KUJTIME STUDENTORE: SARAJEVË ’89-’92 (II)

Seancat e leximit zakonisht i bënim në bibliotekën e Fakultetit dhe më tepër në “Hasan Kikiq”, buzë lumit Miljacka: së pari një sy gazetave, “Veçernje Novine”, “Oslobodjenje”, “Sport” dhe më pas për provime, në veçanti për gjuhën angleze, ku prof. Azra meritokrate s’ta falte ditën, për lëndën “Rregullimi shoqëroro-politik i Jugosllavisë” e të tjera. Karçiqi, Kariqi dhe Neimarlija, profesorët më mbresëlënës për mua, në veçanti i dyti, shpjegonte me pasion, qartë, bindshëm, një “oqean”. Tekstet filozofike e sociologjike na tërhiqnin më tepër, sikur na tregonin se më vonë do kalonim në një fushë tjetër: sociologji. Nohelisti Hesse, Niçe, Eco, Kolakovski, Milosz… Ndërkohë u bëmë anëtar i klubit lexues-debatues të FIN-it, ku bëmë elaborimin e librit të parë para auditorit 100 % boshnjakë, pa asnjë shqiptar. Ndiqnim edhe konferencat dhe simpoziumet për temat aktuale: “Gjuha dhe kombi boshnjak”, “Fundamentalizmi islam: Ç’është ky?”. Në provime, bëheshin edhe strategji: boshnjakët hynin pas nesh, me paragjkykimin se këta s’e dinë gjuhën dhe krijohet një hendek mes nesh dhe tyre, kalojmë më kollaj. Unë kisha një kompleks, me indeksin në dorë çdo herë hyja i pari, synoja destresimin sa më herët, qysh në ora 10, pa marrë parasysh çmimin (kriteri i paformuar i profesorit). Atëbotë me një sanxhakli realizuam edhe intervistën me dekanin Ramiq, shkrim ky i parë i karrierës sonë, që ishte shtysë dhe satisfaksion i papërshkruar kur e pamë të botuar.

Në fundin e shekullit të kaluar sporti ishte shumë i popullarizuar. Shpesh shkonim në ndeshje të Sarajevës dhe të Zheljezniçarit ku tifozët këndonin me gojën plot fetari sipërfaqësore e nacionalizëm: “Allahu ekber”, “Kiša pada, kiša Srbija propada… a Bosna se širi” (Bie shi, bie shi,… Serbia shkatërrohet, Bosna po zgjerohet!) Me vishegradasin Rasim për uikende shkonim në sallën Zetra për tenis, me reketët e blerë nga ca rusë që shisnin rrugës, ku e takonim edhe Sushiqin e PSG-së. Në “Skenderija” ndoqëm All Star-in e parë të ish-Jugosllavisë, me Kukoç-Ragja-Divac, prej ku fituam edhe një t-short që gjatë e kemi mbajtur si kujtim. Futboll luanim në Kovaçi, me boshnjakët, që pa një pa dy shanin Zotin, gjë që në shtynte në mendime defetiste për këtë popull (në fakt individë), në kohën kur po në skenë po dilte SDA në krye me Izetbegoviqin karizmatik me një pjesë të popullit ateist e agnostik, të cilin synonte ta tubojë përreth konservatorizmit, nacionalizmit të ri dhe islamit politik. SDA, gazetat “Muslimanski glas” dhe “Ljiljan” ishin tre simbole të frymës së kohës. Në Bosnjë po kthehej e shenjta, islamizmi apo islami politik frynte fuqishëm, që shpesh fërkohej me nacionalizmin serb dhe atë kroat. Jugosllavia po dërrmohej, Bosnja ishte kah  shtetëzohej. Një proces pasojat e të cilit do të ishin tragjike, deri në gjenocid. Nacionalizmi na kishte kapluar edhe neve, në mënyrë të organizuar, si studentë, me autobusë udhëtuam për zgjedhjet e para parlamentare deri në Maqedoni. Si refleksion i këtyre erërave, kërkuam nga Bashkësia Islame dhe fituam një xhami, ku ligjëratat do të mbaheshin shqip. Ky tempull u bë amzë e studentëve të fushave të ndryshme, vizitorëve të rastit,  kurbetqarëve që punonin në këtë qytet multikulturor, në “Jerusalemin e Ballkanit”. Në banesë na vizitonin miq shkupjanë, tregtarë pemë-perimesh e më pas parash (markash gjermane), por herë pas herë edhe të huaj. Një bashkëfshatar solli një ushtarak të lartë maqedonas që kishte ardhur ta shpëtonte djalin nga lufta në Kroaci dhe pa njohuri kulturore për ne, u turr me këpucë të futej në shtëpi. E ndalëm, për çka fytyra sa s’i plasi nga nervoza. S’ishte mësuar dikush t’ia prishte, kulturë militare. I kishte mbetur hatri, por gabimi ishte i tij meqë s’dinte elementaren për enterierin e “tjetrit” të vendit të vet që dallon kulturalisht.

Një radhë mysafir nderi në amfitetarin e fakultetit e patëm edhe sociologun e mirënjohur Fehmi Agani, që shpalosi vizionin e tij për të ardhmen e shoqërisë në të cilën jetonim që s’e kishte pasë larg exhelin, për çka boshnjakët hiç s’ishin në vetëdije. Më kujtohet një rast kur duke ecur rrugës kryesore që lidh pjesën austro-hungareze me atë osmane, pjesëtarët e “Hare Krishnas” mbanin një ritual publik, dhe shpërndanin ca ëmblësira toptha-orizi nga shportat e mbushura plot. S’na hahej, falënderuam dhe ndërhyri një plakë myslimane, e cila, pas një debati të shkurtër, na tha: “Sikur Izetbegoviqi të ishte me mendësi si ju, moti do të kishim luftë, si në Kroaci”. E shkreta s’dinte gjë për faktin se në vjeshtën e vitit 1991, me të arrirë nga Shkupi, kolegët boshnjakë na informuan se s’dihet sa do mund të zhvillojmë procesin pedagogjik ngaqë Sarajeva është e rrethuar me tankse të Armatës Jugosllave, madje kishte edhe kolegë studentë boshnjakë që merrnin pjesë në stërvitje joformale, si përgatitje për skenaret më pesimiste-lufta. Ishim me fat, dolëm në shkurt të vitit 1992 dhe s’u kthyem më në këtë qytet tragjik deri më 2005, kur ende dukeshin gjurmët e konfliktit më të përgjakshëm pas LDB-së. Dy vjet e gjysmë shumë të rëndësishme të jetës tonë, ku hodhëm themelet e shkollarizmit, ku mësuam ABC-në e leximit dhe shkrimit akademik, ku na u hapën horizontet intelektuale, ku shijuam romancën e shumëkulturësisë, por edhe live çastet e fundit të jetës së Jugosllavisë. Sidoqoftë, për ne, lidhur me këtë qytet,  imazh i paharruar mbetet Monteno dhe kënga: “Sarajevo ljubavi moja” (Sarajevë, e imja dashni!).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button