Komemoracion

Para dhjetë ditësh kisha rastin të bisedoja me një magjistre nga SHBA-të, ish asistente në zyrën e presidentit Obama, në kohën kur Obama ishte senator i Çikagos. Ajo zgjodhi temën e saj të magjistraturës ta ketë për Maqedoninë, dhe kërkoi takim me mua për të biseduar për situatën politike në Maqedoni, para se gjithash për atë se si funksionon shteti juridik në Maqedoni. Njëra nga temat, sigurisht e pashmangshme ishte Marrëveshja kornizë e Ohrit, implementimi dhe realizimi i saj.

Në fund të bisedës tha “doja pasnesër të nisem për në shtëpi, dhe ta përfundojë tezën e magjistraturës, por disa miq më bindën që të rri deri më 13 gusht, për ta parë Komemoracionin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit”.

Sigurisht, i sqarova se nuk bëhet fjalë për komemoracion, por për kremtë, por u pajtuam me të (ndonëse  atë nuk e tha me qëllim të keq) se pas 11 vitesh  implementimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, më shumë i ngjan komemoracionit se sa kremtes.

Përse komemoracionit? Nëse para 11 viteve MKO si marrëveshje e cila hapi ndryshime sistematike, sot 11 pas, për shkak të manipulimeve dhe abuzimeve, “fryma” e Marrëveshjes së Ohrit si “të ketë shkuar me erën” dhe i ka mbetur vetëm trupi.  Si një mumie.

Gjithsej njëmbëdhjetë faqe numëron origjinali i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, në gjuhën anglishte, e ja pra tani 11 vite assesi të rrumbullakësohet dhe kryhet implementimi i saj. Të përkujtoj, si afat përfundimtar për implementimin e saj ishte fundi i vitit 2004.

Për këto 11 vite kjo marrëveshje u abuzua si nga njëra, po ashtu edhe nga pala tjetër, edhe nga politikanët maqedonas edhe nga ato shqiptarë, u manipulua, e interpretuan kush si të mbërrije, “elitat” politike si t’u “çohej” ashtu e dhunonin, për lojërat dhe intrigat e tyre ditore-politike.

Sot po shohim se si partia shqiptare në pushtet BDI e kremton dhe organizojnë ngjarje për të 11-tën herë për të njëjtën marrëveshje. Numërojnë, shumëzojnë, dhe i ndajnë arritjet. Po cilat arritje?. Askush s’e di! Vetëm ata e dinë. Prej këtyre 11 viteve qëkur u nënshkrua MKO, 7 vitet e fundit thonë se vetëm edhe 5 për qind ka mbetur që të realizohet dhe gati është. 

Shtatë vite e thonë të njëjtën gjë, të gjithë, pavarësisht është në pushtet, ndërsa askush nuk e di se cilat janë ato 5 për qind. Kam ndjenjën se ato 5 për qind me qëllim i lënë që të ketë kush të bëhet nënkryetar i Qeverisë për implementimin e MKO, dhe të ekzistojë njëfarë Sekretariati për implementimin e njëjtë.

Për këto 11 vite as si shoqëri, as si opinion nuk pamë asnjë analizë kuantitative, prej këtij Sekretariati, për atë se si realizohet MKO. Ndërsa analiza kualitative më mirë mos ta përmendim. Sekretariati për implementimin e MKO-së, sikur të mos ekzistonte, gjegjësisht ka ekzistuar vetëm si byro për punësim të kuadrove partiak të partive shqiptare në pushtet.

Marrëveshja kornizë e Ohrit në vitin 2011 ishte marrëveshje historike, sepse ndali konfliktin 6 mujor, dhe hapi procese të reja, por sot 11 vite pas ajo mbetet historike edhe pas realizimit dhe pas implementimit. Fat që ka 11 faqe, të kishte 50, apo 100 do të bëhej para-historik.
Për në fund. Filozofi gjerman Artur Shopenhauer thotë “njeriu është e vetmja qenie e gjallë në këtë botë që bën ngjarje nga vdekja personale”. Kështu duket edhe sot, pas 11 viteve, dhe ngjarjes së shënimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit!.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button