Rasti “Monstra”, palëve u janë dhënë përgjime private të cilat më herët i ka “fshehur” Prokuroria
“Ka materiale që kanë qenë prej asaj kohe dhe ne nuk i kemi dëgjuar pasi që i kanë fshehur, e tani po na japin”, kështu deklaroi për Portalb.mk, avokati i palës mbrojtëse në rastin “Monstra”, Naser Raufi pas mbarimit të seancë gjyqësore në të cilën nuk u lejuan të marrin pjesë gazetarët pasi që i kanë nxjerrë përpara palëve bisedat e komunikimeve telefonike dhe sms-porosive të të akuzuarve nga Masat e Veçanta Hetuese, njofton Portalb.mk.
“I kemi dëgjuar ato materialet e vjetra, janë telefonatat që kanë qenë të propozuara prej ish Prokurorisë. Pos tyre, nuk e di pse i kanë fshehur, por ka materiale të reja të asaj kohe që ne nuk i kemi dëgjuar më herët dhe tani po na jepen. Sot kemi dëgjuar një sasi të vogël, ndërkaq pritet që edhe në seancat e radhës të vazhdojmë me të njëjtat. Ne nuk i kontestojmë bisedat dhe të njëjtat janë biseda private, të cilat nuk i inkriminon të akuzuarit për veprën që akuzohen”, thotë Raufi për Portalb.mk.
Sipas avokatit, pritet që me këto materiale të vazhdohet edhe 3-4 seanca gjyqësore. Këto materiale janë nga procedura e vjetër hetimore dhe nuk kanë të bëjnë me materialet që pretendohet t’i posedojë Prokuroria Speciale nga “bombat” .
Sipas ligjit të vjetër për Procedurë Penale, opinioni nuk mund të jetë i pranishëm në këto seanca ku nxirren prova të klasifikuara, gjegjësisht materiale të përgjuara – biseda telefonike dhe SMS porosi, të sigurara nga MPB.
Familjarët e të akuzuarve janë revoltuar pasi që opinioni nuk u lejua që të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore, e aq më shumë që u përjashtuan ata, ndërkaq nuk u lejuan që të qëndrojnë familjarët e viktimave.
“Për të dëgjuar disa biseda private e të vlerësuara si “Masa të Veçanta” të përgjuara në vitin 2012, kryetari i Këshillit Gjykues na largoi neve si familjarë të të akuzuarve nga salla e gjyqit ku u mbajt seanca e radhës e nuk i largoj të afërmit e të vrarëve me pretekstin se ne nuk posedojmë certifikatë sigurie, ndërsa 75% e të pranishmëve nuk posedonin një gjë të tillë, u largua edhe personeli i OSBE-së”, thotë familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari.
Në seancë kanë qenë të pranishëm të akuzuarit, avokatët e tyre, familjarët e të vrarëve dhe përfaqësuesit e tyre ligjor, avokatët.
Seanca e radhës do të mbahet më 4 shkurt, e cila gjithashtu pritet të jetë e mbyllur për opinionin pasi që sipas paralajmërimeve do të vazhdohet me provat nga Masat e veçanta hetuese.
- Seanca paraprake: “Monstra”, Aziri tre orë i pyeti dhe i kontestoi përgjigjet e ekspertëve të Policisë dhe Mjekësisë Ligjore
“Monstra”
Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.
Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.
Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.
- LEXO: Gordana Jankullovska ballë për ballë me të akuzuarit e “Monstrës” (VIDEO)
- LEXO: Të akuzuarit e “Monstrës” së pari herë në Gjykatë pa shoqërim policor
- LEXO: Luta, Ismailoviq dhe Aziri të dënuar të rastit “Monstra” u lëshuan në liri, u pritën me duartrokitje dhe lot (VIDEO)
Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.
Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu. Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.
Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.
Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.
Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur janë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.