Kuvendi i Shqipërisë miratoi dekretet për ndryshimet në kabinetin qeveritar

Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar një seancë të jashtëzakonshme, ku u miratuan dekretet e presidentit të vendit, Ilir Meta, për ndryshimet në kabinetin qeveritar, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputetët e opozitës kërkuan debat parlamentar para votimit të dekreteve, ndërsa kërkesa e tyre u refuzua nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Pas rrëzimit të kërkesës për debat, deputetët e opozitës, të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, u larguan nga seanca, pasi qëndruan për disa minuta pranë foltores.

Më pas Kuvendi i Shqipërisë ka votuar për dekretet e presidentit Meta, për shkarkimin dhe emërimin e ministrave të rinj, të cilët pas betimit në Presidencën e Shqipërisë fillojnë zyrtarisht detyrën.

Sipas ndryshimeve të reja të miratuara në Kuvend, Erion Braçe është emëruar në postin e zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Besa Shahini ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Anila Denaj ministre e Financave dhe të Ekonomisë, Elva Margariti ministre e Kulturës, si dhe Eduard Shalsi ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Gjithashtu është emëruar një ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, e cila do të jetë Elisa Spiropali.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se do të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, pas përplasjeve midis Kryeministrisë së Shqipërisë dhe Presidencës së Shqipërisë, pasi presidenti Meta refuzoi për të dekretuar propozimin për emërimin e Gent Cakaj, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Sipas presidentit Meta, Cakaj nuk i plotësonte kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës së ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, post që mbahet aktualisht nga Ditmir Bushati.

Për fillimin zyrtarisht të detyrës së kreut të diplomacisë, duhet dekretuar shkarkimi i ministrit aktual në detyrë Ditmir Bushati dhe më pas dekretimi nga Meta në këtë post të kryeministrit Rama, dekrete që duhet të miratohen edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Kujtojmë se ndryshimet në kabinetin qeveritar të Shqipërisë u propozuan nga kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, më 28 dhjetor të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button