Qeveria e Maqedonisë reagoi ndaj OJQ-ve: Do të përkrahim marrjen e përgjegjësisë në rastin “Gruevski”

Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka reaguar ndaj organizatave joqeveritare (OJQ-ve) të cilat sot nëpërmjet një kumtese të dërguar për media, kërkuan dorëheqje nga ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski dhe dy drejtorët, për shkak të arratisjes së ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, transmeton Portalb.mk.

Nga Qeveria siguruan qytetarët e Maqedonisë dhe OJQ-të se do ta përkrahë marrjen e përgjegjësisë dhe nisjen e procedurës gjyqësore, pasi që të dalin rezultatet nga procedura hetimore që është duke u realizuar nga Prokuroria Themelore Publikë në Shkup.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë i siguron qytetarët dhe organizatat joqeveritare se në tërësi është duke e mbështetur procedurën hetuese profesionale dhe të pavarur, dhe se do t’i pranojë të gjitha rezultatet e arritura të hetimit, dhe se do të përkrah marrjen e përgjegjësisë dhe procedurës gjyqësore, me të cilën para personit juridik do të paraqiten të gjithë individët të cilët kanë marrë pjesë ose kanë ndihmuar në arratisjen e të gjykuarit, ish kryeministrit Gruevski”, thanë nga Qeveria

Duke shtuar më tej, Qeveria njoftoi se do të heshtin derisa të përfundojë procedura hetimore nga PTHP-ja, për arsyen siç thonë, sepse Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) janë të vendosura që t’i respektojnë ligjet.

“Qeveria e Maqedonisë potencon se hetimin që është duke e realizuar Prokuroria Publike duhet të mbarojë, para se të publikohen detaje në publik, veçanërisht për shkak të asaj se bëhet fjalë për veprime delikate hetuese për të cilat ka indice se përfshijnë persona të shteteve të treta. Qeveria dhe MPB-ja janë të vendosura që t’i respektojnë ligjet, dhe nuk do të lejojnë që pushteti ekzekutiv ta shkatërrojë hetimin të cilin e realizon Prokuroria Publike, që ishte praktikë në të kaluarën. Theksojmë se është me patjetër që të përmbyllen të gjitha çështjet në hetim, që t’i gjejmë përgjigjet të cilat pa hamendje dhe pa dyshime do ta tregojnë fotografinë në tërësi dhe të gjithë të përfshirët”, thanë nga Qeveria.

LEXO: Arratisja e Gruevskit, OJQ-të: Edhe nëse s’ka përgjegjësi penale, Spasovski dhe dy drejtorë duhet të japin dorëheqje

Përndryshe, sot OJQ-të rikujtuan Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, se ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe dy drejtorë të tjerë duhet të japin përgjegjësi, gjegjësisht dorëheqje për rastin e arratisjes së ish kryeministrit Nikolla Gruevski, pavarësisht nëse hetimi tregon se s’ka përgjegjësi penale.

Ata gjithashtu rikujtuan se më 4 dhjetor të vitit 2018, si organizata qytetare ashpër e dënuam jo-përditësimin e institucioneve në zbatimin e hetimeve lidhur me konstatimet e lëshimeve dhe përgjegjësinë për arratisjen e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Në iniciativë janë të nënshkruara: Instituti për Demokraci Societas Civilis – Shkup, Instituti për Politikë Evropiane, Instituti për të Drejtat e Njeriut, Koalicioni për Gjykime të Drejta, Forumi Rinor Arsimor, Asociacioni MOST, NVO Infoqendër, Qendra për Analiza Ekonomike dhe Civil – Qendra për Liri.

Gruevski më 20 nëntor të vitit 2018 nëpërmjet një letre të gjatë shpjegoi se si ka arritur të fitojë azil nga autoritetet hungareze. Më 13 nëntor, Gruevski  u paraqit në rrjetin social Fejsbuk se e ka lëshuar Maqedoninë për shkak të kërcënimeve dhe ka kërkuar azil politik në HungariNjoftimi i Gruevskit erdhi pasi që MPB-ja lëshoi fletë-arrest.  Shkuarja e Gruevskit në Budapest ka ardhur pas njoftimit të Gjykatës në Maqedoni që i njëjti të paraqitet në Burgun e Shuto Orizares për ta vuajtur dënimin me burg prej dy vjetësh në rastin “Tank” të prokurorisë Speciale Publike për furnizimin e mercedesit e vlerë pre rreth 600.000 euro. Gruevski, edhe pse s’ka pasur pasaportë ai në Hungari ka arritur nga Shqipëria, ku me ndihmën e diplomatëve hungarez ka kaluar në Mal të Zi, Serbi dhe në fund në shtetin me të cilin udhëheq konservatori dhe miku i tij, Viktor Orban. Sipas hetimit të deritanishëm nga Prokuroria, Gruevski e ka lëshuar Maqedoninë në mënyrë ilegale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button