Analizë: “Baballarët e kombit” – të gjithë të kontestuar dhe partiakisht “të kontaminuar”!

Disa arritën t’i përfundojnë edhe nga dy mandate, e disa e udhëhoqën shtetin vetëm në një mandat pesëvjeçar, kurse kryetari Boris Trajkovski, e filloi, por për shkak të rrethanave tragjike, nuk e përfundoi udhëheqjen e shtetit. Nga zgjedhjet e para presidenciale në vend deri më tani, në krye të shtetit qëndruan katër veta. Disa prej tyre u kandiduan si “të pavarur”, dy prej tyre u mbështetën nga VMRO-DPMNE-ja, ndërsa njëri nga LSDM-ja.  Në garën për funksionin e kryetarit të shtetit, nga pavarësia deri tani ka pasur rreth 20 kandidatë. Shtatë prej tyre kanë qenë nga radhët e bllokut politik shqiptar. Cilët burrështetas e udhëhoqën Maqedoninë dhe në çfarë mënyre, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Gjorgje Ivanov 

Edhe tre muaj e ndajnë kryetarin Gjorgje Ivanov nga përshëndetja me funksionin e tij. Në shkurt pritet të shpallen ndërsa në prill të mbahen zgjedhjet presidenciale, në të cilat kryetari aktual nuk ka të drejtë të kandidojë për shkak të dy mandateve të njëpasnjëshme. Ivanovi hyri në politikë si njeri i shkencës, fillimisht u promovua si kandidat i pavarur, e më vonë si kandidat partiak i VMRO-DPMNE-së. Pas shpërbërjes së koalicionit qeveritar midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, Ivanovi nga partitë e bllokut shqiptar u shpall si president i zgjedhur në mënyrë të paligjshme. Pas ditëve relativisht të qeta presidenciale në mandatin e parë, i dyti ishte në shenjën e “stuhisë” së madhe politike.

Pas krijimit të Prokurorisë Speciale Publike, Ivanov i morri vendimet e para që e tërhoqën vëmendjen e publikut. Ai është kryetari i tretë i vendit që e përdori abolimin – duke e nënshkruar faljen e personave, funksionarë të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së. Një vendim tjetër i Ivanovit do të ndikojë në rrjedhën e ngjarjeve politike në vend – në vitin 2017 ai vendosi të mos ia japë mandatin liderit të LSDM- së, Zoran Zaev, i cili i dërgoi 67 nënshkrime për shumicën parlamentare.

Në fund të karrierës së tij presidenciale, Ivanovi disa herë iu drejtua qytetarëve me qëndrimin se Marrëveshja e Prespës është e dëmshme për interesat shtetërore dhe se asnjëherë nuk do ta mbështesë atë. Ivanovi kurrë nuk e nënshkroi as Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Nuk është ndonjë risi që sundimi i ligjit dhe ndarja e pushtetit nuk funksionojnë mirë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, ajo që ndodh tani në Maqedoni nuk ka ndodhur në rajon që nga rrënimi i presidentit të dhunshëm serb, Sllobodan Millosheviq në vitin 2000”, shkroi gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke dhënë një pasqyrë të situatës politike në vend dhe të veprimeve të kryetarit të shtetit, Ivanov.

Branko Cërvenkovski

Paraardhësi i Ivanovit, kandidati nga radhët e LSDM-së, ishte Branko Cërvenkovski, apo siç e quajti opozita e atëhershme “Personi B.C.”. Cërvenkovski i dha lamtumirën postit të kryeministrit, por jo edhe karrierës së tij politike, kur në maj të vitit 2004 u bë “baba” i kombit. Opozita e atëhershme akuzoi se Cërvenkovski është zgjedhur pa u arritur numri i nevojshëm i votuesve në zgjedhjet presidenciale, transmeton Portalb.mk.

Cërvenkovski e përfundoi gjithë mandatin pesëvjeçar presidencial në të cilin Republika e Maqedonisë u bë vend-kandidat për pranim në Bashkimin Evropian. Por, pikërisht në mandatin e Cërvenkovskit shpërtheu afera e parë e përgjimit “veshi i madh”, e cila kurrë nuk morri epilog me marrjen e përgjegjësisë. Me ndryshimin e pushtetit në vitin 2006, u sprovua bashkëjetesa midis kryetarit të shtetit dhe qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Cërvenkovski do të kritikohet ashpër si sabotues i ligjeve, duke refuzuar t’i nënshkruajë ato me qëndrimin se ato “prodhohen në mënyrë serike në Kuvend”. VMRO-DPMNE-ja nuk ia harroi kurrë abolimin e Zoran Zaevit, në atë kohë kryetar i komunës së Strumicës, i dyshuar në rastin “Global”.

Boris Trajkovski

Në opinion u bë i njohur me një deklaratë.

“Dërgoni një aeroplan dhe merrni” – tha në vitin 1998 zëvendësministri i jashtëm i atëhershëm, Boris Trajkovski, duke iu drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, e cila kishte pritje shumë të mëdha nga Maqedonia, si vend që strehoi qindra mijëra refugjatë nga Kosova.

Gazetarët e quajtën atë “Njeri – deklaratë”.

Në fund të vitit 1999, si kandidat i qeverisë së atëhershme të qendrës së djathtë të Ljubço Georgievskit, ai u bë kryetari i dytë i Maqedonisë që nga pavarësia.

Edhe zgjedhja e këtij kryetari të shtetit u shoqërua me polemika.  Sipas numrit të votave, Trajkovski në rrethin e parë zgjedhor ishte shumë prapa Tito Petkovskit, i cili ishte i pari. Por, në rrethin e dytë, ndodhi një kthesë dhe Trajkovski shpalli fitoren. Analistët dhe kundërshtarët partiakë do të thonë se fitorja ishte “fitore e Pirros”, e mundësuar me anë të votave të shqiptarëve.

Nga njeri i popullit, ai u bë “qytetari Boris Trajkovski”, por pas zbardhjes së aferës “veshi i madh” gjërat ndryshuan, dhe kreu i atëhershëm i shtetit, Trajkovski, në njëfarë mënyre vendosi bashkëpunim me LSDM-në.

Në mandatin e tij të filluar, por të papërfunduar, Trajkovski ishte i pari që e përdori abolimin. Në vitin 2003, ai bëri një veprim të rëndësishëm politik – nënshkroi lirim nga ndjekja penale në aferën “veshi i madh” për ministren e atëhershme të brendshme, Dosta Dimovska dhe kryeshefin e atëhershëm të Drejtorisë së pestë të MPB-së.

Boris Trajkovski e udhëhoqi vendin në njërën nga periudhat më të vështira për vendin – gjatë konfliktit ushtarak të vitit 2001, i cili  përfundoi me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit në gusht të vitit 2001.  Gjatë mandatit të tij, Trajkovski u përpoq ta hapë Maqedoninë drejt vendeve të tjera dhe ta paraqesë atë në dritën e një mikpritësi të mirë, dhe për këtë arsye shpeshherë quhej edhe “Njeri i Perëndimit”.  Mëngjesin fatkeq, më 26 shkurt të vitit 2004, Boris Trajkovski, e humbi jetën në një fatkeqësi avioni, në afërsi të Mostarit. Rrëzimi i “Kinger”-it të qeverisë, edhe përkundër një sërë hetimesh, gjetjesh dhe njohurish, për një pjesë të publikut akoma është një mister.

Kiro Gligorov

Pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Maqedonisë e fitoi kryetarin e saj të parë, Kiro Gligorovin, i cili e mori funksionin më 18 shtator të vitit 1991, në moshën 74 vjeçare. Duke e marrë përsipër në moshë të shtyrë, Gligorovi u bë një nga presidentët “më të vjetër” në botë. Ai e udhëhoqi Maqedoninë për katër vjet dhe pas zgjedhjeve presidenciale në vitin 1995, e fitoi mandatin e ri, të dytin me radhë. Në të dyja rastet ai u emërua si kandidat i pavarur, por VMRO-DPMNE-ja e atëhershme e kontestoi legjitimitetin e Gligorovit, me arsyetimin se mbështetja e madhe gjatë votimit ishte “falsifikim zgjedhor”, përcjellë Portalb.mk.

Gligorovi mbetet i regjistruar në histori si kryetar që ka lënë vulë si një nga protagonistët më të rëndësishëm të pavarësisë së Maqedonisë.  Gjatë mandatit të tij, u hap çështja e emrit me Greqinë – problem që do të paraqesë hyrje në turbullirat e mëtejshme politike me dekada dhe pasojat për zhvillimin e Maqedonisë.  Në mandatin e tij të dyfishtë presidencial, ai u përball ndoshta me vitet më të vështira në historinë e afërt të vendit: embargo, bllokada, jostabilitet në rajon, tensione të brendshme etnike, përparim i Maqedonisë në skenën ndërkombëtare, pranimi i vendit dhe lobimet. Partia atëherë e fortë shqiptare, PDSH, haptazi e akuzonte Gligorovin se i injoron të drejtat dhe kërkesat e shqiptarëve në vend. Pas miratimit të Kushtetutës, Gligorovi i ndërmori të gjitha aktivitetet për njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë. Me rastin e pranimit të Republikës së Maqedonisë në Kombet e Bashkuara, me referencën Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, e mbajti fjalimin e parë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 7 prill të vitit 1993.

Më 3 tetor të vitit 1995, e mbijetoi atentatin, por atentatorët nuk u gjetën kurrë. U largua nga pozita e kryetarit të shtetit kur ishte 82 vjeçar.

Në analizën e ardhshme “Baballarët e kombit”, në prag të zgjedhjeve presidenciale, “Portalb”-i do ta profilizojë kryetarin e ardhshëm, kompetencat e tij dhe pritjet prej tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button