Deputeti Kiracovski: Paditë e VMRO-së kundër Talat Xhaferit janë të pabaza

Deputeti i Lidhjes Sociale Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Aleksandar Kiracovski sot ka deklaruar se paditë penale që partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-ja i ka parashtruar për kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, janë të pabaza, njofton Portalb.mk.

LEXO: Sot filluan koordinimet për njoftimin dhe ndjekjen e zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Sipas tij, LSDM-ja e përkrah veprimin e kryeparlamentarit Xhaferi për publikimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare pa dekretin e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

“Ne si parti politike e përkrahim veprimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, respektivisht nënshkrimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës me Republikën e Greqisë. Presidenti Gjorge Ivanov, në pajtueshmëri me nenin 75, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, ishte i detyruar që ta dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pasi që dy herë ka kaluar dhe është votuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, dhe për këtë konsideroj se paditë penale kundër kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë janë të pabaza”, tha Kiracovski.

Duke folur mbi mundësinë e ngritjes së padisë penale kundër presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov pasi që i njëjti refuzoi të dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës edhe pas votimit të dytë në Kuvend, deputeti Kiracovski njoftoi se për një gjë të tillë nuk është menduar.

“Se a do të ketë bazë për ngritjen e padisë penale kundër presidentit të shtetit, sinqerisht të ju them as nuk kemi menduar, dhe as që e radhës të mendohet”, tha Kiracovski.

Reagimi i deputetit Kiracovski vjen pasi që, VMRO-DPMNE dje ka dorëzuar padi penale kundër kryetarit të Kuvendit ,Talat Xhaferi, nënsekretarit gjeneral të Kuvendit, Nexhbedin Ibraimi dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski, për shkak të dyshimit se kanë kryer vepër penale “Keqpërdorim të Detyrës dhe Autorizimit Zyrtar” sipas nenit 353 dhe “Shoqërim Kriminel” sipas nenit 394 dhe “Sabotim” sipas nenit 315 të Kodit Penal të Maqedonisë.

LEXO: Ligji për përdorimin e gjuhëve: Institucionet e Maqedonisë para sfidës së zbatimit të gjuhës shqipe
LEXO: Ligji për përdorimin e gjuhëve: Për gjashtë muaj institucionet në Maqedoni duhet të flasin në gjuhën shqipe

Përndryshe, pas një viti miratim në Kuvendin e Maqedonisë, Ligji për përdorimin e gjuhëve, me të cilin parashihet përdorim i gjerë i gjuhës shqipe, më 15 janar të 2019-s është publikuar në Gazetën Zyrtare. Zvarritja e fuqizimit të ligjit ka ardhur si rezultat se presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov nuk pranoi ta dekretojë të njëjtin edhe pas votimit të dytë në Kuvendin e Maqedonisë, më 14 mars të vitit 2017-të. Për mosdekretim të ligjit edhe pas votimit të dytë, Prokuroria Publike Themelore ka hapur lëndë për presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov në të cilën do të veprohet për dy padi penale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button