Në dy banka në Maqedoni, nga kasafortat e qytetarëve janë vjedhur 1.7 milionë euro

Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka miratuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër 7 personave për të cilët ekziston dyshim se kanë kryer vepër penale “Vjedhje të rëndë” sipas nenit 236 dhe “Shoqërim kriminel” nga neni 394 nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për grup ndërkombëtar kriminel të përbërë nga katër shtetas ukrainas, nga një shtetas nga Moldavia, Kazakistani dhe SHBA-ja. Të dyshuarit në Maqedoni kanë kryer 19 vjedhje të rënda nga kasafortat qytetare në filialet e “Shparkase Bank” dhe “Banka Qendrore Kooperative” në Shkup. Me vjedhjen kanë përfituar në mënyrë të paligjshme 105.638.858 denarë (mbi 1.7 milionë euro) para, bizhuteri dhe artikuj tjerë më vlerë”, thonë nga Prokuroria.

Sipas tyre, në periudhën prej nëntorit të vitit 2017-të, të dyshuarit kanë marrë disa kasaforta me qira në disa banka në vende të ndryshme të Shkupit me qëllim që t’i vlerësojnë rrethanat dhe sistemin e sigurisë së bankave.

“Pastaj, duke shfrytëzuar identitet të rrejshëm në një periudhë të caktuar çdo ditë i kanë vizituar kasafortat. Kështu, duke e shfrytëzuar momentin pa praninë e personit zyrtar, me mjete speciale e kanë incizuar brendinë e bravave të kasafortave dhe më pas i kanë krijuar çelësat për hapjen e tyre. Artikujt e marrë nga kasaforta janë nxjerrë nga Republika e Maqedonisë individualisht çdo pjesëtar i grupit, në pika të ndryshe kufitare dhe periudha të ndryshme kohore. Ky grup kriminel ka kryer vjedhje të rënda edhe në vende tjera”, thonë nga Prokuroria.

Deri në këtë moment, Prokuroria njofton se është privuar nga liria një person në Letoni dhe dy në Taxhikistan.

“Prokurori kompetent, nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare ka dërguar kërkesë për mbledhjen e të dhënave dhe provave materiale deri te institucionet kompetente në këto vende”, shtojnë nga Prokuroria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button