fbpx

Gazetari nuk guxon “të kall” me fyerje dhe nxitje!

Burimi: KriThink

Media është armë në dorën e gazetarit; armë me të cilën duhet të luftojë padrejtësitë, shkeljet, veprimet e jashtligjshme, korrupsionin, etj. Në dorën “e gabuar”, kjo armë edhe mund të keqpërdoret, për të bërë vetë gazetari padrejtësi dhe shkelje.

.
Lajmi i plotë

Linku deri te artikulli origjinal: “Fatime Fetai: Mua më kall gjuha dhe muzika serbe”

Data dhe koha e publikimit: 05.01.2019

Data e recensionit: 05.01.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Gjuha e turpshme raportimit

Është zgjedhur një figurë publike, një nëpunëse e sistemit gjyqësor, është vënë në qendër të vëmendjes dhe është sulmuar nga gazetari. Sulmi është bërë me fyerje, ofendime, nënçmime dhe gjuhë të ulët. Shkrimi s’ka informacione me interes publik të faktuara me dëshmi. Autori ka shfrytëzuar një video-material të vjetër prej para dy vitesh, e ka aktualizuar atë, për të përforcuar idenë e tij për “jo-shqiptarizmin” e Fetait, duke vënë në lojë edhe ndjenjat nacionale dhe patriotike të cilat, duke njohur mentalitetin e publikut shqiptar, janë shumë të brishta. Nuk respektohet fakti që preferenca muzikore e Fetait është çështje private dhe pa ndikim në profesionin e saj.

Më poshtë, janë vetëm disa nga fjalitë me fraza fyese që janë përdorur për të përshkruar prokuroren Fetai.

Ikona e PSP-së, nis të humb besimin dhe simpatinë në momentin që nisi të mendojë se ajo mbi shtetin, ligjin dhe qytetarët, e kur të rritet mendja të vjen edhe dështimi dhe injorimi më i madh që mund të mendojë dikush.

Vetura, bodygardët, rroga e madhe dhe Fatimes sikur i dolën mend, dhe nisi të duket si “allkaponja” e shtetit, që me aminin e saj mund të hysh në burg, me aminin e saj dalish prej burgu.

Në realitet nuk është ajo Fatime që paraqitet, nuk është aq trimëreshë sa u bë, pasi ajo nga mendjemadhësia u fut në një rrugë…

Përveç saj, përmendet edhe puna e Prokurorisë Speciale, jo duke renditur argumente por komente.

 “… në fund me lirimin e Sasho Miajllkvit, Orce Kamcevit dhe të akuzuarëve të tjerë, PSP-ja nuk ka vlerë më në këtë shtet, dhe nuk punon me standarde të njetja.”

Etika ndalon fyerjet në lajme

Kodi etik i gazetarëve shumë qartë potencon se gazetari duhet të jetë shumë i kujdesshëm me gjuhën të cilën e kultivon në profesionin e tij. Tek e fundit, roli i medias, përveç informimi është edhe edukimi. Me një fjalor të këtill si në këtë lajm, edukimi është i mbrapsht, nxitet urrejtje për atë që është ndryshe në shoqëri, nuk respektohet etika dhe nuk respektohet e drejta individuale për përzgjedhje që s’kanë të bëjnë me interesin publik. Autori ka shkelur një sërë standardesh etike dhe profesionale.

  • Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)

  • Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me mirësjelljen dhe respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe fetare në Maqedoni.

  • Gazetari patjetër ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit.

Mesazh për lexuesit

Jeta dhe zgjedhjet private të personave në detyra publike dhe funksione të caktuara nuk flasin për efikasitetin e tyre në punë. Kjo nuk duhet në asnjë moment t’i interesojë gazetarit nëse nuk prek interesin publik. Përdorimi i gjuhës së këtillë fyese dhe nxitëse nga gazetari nuk është qasje profesionale. Institucionet dhe funksionarët kritikohen vetëm me argumente për aspektet negative ose veprimet e padrejta në punën e tyre.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button