U miratua Ligji për antikorrupsionin: Qytetarët nuk do të mund ta denoncojnë korrupsionin, por vetëm OJQ-të

Në Kuvendin e Maqedonisë sot është miratuar Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit (Ligji për antikorrupsion), pasi që të njëjtit paraprakisht iu vendos flamuri evropian për miratim me procedurë të përshpejtuar dhe pasi që u arrit marrëveshje për pranim të 20 amendamenteve të opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE, transmeton Portalb.mk.

Ligji u miratua me 81 vota “për”.

Gjatë debatit për ligjin, deputetët e VMRO-DPMNE-së, deklaruan se duan të kenë Ligj dhe Komision për Parandalimin e Korrupsionit (Komision për Antikorrupsion) të ri dhe cilësor, dhe se nuk kanë pasur për qëllim që ta bllokojnë miratimin e të njëjtit, siç u akuzuan nga shumica parlamentare.

Me Ligjin që u miratua sot, Komisioni për Antikorrupsion do të ketë të drejtë të verifikojë llogaritë e politikanëve, vetëm nëse paraprakisht ka hapur procedurë, dhe menjëherë do ta informojë se është hapur rast për të.

Me amendamente u ndryshua edhe neni, që parashihte që denoncimin e korrupsionit të partive dhe funksionarëve, të mund ta bënin edhe qytetarët. Korrupsioni do të mund të denoncohet nga institucionet dhe organizatat joqeveritare (OJQ-të) dhe fondacionet të cilat fushë të veprimit të tyre e kanë parandalimin e korrupsionit.

Në kohën e fushatave zgjedhore, dyshime për korrupsion mund të iniciojë vetë Komisioni për Antikorrupsion, apo me kërkesë të organizatorit të fushatës zgjedhore, apo vëzhguesve të akredituar.

Presidenti, anëtarët dhe të punësuarit e Komisionit të Antikorrupsionit do të kenë qasje te baza e të dhënave të institucioneve shtetërore, me çka janë të detyruar që të gjitha të dhënat t’i ruajnë, dhe të njëjtat mund t’i shfrytëzojnë vetëm për qëllime për të cilat janë siguruar dhe nuk mund t’u zbulohen personave të tretë.

Në Ligjin për antikorrupsion, në definicionin për familje, janë shtuar edhe fjalët “vëlla” dhe “motër”, kurse në definicionin për persona të afërt, fjala “privatë” është zëvendësuar me fjalën “financiar” – kjo do të thotë se të afërmit personal, nuk do të vlerësohen me “konflikt të interesit”, nëse personi zyrtar dhe miku nuk kanë interes financiar të përbashkët. Mandati i anëtarëve të Komisionit për Antikorrupsion do të zgjat pesë (5) vjet, pa të drejtë për rizgjedhje.

Mosfunksionimi i Antikorrupsionit ka dëmtuar buxhetin shtetëror për 350 mijë euro

Komisioni për Antikorrupsion ka 11 muaj që nuk është funksional, pasi që anëtarët e saj paraprak dhanë dorëheqje si rezultat i presionit publik, pasi që për të njëjtit kishte raport revizional negativ për shkak të raporteve të rrejshme për harxhime rrugore dhe për ndarjen e bonuseve pa meritë.

Mosfunksionimi i Antikorrupsionit, u ka kushtuar financiarisht qytetarëve nga 300 deri në 350 mijë euro në vit. Nga ana tjetër, mbi 3000 deklarata të pasurive, të zyrtarëve të zgjedhur të rinj, janë në sirtarët e komisionit Anti-Korrupsion. Nuk janë shqyrtuar as 100 denoncimet e korrupsionit dhe një numër pak më i vogël i konflikteve të interesit.

LEXO: 84 deputetë votuan që Ligji për Anti-Korrupsion të shqyrtohet sipas procedurës së shkurtuar

Ndërkaq, kritika të shumta ka pasur nga pozita në Maqedonisë, për partinë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, të cilën e kanë akuzuar se me qëllim është duke bllokuar procesin e miratimit të ligjit për antikorrupsion, pasi që të njëjtët janë për korrupsion, e jo për ndalim të të njëjtit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button