fbpx

Thaçi: Veprimet populiste të disa liderëve s’mund të kërcënojnë interesin e SHBA-së në Kosovë

Siç bën zakonisht kreu i shtetit, Hashim Thaçi, pa përmendur emra e pa përcaktuar qartë se për çfarë flet, ka reaguar ndaj “tekeve personale të liderëve shtetërorë që po guxojnë të lëndojnë interesin shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë”, njofton Koha.net.

Kur thotë se “veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës”, lë të kuptohet se është fjala për taksën ndaj produkteve serbe, të cilën e ka vënë Qeveria e Kosovës, e për të cilën kishte garë të ashpër për të marrë meritat për të nga të gjithë partnerët e koalicionit. Më i zëshmi ndër ta ishte Enver Hoxhaj, që është nënkryetar në ish-partinë e Thaçit.

Siç ka raportuar Koha.net më parë, në një artikull të The Washington Post, Thaçi i kishte premtuar ambasadorit amerikan në Berlin se Kosova do ta heqë taksën. Haradinaj vazhdon të jetë fuqishëm kundër heqjes së saj.

Siç merret vesh, një takim mes kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlametarit Kadri Veseli dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett do të mbahet të martën, e aty pritet të diskutohet për taksën.

Ky është postimi i plotë i Thaçit në profilin e tij në Facebook:

Duhet të jemi krenarë për lirinë që e gëzojmë dhe për ndërtimin e shtetit tonë. Jo shumë vite më parë, kjo ishte vetëm një ëndërr e largët. Tani është realitet i përjetshëm.

Rrugëtimi ynë ishte tepër i gjatë dhe me plotë vështirësi e sakrifica. Por, ne nuk ishim të vetmuar përgjatë këtij rrugëtimi.

Suksesi ynë historik do të ishte i pamundur pa ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve tjerë perëndimorë. Prandaj, duhet të jemi mirënjohës përgjithmonë.

Miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përhershme, mirëpo përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Evropë. Vlerat tona dhe vizioni ynë përputhen me ato amerikane.

Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit.

Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës.

Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë.

Gjithashtu, as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në.

Aleanca e Kosovës me SHBA-në peshon më shumë dhe është më e rëndësishme se interesi i kujtdo qoftë.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close