete ushtarake.

Ceremonia e fillimit të këtij transformimi u organizua në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, ku morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, transmeton REL.

“Sot është një ditë e veçantë për Ministrinë tonë, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që nga sot do të ndryshojë emërtimi i Ministrisë në Ministri të Mbrojtjes”, tha ministri Berisha.

“Zyrtarisht, nga sot është dita e parë kur fillon procesi i tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”, theksoi ai.

Ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë janë miratuar në Kuvendin e Kosovës më 14 dhjetor.

Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.

FSK-ja aktualisht numëron 2,500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Ky numër, pas ndërrimit të mandatit, do të dyfishohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button