Marrëveshja e Prespës është vetëm pjesë e procesit, radhën e ka të zgjidhet korrupsioni

Duhet të plotësohen reformat për integrim të mëtejshëm të Maqedonisë në institucionet evropiane, thotë Xonatan Kac nga Fondi Marshal Gjerman në Uashington.

Votimi historik për ndryshimet kushtetuese është një hap përpara për Maqedoninë në planin ekonomik, politik dhe të sigurisë, thotë Xonatan Kac nga Fondit Marshal Gjerman në Uashington, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

“Marrëveshja është pjesë e përparimit të rëndësishëm që është bërë gjatë muajve të fundit, me të cilin po zgjidhet një problem historik, i cili thellësisht i shqetësonte të dy palët,” deklaroi Kac në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai tha se për momentin Greqia po përballet me sfida politike, por, beson se angazhimi i kryeministrit Aleksis Cipras do të rezultojë me përmbushje të pjesës greke të Marrëveshjes së Prespës.

“Jam i bindur se Athina do të vazhdojë të përmbushë Marrëveshjen e Prespës. Sigurisht kjo nuk do të ndodhë pa debat dhe mendime të ndryshme, por, nëse bashkësia ndërkombëtare vazhdon ta mbështesin këtë marrëveshje, e këto janë SHBA-të, BE-ja dhe partnerët në rajon, do të shohim sukses”, beson ai.

Ai shton se pavarësisht vendimit të opozitës për të qëndruar jashtë këtij procesi, megjithatë duhet të bëhet një hap përpara dhe ajo të ndihmojë implementimin e Marrëveshjes së Prespës, me çka do të sigurohet rruga evropiane e Maqedonisë

Megjithatë, shtoi ai, zgjidhja e çështjes së emrit është vetëm një pjesë e procesit, dhe se hapi i radhës duhet të jetë realizimi i reformave për integrimin e mëtejshëm në institucionet euro-atlantike.

“Duhet të ofrohet mbështetje për përballje me korrupsionin, për përforcim të demokracisë dhe për t’i ndihmuar Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që ta forcojnë sigurinë e tyre”, ka vlerësuar Kac.

Sipas tij, Uashingtoni dhe Brukseli në muajt e ardhshëm duhet të mendojnë për mënyrat se si mund t’i ndihmojnë vendit që ai të lëvizë përpara, si dhe të përforcohen marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Greqisë që bashkërisht të punojnë në interes të gjithë rajonit.

Këtë vit shënohet 70 vjetori i ekzistencës së NATO-s dhe Kac beson se nuk ka situatë më të mirë se kjo, që Maqedonia të bëhet zyrtarisht anëtare e Aleancës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button