Teuta Arifi në takim me Lëvizjen Anti-Bixhoz kanë diskutuar “gjerë e gjatë” për ligjin për kazinot

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi sot është takuar me përfaqësuesit e Lëvizjes Anti-Bixhoz, me të cilët ka biseduar për çështjen e propozim-ligjit të ri për kazinot, njofton Portalb.mk.

“Kishim edhe një takim të radhës ku kisha mundësinë që të informohem për rrjedhën e aktiviteteve. Siç kemi thënë edhe para shumë muajve kur e kemi përkrahur këtë Lëvizje, duke u bazuar në vendimin nga Këshilli i Komunës së Tetovës, të votuar nga të gjithë këshilltarët, angazhimi i Tetovës ngelet edhe më tej që të spostohen këto veprimtaritë nga afërsia e objekteve, gjegjësisht shkollat, çerdhet, objektet tjera me interes publik, qendrat e qyteteve e kështu me radhë. Edhe njëherë e theksova faktin që ne si Komunë do të vazhdojmë me përkrahjen e këtyre iniciativave deri në përpilimin e një ligji që të ketë një distancë të duhur të objekteve të lojërave të fatit nga objektet e interesit”, tha kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi.

Nga Lëvizja Anti-Bixhoz, thanë se në takim kanë biseduar për çështjen e ligjit të ri për lojërat e fatit, ndërkaq thanë se kanë pasur ofertë edhe nga partitë tjera që të takohen, por në fillim duan që të realizojnë takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

“Biseduam gjerë e gjatë për rëndësinë e miratimit të ligjit sa më parë. Njoftuam nënkryetaren e BDI-së që sa më shpejtë duhet të takohemi edhe me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti që të jemi në koordinim për të miratuar një ligj që sa më të mirë për qytetarët. Kemi pasur edhe thirrje tjera për takim, por kemi dashur që t’i respektojmë disa rregulla të pashkruara dhe takimin e parë ta kemi me Ali Ahmetin”, thanë nga Lëvizja Anti-Bixhoz.

Kryetarja e Komunës dhe nënkryetarja e BDI-së u pyet edhe për atë se cili është qëndrimi edhe i Komunës, por edhe i partisë në lidhje me atë që Lëvizja Anti-Bixhoz kërkon që objektet e lojërave të fatit të largohen 3km larg objekteve publike, gjegjësisht shkollave e institucioneve fetare e arsimore, por për të njëjtën s’kishte përgjigje.

“Teuta, ne e kemi vendimin e Këshillit dhe në këtë moment nuk dëshiroj të them me saktësi për distancat, mendoj se duhet të jenë në distancat e duhura nga vendbanimet dhe objektet publike. Edhe si nënkryetare e BDI-së”, tha Arifi.

Ndryshe, Lëvizja Anti-Bixhoz njoftoi se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u ka premtuar se nëse me ligjin e ri për lojëra të fatit, nuk parashihet që kazinot dhe bastoret të largohen 1 kilometër nga institucionet edukative, arsimore dhe me interes publik, nuk do ta nënshhkruajë ligjin.

Për arsye se nuk po pranohet kërkesa e tyre, nga lëvizja u bëjnë thirrje liderëve politik, e veçanërisht atyre shqiptarë, që të realizojnë takim urgjent me ata.

Ndryshe, kërkesat e kësaj Lëvizjes Anti-Bixhoz janë:

  1. Të gjitha objektet e lojërave të fatit (kazinot, bastoret sportive si dhe të gjitha lojërat e ngjashme të fatit) të largohen 3km nga vendbanimet.
  2. Ndarja e 5% të buxhetit që vjen nga lojërat e fatit për riparimin e objekteve me interes publik (shkolla, çerdhe, biblioteka, spitale si dhe shoqatave dhe qendrave që organizojnë aktivitete për rehabilitimin e të varurve nga lojërat e fatit.
  3. Të hartohet strategji nacionale për t’i edukuar nxënësit, studentët dhe gjithë qytetarët për dëmet që i shkakton bixhozi. këto kërkesa janë të pa kontestueshme!

Më datë 9 janar, partitë opozitare paralajmëruan amendamente për propozim-ligjin për lojërat e fatit, ndërkaq Ministria e Financave nuk ishte e interesuar që ta informojë opinionin për rrjedhën e ligjit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button