Analizë: Vetëm 3.2% e amvisërive në Maqedoni jetojnë “lehtë” – rritje e re rrogës minimale për jetë më të mirë!

Vetëm 15.4% e  amvisërive mund t’i plotësojnë me lehtësi ose me “lehtësi të përballueshme” nevojat e tyre me të ardhurat e përgjithshme mujore, Nga to vetëm 3.2% e amvisërive në Maqedoni jetojnë “lehtë” ndërsa të gjithë të tjerët përballen me probleme. Popullsia në Maqedoni kryesisht jeton në rrogat nga punësimi dhe nga pensionet. Përderisa të dhënat nga Enti statistikor tregojnë se varfëria në Maqedoni është rritur në 22.2% në vitin 2017, qeveria paralajmëron një pako masash, cak i të cilave do të jenë kategoritë e rrezikuara sociale të qytetarëve – këtë vit, buxheti për transferimet sociale u rrit në 1.75 miliardë euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Jetë me anë të ndihmave sociale, transferimeve nga jashtë, pensioneve, rrogave…

Mesatarja vjetore e të ardhurave të përgjithshme me të cilat disponon një familje në vend është 6,080 denarë, por dallimi ndërmjet grupit të parë më të varfër dhe grupit të fundit më të pasur të qytetarëve është i madh. Mesatarja e të ardhurave të përgjithshme mujore të një amvisërie është 507 euro, nga të cilat, 59% janë nga rroga, 21% janë nga pensionet, 13.9% nga vetëpunësimi dhe 4% nga transferimet sociale.

Por, të dhënat tregojnë dallime të thella në mes të kategorisë së parë më të varfër të amvisërive dhe kategorisë së fundit të familjeve të cilat, sipas lartësisë së të ardhurave që i kanë në dispozicion konsiderohen si më të pasura.  Kështu, mesatarja vjetore e të ardhurave në dispozicion te familjet më të varfra është pothuajse 2.100 euro ose 175 euro në muaj. Te familjet më të pasura, të ardhurat e përgjithshme mesatare në vit janë 10.900 euro ose 908 euro në muaj. Për shkak të thellësisë së varfërisë, në këto familje, të ardhurat nga transferimet sociale dhe nga transferimet private janë më të larta se sa te familjet e pasura.

Të ardhurat e përgjithshme, familjet më të varfra, familjet më të pasura

  • të ardhurat nga rroga 702 euro 7.189 euro
  • të ardhurat nga pensionet 395 euro 2.126 euro
  • të ardhurat nga transferimet sociale 387 euro 173 euro
  • të ardhurat nga transferimet private 170 euro 80 euro

Për ta zvogëluar, respektivisht  për ta amortizuar varfërinë, qeveria paralajmëroi politika të reja ekonomike, të cilat janë kombinim i masave për rritjen e mbështetjes sociale dhe stimulimin e vendeve të reja të punës, me theks të veçantë te të rinjtë e papunësuar të moshës deri 29 vjet. Me ndryshimet në ligjet me të cilat është përfshirë  mbrojtja sociale dhe mbrojtja e fëmijëve, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, duhet të fillon një proces thelbësor për tërheqjen e rreth 400 mijë qytetarëve mbi vijën e varfërisë.

“Me këto reforma garantojmë një jetë më të mirë, zvogëlim të varfërisë dhe mundësi të barabarta për çdo fëmijë, por edhe aktivizimin e të papunëve në tregun e punës. U bëjmë thirrje deputetëve të votojnë për reformën sociale dhe të fëmijëve, me çka do të tregojnë se shoqëria është e pjekur për ndryshime pozitive që do të thonë shumë për zvogëlimin e varfërisë së fëmijëve “, njoftuan  nga ministria përgjegjëse, transmeton Portalb.mk.

Sipas disa analistëve, pozitivisht vlerësohen paralajmërimet për rritjen e mirëqenies sociale, por politikat e tilla për amortizimin e varfërisë do të japin efekt nëse nuk ndërmerren masa të tjera me të cilat do të dëmtohet standardi i jetesës.

“Ndoshta e vetmja gjë për t’u përshëndetur është rritja e mjeteve buxhetore për kompensimet në fushën sociale në buxhetin e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale. Por, duke pasur parasysh se paralelisht planifikojnë t’i godasin më të varfërit, duke i penguar pensionistët, shfrytëzuesit e ndihmave sociale dhe punonjësit me honorar që duke shitur në pazar të mund të dalin në fund të muajit, seriozisht parashtrohet pyetja nëse ndryshimet në politikën tatimore synojnë ta përmirësojnë standardin jetësor të shtresës më të varfër apo mbledhjen e mjeteve buxhetore shtesë, të cilat, po, do të përdoren për të hedhur thërrime dhe për ta përmirësuar imazhin, por do të përfundojnë edhe në xhepa privatë” – thotë Zdravko Saveski nga “E Majta” (“Levica”).

Sipas kornizave të vendosura, këtë  viti, me reformat, qasja në shtesën për fëmijë dhe arsim rritet për 20 herë, me çka shtesën për fëmijë në vend të 3.200 fëmijëve, tani do ta shfrytëzojnë 73.500 fëmijë. Me qëllim të zvogëlimit të dallimit të thellë midis të varfërve dhe të pasurve dhe përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarëve, kryeministri paralajmëroi se këtë vit do të rritet shuma e rrogës të garantuar minimale.

Shkalla e varfërisë pa transferime sociale në Maqedoni do të ishte 40.7%.

Cilësia e jetës…

Shuma e të ardhurave që janë në dispozicion në një familje e dikton cilësinë e jetës, me ç’rast të dhënat tregojnë se edhe ata që punojnë ose marrin pension nuk do të thotë se janë jashtë zonës së mbijetesës, gjegjësisht varfërisë.

“Nga të gjithë të punësuarit, vetëm 9% janë të varfër, nga të gjithë të papunët – 38.7% janë të varfër, nga pensionistët – 7.7% janë të varfër dhe nga qytetarët e tjerë joaktivë, 32.1% janë të varfër” – theksojnë nga Enti statistikor.

Sipas anketës së realizuar në kuadër të hulumtimit të statistikës shtetërore, madje 47.4% e familjeve kanë raportuar se vështirë ose shumë vështirë mund t’i plotësojnë nevojat e jetesës me të ardhurat e përgjithshme mujore, 25.8% kanë thënë se këtë e bëjnë me vështirësi të caktuara, ndërsa 15.6% e familjeve me lehtësi të përballueshme ose me lehtësi mund t’i plotësojnë nevojat e tyre me të ardhurat mujore. Vendi i rezervuar për qytetarët që mund “shumë lehtë” t’i plotësojnë nevojat është i zbrazët për vitin 2017.

Sipas të dhënave, në vitin 2017, përqindja e personave të varfër në vend ishte 22.2%. Analizuar sipas llojeve të amvisërive, përqindja e varfërisë së amvisërive të përbëra nga dy të rritur me dy fëmijë që përmbahen prej tyre, në vitin 2017 ishte 20%. Sipas statusit më të shpeshtë të aktivitetit ekonomik, përqindja e personave të varfër të punësuar është 9%, ndërsa përqindja e pensionistëve të varfër është 7.7%. Koeficienti i Gjinit (masë për pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave) është 32.5%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button