Ligji për lojërat e fatit në Maqedoni, deputetët e Lëvizjes BESA premtuan se do të iniciojnë ndryshime
Të dy krahët e Lëvizjes BESA, me kryetar Bilall Kasami dhe Afrim Gashi kanë realizuar takim me Lëvizjen Anti-Bixhoz dhe kanë shprehur gatishmëri që t’i përkrahin kërkesat e tyre gjatë procedurës parlamentare të propozim-ligjit për lojërat e fatit, njofton Portalb.mk.
“Deputetët e Lëvizjes BESA do iniciojnë edhe ndryshime në ligjin e lojërave të fatit në bazë të kërkesave të parashtruara nga ana e Lëvizjes “Anti-bixhoz. Lëvizja BESA shprehu gatishmërinë për të përkrahur iniciativat fisnike që kanë të bëjnë për të mirën e përgjithshme të shoqërisë. Lëvizja BESA do të jetë gjithmonë në krahë të Lëvizjeve apo iniciativave që luftojnë dukuritë negative dhe që merren me përmirësimin e jetës së qytetarëve. Lideri Kasami në takim ishte i shoqëruar edhe nga deputetja, Teuta Bilalli dhe kryetari i degës së Tetovës, Gazmend Aliu”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasami.
“Kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, sot priti në takim përfaqësuesit e Lëvizjes Antibixhoz. Kryetari Afrim përgëzoi përfaqësuesit e kësaj lëvizje për nismën e tyre dhe i siguroi se Lëvizja BESA do i mbështesë propozimet e Lëvizjes Antibixhoz, si bajraktarë të vetëm të ndryshimit të Ligjit për lojërat e fatit. Gjithashtu u shpreh edhe gatishmëri që tre deputetët e Lëvizjes BESA të vihen në funksion që përmes procedurave parlamentare të mundësohet inkorporomi i kërkesave të kësaj lëvizje në Propozim ligjin për lojërat e fatit. Edhe një herë shfrytëzojmë rastin të bëjmë të ditur qëndrimin tonë kundër fenomenit të bixhozit dhe lojërave të fatit, fenomen ky i cili po e cenon rëndë familjen në këto treva”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA me kryetar Afrim Gashi.
Ndryshe, Lëvizja Anti-Bixhoz njoftoi se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u ka premtuar se nëse me ligjin e ri për lojëra të fatit, nuk parashihet që kazinot dhe bastoret të largohen 1 kilometër nga institucionet edukative, arsimore dhe me interes publik, nuk do ta nënshhkruajë ligjin.
Për arsye se nuk po pranohet kërkesa e tyre, nga lëvizja u bëjnë thirrje liderëve politik, e veçanërisht atyre shqiptarë, që të realizojnë takim urgjent me ata.
Kërkesat e kësaj Lëvizjes Anti-Bixhoz janë:
- Të gjitha objektet e lojërave të fatit (kazinot, bastoret sportive si dhe të gjitha lojërat e ngjashme të fatit) të largohen 3km nga vendbanimet.
- Ndarja e 5% të buxhetit që vjen nga lojërat e fatit për riparimin e objekteve me interes publik (shkolla, çerdhe, biblioteka, spitale si dhe shoqatave dhe qendrave që organizojnë aktivitete për rehabilitimin e të varurve nga lojërat e fatit.
- Të hartohet strategji nacionale për t’i edukuar nxënësit, studentët dhe gjithë qytetarët për dëmet që i shkakton bixhozi. këto kërkesa janë të pa kontestueshme!
Më datë 9 janar, partitë opozitare paralajmëruan amendamente për propozim-ligjin për lojërat e fatit, ndërkaq Ministria e Financave nuk ishte e interesuar që ta informojë opinionin për rrjedhën e ligjit.
- LEXO: Maqedoni, pushteti pa interes t’i pranojë kërkesat për ligjin për kazinot, opozita paralajmëron amendamente
- LEXO: Tetovë, mijëra qytetarë bashkë me priftërinj e hoxhallarë kërkuan të largohen kazinot 3 km larg vendbanimeve (VIDEO)
- LEXO: Ligji për kazinot, “Anti-Bixhoz”: Jo 500 metra, por 3 kilometra të largohen nga institucionet arsimore
- LEXO: Bastoret dhe kazinot, Partia Liberale: Qeveria dhe Ministria e Financave ta ndjek shembullin e Shqipërisë
- LEXO: Tevdovski: Do t’i shqyrtojmë kërkesat për kazinot