Oferta e Qeverisë së Kosovës pa efekt, greva në arsim nuk ndërpritet

Greva e përgjithshme në sektorin e arsimit në Kosovë, ka hyrë në javën e dytë, pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka refuzuar ofertën e Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, për rritje pagash për mësimdhënësit në katër nivele të arsimit.

Kjo sindikatë e ka quajtur minimale, jogjithëpërfshirëse dhe të papranueshme ofertën e Qeverisë, transmeton REL.

I pari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se oferta e Qeverisë nuk përbën rritje të koeficientit as 10 për qind, duke përsëritur se kërkesa minimale e Këshillit Grevist është rritja e koeficientit të pagës për 30 përqind, për të gjithë të punësuarit në arsim, në sektorin publik.

Sipas tij, oferta e Qeverisë, pos që është minimale, nuk përfshinë një pjesë të madhe të të punësuarve në çerdhe, universitete dhe punëtorët-ndihmës teknik.

“Ne jemi unik dhe kemi vendosur se kjo kërkesë vlen për të gjithë dhe nuk do të lejojmë të ketë përjashtime. Edhe nëse realizohet kërkesa jonë për (rritje të koeficientit) 30 për qind, do të insistojmë që kjo të vlejë për të gjithë nga çerdhet, punëtorët tekniko-ndihmës dhe të gjithë të punësuarit tjerë në sektorin e arsimit, deri tek rektori”, ka thënë Jasharaj.

Pasi ka konfirmuar se greva po vazhdon në të gjitha komunat, Jasharaj u ka bërë thirrje institucioneve që të mos u bëjnë presion mësimdhënësve, por të bashkohen dhe shfrytëzojnë energjitë për t’ua realizuar kërkesat, siç ka thënë ai, legjitime, punëtorëve në sektorin e arsimit.

“Informatat tona nga terreni flasin se i tërë sistemi arsimor, në të gjitha komunat dhe në universitete, gjendja mbetet e njëjtë, pra të gjithë janë në grevë dhe kështu do të vazhdojë, ky unitet”.

“Unë do t’i këshilloja institucionet që të mos provojnë që çështjen ta zgjedhin me presione, cilado qofshin, ngase kjo është e pamundur. Shumë më mirë është që të gjitha energjitë edhe prindërit, edhe subjektet politike, edhe Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës, sepse kjo është e mundshme, t’i realizojmë kërkesat legjitime të punëtorëve të sektorit të arsimit,” ka theksuar tutje ai.

Pa dhënë shumë detaje, kryesindikalisti Jasharaj, ka thënë se pasditen e së hënës, Këshilli Grevist do të mbajë një takim konsultativ dhe do të shqyrtojë mundësitë për veprime të tjera sindikale karshi grevës.

“Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, bashkë me kryetarët e niveleve komunale dhe universiteteve do të kemi një takim konsultativ, për të bërë një analizë të rrjedhës së deritanishme të grevës dhe mbase për të marrë ndonjë vendim edhe për veprime të tjera sindikale, karshi grevës së përgjithshme,” ka shtuar Jasharaj.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të dielën mbrëma prezantoi ofertën e Qeverisë për mësimdhënësit, përsëri ka bërë thirrje për ndërprerje të grevës dhe rinisje të procesit mësimor.

Haradinaj ka theksuar se oferta e dhënë është krejt ajo çfarë mund të bëjë aktualisht qeveria.

“Kemi marrë veprimin më të madh të mundshëm që ka mundur të merret në këto rrethana. Tash ka mbetur që të reflektojnë dhe ta kuptojnë drejt se nuk jemi duke bërë pazar me ta [Sindikatën]. Në kemi bërë atë që ka qenë e mundur”, është shprehur Haradinaj.

Ndërkaq, përmes një shkrimi në në rrjetin social, Facebook, Haradinaj, ofertës i është referuar si vendim i Qeverisë për rritje të pagave për punëtorët e sektorit të arsimit.

Sipas tij, përkundër që vendimi sfidon seriozisht kapacitetet buxhetore të Qeverisë, ai është marrë për shkak të rëndësisë së arsimit dhe përkrahjes së gjerë.

“Është e padrejtë dhe joetike që pas këtij vendimi të mohohet e drejta e fëmijëve tanë për shkollim e aq më pak të ankohet ndonjë punëtor arsimi për pagë të ultë. Nuk është kohë pazaresh, por është koha që të fokusohemi në ngritje të cilësisë në arsim. Rritja e pagës është dinjitoze dhe pritjet racionale janë që edhe reflektimi të jetë dinjitoz. Mos i dënoni fëmijët tanë. Të nderuar punëtorë të arsimit – keni pagë të respektuar!”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

Pas këtyre zhvillimeve, ndërprerjen e grevës e ka kërkuar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Pasi e ka quajtur reflektim pozitiv, këtë vendim të Qeverisë, kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshitaj, ka kërkuar mirëkuptim dhe kompromis edhe nga mësimdhënësit.

“Kompromisi që është dhënë nga Qeveria e Kosovës, siç e ka buxhetin, është çfarë është. Ne konsiderojmë që është e mjaftueshme dhe duhet që patjetër që mësimdhënësit të dalin, të fillojnë procesin mësimor, pasi për çdo ditë e më tepër nxënësit po dëmtohet më mungesë të mësimit dhe kjo kohë që shkon nuk ka mundësi të zëvendësohet,” është shprehur ai.

Oferta e Qeverisë parasheh rritje të pagës për mbi 20 mijë të punësuar në sektorin e arsimit. Sipas ofertës së propozuar, mësimdhënësit në shkollat e mesme do të fitonin 74 euro më shumë çdo muaj; mësimdhënësit në arsimin fillorë nga 46 euro më shumë, ndërsa ata në arsimin parashkollor dhe shkollat speciale nga 49 euro më shumë çdo muaj.

Greva e përgjithshme në sistemin e arsimit në Kosovë ka nisur më 14 janar dhe kërkesë e punëtorëve të këtij sektori është rritja e koeficientit të pagës për 30 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button