Toshak braktis kombëtaren maqedonase

Xhon Toshak nuk është më trajneri i përfaqësueses së futbollit të Maqedonisë. Lajmi është bërë publik nga drejtuesit e Federatës Maqedonase të cilët kanë lajmëruar se uellsiani nuk do të respektojë kërkesat e drejtuesve të rinj të Federatës e për këtë arsye është arritur në ndërprerjen e menjëhershme të marrëveshjes mes palëve.

Shkaku kryesor me sa duket është kërkesa që i është bërë atij nga presidenti i ri i Federatës Maqedonase të Futbollit, Ilço Gjorgjioski, për të jetuar në Maqedoni në pjesën më të madhe të kohës për të parë nga afër futbollin e këtij vendi dhe për të ndjekur lojtarët e rinj premtues që luajnë në skuadra të ndryshme.

“Trajneri i Maqedonisë, Xhon Toshak, nuk është gati të përmbushë kërkesat e vendosura nga presidenti Ilço Gjergjioski dhe ka pranuar ndërprerjen e kontratës së tij”, shkruhet në lajmërimin për shtyp të shpërndarë nga Federata Maqedonase. Ndërsa vetë Toshak ka shpjeguar para gazetarëve pozicionin e tij në këtë çështje.

“Isha gati të përmbushja kontratën dhe detyrimet për të cilat kisha nënshkruar me drejtuesit e mëparshëm të Federatës Maqedonase, por tani ju keni një president të ri të Federatës. I kuptoj kërkesat e tij por nuk jam i gatshëm t’i pranoj ato. Gjithsesi, ju uroj fat të gjithëve dhe shpresoj që Maqedonia të arrijë të kualifikohet në Kampionatin Botëror. Trajneri i ri do të ketë mundësi të sjellë gjëra të reja për këtë kombëtare”, ishin fjalët e Toshak para lamtumirës.

Meqenëse kombëtarja maqedonase do të luajë të mërkurën një ndeshje miqësore kundër Lituanisë, trajner i përkohshëm i saj është caktuar ish-mesfushori Goce Sedloski, i cili edhe më parë ka bërë pjesë në stafin teknik të Toshak.

Lajme të ngjashme

Back to top button