Ballafaqimi me frikën

Marrëveshja e Prespës u jetësua tërësisht në Maqedoni përmes amendamenteve kushtetuese që kaluan në kuvend javën e kaluar. Me një shumicë prej 81 votash amendamentet u aprovuan dhe përfundimisht, një problem i cili nuk arriti të zgjidhej për më shumë se 27 vite, e pa fundin e tij, të paktën në anën tonë, tani për tani. Mbrëmë edhe Aleksis Tsipras siguroi votëbesimin dhe tani e ka rrugën e hapur për të ratifikuar Marrëveshjen e Prespës edhe në parlamentin grek. Në atë moment, ndryshimet kushtetuese të shpallura me vendim të kuvendit të Maqedonisë do të hynë në fuqi dhe ne përfundimisht do të jemi Maqedonia e Veriut, një shtet me perspektivë të hapur për integrim të shpejtë në NATO dhe me gjasa reale për të hapur bisedat e aderimit në UE. Gjërat shkojnë mirë, mjaft mirë.

Posaçërisht është kurrajodhënës fakti që përfundimisht kuvendi vendosi të mos lejojë që Ivanov, duke shkelur Kushtetutën, të pamundësojë hyrjen në fuqi të ligjeve të rëndësishme si për shembull Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. E lexova reagimin e Ivanovit lidhur me publikimin e këtyre dy ligjeve në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e tij në dekret por me nënshkrim vetëm të Kryetarit të Kuvendit dhe më tingëlloi si ai rasti kur hajduti që sapo ka vjedhur diçka të çmuar bërtet me të madhe “Kapeni hajdutin!” E pra, Ivanov ankohet që qenka shkelur Kushtetuta me vetë faktin që këto dy ligje janë botuar pa nënshkrimin e tij. Ankohet tani po i njëjti Ivanov që e bëri copë duke e shkelur Kushtetutën sipas të cilës ai është i obliguar që të nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit i cili dy herë ka kaluar në kuvend! Dhe tani ai i indinjuar pyet se ku na qenka Gjykata Kushtetuese të reagojë lidhur me këto dy veprime. Cila Gjykatë Kushtetuese? Ajo që në vitin 2016 anuloi ndryshimet e Ligjit për Falje vetëm e vetëm që Ivanov të mundej të sillte faljet e tij?! E kam të qartë që po e njëjta Gjykatë Kushtetuese tani i nevojitet shumë Ivanovit për qëllimet e tij, por ajo kohë ka ikur dhe nuk kthehet më. Me rëndësi është që Ivanov dhe të tjerët si ai të kuptojnë që veprimet e tyre do të injorohen gjithnjë e më shumë dhe veprimet e duhura do të ndërmerren në vendin e tyre. Bile e mira e punës është që Ivanov të humbë privilegjet e tij si shef i shtetit, ato privilegje që asnjëherë nuk i ka merituar e as që do i meritojë ndonjëherë. Për të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe për të gjitha rastet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ai duhet të mbajë një herë e mirë përgjegjësi e jo të kërkojë përgjegjësinë aty ku nuk është.

Dhe kur jemi tek forca e veprimit (aksionit) dhe kundërveprimit (reaksionit), duhen qartësuar disa gjëra që shpesh qëllimisht mbeten të paqarta në këtë vend të çuditshëm. Nëse një veprim i një personi është jo i rregullt, i njëjti duhet të mbajë përgjegjësi për atë veprim. Në qoftë se përgjegjësi prej tij nuk kërkohet, rrjedhimisht veprimi i paligjshëm mbetet i arsyetuar. Në këtë rast, ajo që ndodh është kundërveprimi i cili kur nuk ka reagim nga organet që duhet të reagojnë, atëherë i njëjti bëhet domosdoshmëri për secilin qytetar. Kështu, është e vërtetë që ligjet e shpallura pa dekretim nga shefi i shtetit janë presedan i paparë në këtë vend, por ky lloj veprimi është në fakt vetëm një kundërreagim adekuat kundrejt veprimit kundërkushtetues e të paligjshëm të mosdekretimit të ligjeve në fjalë kur të njëjtat në kuvend janë aprovuar dy herë radhazi.

Këto kundërveprime lidhen zakonisht me problemet të cilat si shoqëri mundohemi ti vendosim ndër qilim dhe ti injorojmë, të bëhemi sikur të njëjtat nuk ekzistojnë. Një problem i tillë në këtë shtet është edhe albanofobia apo urrejtja e posaçme ndaj shqiptarëve e cila në fakt është inspiruesja kryesore edhe e veprimeve kundër kushtetuese të Ivanovit, edhe e protestave kundër Ligjit të gjuhëve e edhe e veprimeve tjera meskine e të padenja si për shembull rasti kur kapiteni i reprezentacionit shtetëror të hendbollit lëshoi manifestimin e ndarjes së çmimeve të sportit i indinjuar thellësisht nga fakti që i njëjti manifestim mbahej në gjuhë maqedonase dhe shqipe. Ky veprim i padenjë u komentua disa ditë në Facebook pa asnjë rezultat konkret kundrejt personit në fjalë i cili vazhdoi të trajtohet si hero për arritjet e tija sportive dhe veçanërisht për bindjet e tija supremaciste dhe shoviniste. Në momentin kur gazetari shqiptar i TVM2 Mustafa Ademi iu referua këtij personi si Lojtari numër 5, u bë skandal i përmasave të gjera sepse gazetari na qenka një nacionalist i paparë i cili e ka keqpërdorur pozitën e tij si komentator sporti që të tregojë qëndrim politik e nacionalist dhe ka fyer rëndë kapitenin e reprezentacionit i cili në një rast paraprak ka shprehur qëndrimin e tij personal kundrejt një manifestimi dygjuhësor sportiv! Bre, bre! E prej kur albanofobia qenka qëndrim personal, shprehje e cila duheshka mbrojtur? Mos duhet rastësisht të bëhen edhe vende të veçanta në autobus se ku mund të ulen shqiptarët dhe të formatizohet segregacioni i cili në shumë raste edhe ashtu është mjaft evident? Sjellja e tillë e kapitenit të përfaqësueses së hendbollit është në fakt përhapje e urrejtjes ndëretnike, gjë që dënohet me Kodin Penal të RM dhe jo një qëndrim personal i cili gëzon të drejtën e mbrojtjes. Ky veprim i kundërligjshëm nuk u trajtua asnjëherë si i tillë nga autoritetet, kështu që gazetari i sportit u detyrua që përmes kundërveprimit të tij adekuat të tregojë që gjërat e tilla nuk do të tolerohen, veçanërisht jo kur vijnë nga një person i cili duhet të jetë udhëheqës i reprezentacionit shtetëror të hendbollit. Reprezentacion do të thotë përfaqësuese, që do të thotë se kapiteni në fjalë, lojtari me numër 5, përfaqëson këtë shtet, përfaqëson edhe maqedonasit por edhe shqiptarët që jetojnë aty, përfaqëson të dy gjuhët zyrtare të këtij shteti pavarësisht a i pëlqen kjo atij ose jo. Në momentin kur ai sillet si përfaqësuese vetëm i një etnie në këtë vend ai nuk është më as kapiten i reprezentacionit e as njeri me vlerë, është vetëm një lojtar i cili mund të jetë i talentuar por jo edhe një njeri i denjë për respekt. Sikur të mos e kishte edhe atë karakteristikë të lojtarit, ai do të ishte vetëm një ndër personat inekzistentë, ata ekzistenca e të cilëve nuk e tangon askend dhe nuk ka asnjëfarë rëndësie për botën e përparuar dhe të qytetëruar.

Maqedonia kaloi një sfidë të madhe javën e kaluar. I dha shanse serioze jetësimit të Marrëveshjes së Prespës dhe integrimeve euro-atlantike. Por mbetet të punohet edhe shumë më tepër për t’u ballafaquar me demonët tanë të brendshëm, prej të cilëve frika nga shumëllojshmëria dhe dallimet kulturore e linguisitke është njëra nga më të fuqishmet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button