Departamenti ekologjik i ASH-së: Kërkojmë nga Qeveria që të merret seriozisht me mbrojtjen e ndotjes së ajrit

Lidhur me  mbrojtjen e ambientit mjedisor janë përpiluar planprograme arsimore, duke filluar që nga shkollat fillore e deri te ato të mesme. Edhe pse këto planprograme ekzistojnë, ato mbetën vetëm në letër, pa asnjë aktivitet real praktik. Në Republikën e Maqedonisë ekzistojnë edhe një numër i madh i ekspertëve, doktorë shkencash, magjistra  dhe specialistësh mbi mbrojtjen e ambientit, por çuditërisht  reagimi i tyre është i zbehtë ose nuk shfaqet fare, si rezultat i ndikimit politik. Mbetet shqetësues mos reagimi i ekspertëve, edhe pse vet atyre u zihet fryma  nga ajri i ndotur, sidomos në qytetin e Shkupit dhe Tetovës, kështu reagojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Në vijim e keni reagimin e plotë nga Aleanca për Shqiptarët:

Qeveria aktuale vendosi që sot të bëjë transportin falas publik në qytetin e Shkupit, si masë parandaluese për ndotjen e ajrit, që do të vlejë vetëm për qytetin e Shkupit  dhe jo për atë të Tetovës, Gostivarit dhe qyteteve tjera.

Propozimi për mbrojtje të ambientit në nivel të Maqedonisë me një projekt fotovoltaik , me panele diellore prej 10 MW,  që do të mundësonte punësimin e  njëmijë punëtorëve, është sa ironik, aq edhe qesharak, aq me tepër  është naive dhe dëshpëruese se kush qenkan ata që na qeverisin edhe  menaxhojnë me Ministrinë e Ekologjisë dhe Planifikimit hapësinor.

Departamenti i Ekologjisë dhe Planifikimit hapësinor i Aleancës për Shqiptarët reagon ashpër ndaj këtij veprimi qesharak të Qeverisë dhe Kryetarit të qytetit të Shkupit.

Ua bëjmë me dije se ndotja e ajrit nuk është si pasojë e makinave motorike të cilat janë të njëjta në qarkullim gjatë tërë vitit, por si pasojë  e lëndëve djegëse me fuqi të ulët kalorifike, nga djegia e gomave, vajit të papërdorshëm motorik, materialeve kompozite si dhe plastmasave të ndryshme të cilat rrisin PM grimcat dhe gazin CO2. Dioksinat në ajër të cilat lirohen nga kjo djegie janë kancerogjene dhe të patretshme në ajër.

Me keqpërdorimin e planit urbanistik , për interesat e politikanëve, në Shkup, Tetovë dhe shumë qytete tjera, janë shkelur të gjitha rregullat e ndërtimit, dhe si pasojë  e mosqarkullimit të lirë të rrymave të ajrit në qytet, ndotja rritet gjithmonë e më tepër.

Mashtrimi i radhës është projekti në Osllomej që do të instalonte panele diellore fotovoltaike me kapacitet prej 10 megavatesh, pra 10MW, projekt i cili do të punësuaka 1000 punëtorë.

Kapaciteti prej 10 MW i paneleve diellore mundëson furnizimin vetëm të 3000 shtëpive normale me energji elektrike gjatë ditës me diell, ndërsa punësimi i 1000 punëtoreve do të kishte detyrën e pastrimit  të mjegullës. Këto panele nuk ndikojnë dukshëm në mbrojtjen e ambientit dhe janë  kapacitet i vogël për kërkesat e rajonit, për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër. Këto dalin shpejt nga përdorimi dhe si mbeturina ndikojnë në ndotjen e ambientin jetësor.

Kërkojmë nga Qeveria që të merret seriozisht me mbrojtjen e ndotjes së ajrit dhe ambientit hapësinor sepse është përgjegjëse për rritjen e vdekshmërisë nga kanceret e ndryshme. E tërë kjo vjen si pasojë e ndotjes së ajrit, ujit, tokës dhe e keqmenaxhimit  nga Ministria e Ekologjisë dhe Planifikimit hapësinor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button