Masat e qeverisë kundër ndotjes fillojnë me zëvendësimin e stufave joefikase

Qeveria gjatë këtij muaj do të fillojë me realizimin e programit për t’u përballur me ndotjen, përmes ndihmës së drejtpërdrejtë për familjet me status më të keq social për të zëvendësuar stufat e tyre joefikase, me sisteme të ngrohjes që janë më të pranueshme, më ekologjike dhe më ekonomike në aspektin energjetik, njoftoi në takimin e sotëm me përfaqësuesit e shoqërisë civile zëvendësministri për mjedis jetësor, Jani Makraduli, njofton Meta.mk.

Qeveria planifikon që, në vitin 2019, më shumë se 90 për qind e fondeve të parapara t’i shpenzojë për zëvendësim të mënyrave jo ekologjike të ngrohjes në amvisëri, institucione dhe institucione publike në Shkup, por edhe nëpër disa qytete të synuara si Kumanova, Tetova dhe Manastiri.

Ndryshe nga thirrjet e mëparshme për subvencionim të stufave me peleta të Ministrisë së ekonomisë dhe të komunave e qytetit të Shkupit, sipas Makradulit, ky projekt nuk do të bazohet në parimin “i pari që vjen i pari shërbehet”, por do të udhëhiqet nga lartësia e të ardhurave familjare dhe do të fillojë nga zonat me emisione të ulëta, si vendbanimet Lisiçe dhe Shuto Orizarë për të treguar se metodat e këtilla sjellin rezultate.

Zëvendësministri Makraduli paralajmëroi se gjatë janarit disa institucione publike do të lidhen në rrjetin të ngrohjes në Shkup, e të cilat deri tani janë ngrohur me mazut, duke e theksuar shembullin e konviktit Kuzman Josifovski Pitu, ku deri tani për ngrohje janë shpenzuar më shumë se shtatë milionë denarë për furnizim të mazutit, ndërkohë që me lidhje në rrjetin e qytetit shpenzimet për ngrohje do të jenë rreth pesë milionë me ç’rast, përveç reduktimit të emisionit të tymit do të ketë efekt të rëndësishëm financiar.

Ai e theksoi edhe shembullin e kopshtit për fëmijë Koço Racin nën Panoramë, ku, në vend të 16 mijë euro për mazut, shpenzimet për ngrohje do të jenë për 12 herë më të vogla pas instalimit të invertorëve.

Gjelbërimi i oborreve të kopshteve, shkollave dhe spitaleve që janë afër rrugëve, me fidane të drunjve autoktonë që janë prodhuar nga studentët e Fakultetit të bujqësisë në Shkup, me qëllim të ngritjes së barrierës mbrojtëse të gjelbër, është edhe një nga masat për luftë kundër ndotjes që do të fillojnë të realizohen në muajt e ardhshëm, njoftoi në takimin e sotëm Makraduli.

Ndër pikat e para të përfshira me këtë program është të mbillen në oborrin e kopshtit në komunën e Gazi Babës, në hyrje të Shkupit, e pastaj edhe ndërmjet Qendrës Klinike dhe rrugës Vodnjanska në Shkup.

Zëvendësministri i mjedisit jetësor paralajmëroi ndryshime edhe në rregulloret ligjore për realizimin e aktiviteteve të planifikuara duke hequr dorë nga mënyrat e ngrohjes me të cilat ndotet mjedisi – për çka do të miratohet ndalesë për përdorim të thëngjillit për ngrohje, si dhe ndryshime në ligjin për ndërtim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button