U kap “Eskobari i Ballkanit”, Balili i vendos kushte Policisë për vetëdorëzim

Pas 3 muajsh negociatash, Klement Balili arrin t’i vetëdorëzohet Policisë së Shtetit. Ardi Veliu shkon ta marrë me makinë personale dje në orën 08:45 te kthesa e Shijanit, mes Delvinës dhe Finiqit. Balili shoqërohej nga nipi i tij, Rigers Balili. Gjithçka ndodhi dy javë para se Prokuroria të mbyllë hetimet, transmeton  “Oranews’.

Xhentila Gjoshi

Pas më shumë se dy vite në arrati, është bërë e mundur kapja e “Eskobarit të Ballkanit”, Klement Balili. Ky i fundit mësohet se është vetëdorëzuar në Policinë e Shtetit, orët e para të mëngjesit të djeshëm. Dorëzimi i tij vjen dy javë para përfundimit të afateve të hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. I ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit” akuzohet nga prokuroria për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Klement Balili ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare për më shumë se dy vite dhe gjatë kësaj kohe nuk ishte bërë e mundur që të arrestohej, edhe pse ka pasur disa aksione policore. Prokuroria e Krimeve të Rënda bën të ditur se për Balilin ka të faktuar të paktën një episod trafiku kanabisi nga Shqipëria drejt Greqisë. Bëhet fjalë për një gomone të nisur dy vite më parë nga Saranda, e ngarkuar me rreth 700 kilogramë hashash. Ndërkohë, grupi i Kelmend Balilit po hetohet për 6 raste të trafikut të drogës në sasi të mëdha drejt Europës. Fillimisht, hetimet ndaj grupit të Balilit i kanë nisur autoritetet greke, aty ku edhe u kap sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike. Bazuar në hetime, Prokuroria greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka arritur të vërtetojë se grupi koordinohej nga shtetasi Dhimitër Poti i arrestuar në Belgjikë dy vite më parë. Ngarkesa e fundit prej 100 kilogramë kanabis është kapur në muajin Maj të vitit 2016, në depot e firmës së transportit të Potit në Belgjikë. Pos, hetimet kanë nxjerrë në pah edhe 5 raste të tjera të trafikut të drogës nga ky grup, të cilat janë kapur nga polici të ndryshme europiane. Gjithsej, janë konfiskuar rreth 1.4 tonë kanabis dhe 23 kilogramë kokainë.

2 kushtet që Balili të dorëzohej

Klement Balili i është dorëzuar prangave të policisë mëngjesin e djeshëm rreth orës 08:45. Gjithçka ka nisur Delvinë-Finiq, ndërsa çdo veprim u bë në prani të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veli. Burime nga policia bëjnë të ditur se, momentin e dorëzimit Balili ka qenë nën shoqërinë e nipit të tij Rigels Balili. Në drejtim të Tiranës ai është shoqëruar nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu. Ky i fundit ka zbuluar edhe dy kushtet që Balili i kishte vendosur policisë për t’u vetëdorëzuar. Sipas Veliut, kushti i parë i Balilit ishte që mos të keqtrajtohej nga punonjësit e policisë si dhe fakti që të deklarohej vetëdorëzimi. Mes të tjerash, Veliu theksoi për media se pas kontakteve me familjarët e Balilit, kjo gjë u arrit vetëm pas 3 muajsh negociata. “Balili kishte dy kushte për vetëdorëzimin. Së pari që mos të keqtrajtohej dhe që të deklarohej vetëdorëzimi. Jam kontaktuar nga familjarët pas 3 muajsh negociata. Shkova personalisht me një makinë shoqëruese”, theksoi Veliu në një prononcim. Pas vetëdorëzimit, Balili, pasi u mor në pyetje në komisariatin nr.6, ai u shoqërua drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës me një makinë Shqiponja, ndërsa brenda saj kishte 6 efektivë. Ky mjet shoqërohej edhe nga dy makina të tjera me punonjës policie. Pas ngjarjes, avokati i Balilit, Theodhori Sollaku tha se klienti i tij pas marrjes në pyetje, shkoi në paraburgimin e Drejtorisë të Policisë së Tiranës. Prej muajit maj të 2016 Klemend Balili, është shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Athinës, që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Balili arriti t’i shpëtonte prangave, ndërsa ka dyshime të forta se operacionet janë dekonspiruar nga njerëz që bashkëpunonin me trafikantin e kërkuar edhe nga DEA amerikane.

Akuza

Historia e “Eskobarit të Ballkanit” nis më 16 maj 2016, kur është lëshuar edhe urdhër-arresti ndërkombëtar. Ish-drejtori i Transporteve në Sarandë akuzohet se drejtonte një grup të trafikimit të marijuanës nga Shqipëria në vende të tjera të Europës. Sipas autoriteteve greke, Balili kishte bashkëpunëtorë të tjerë, Petro Dalanaj, Kleanth Palaj e Dhimitër Poti, për të cilët thuhet se kanë transportuar 678.5 kilogramë drogë, e cila u sekuestrua nga policia greke në një ishull në Greqinë e Veriut. Sipas policisë greke, Dalanaj dhe Palaj ishin urdhëruar nga Balili për të transportuar drogën nga Saranda në Zykatho. Trafikantët e dyshuar, përdornin skafe për të transportuar lëndën narkotike nga Shqipëria në Greqi dhe më pas, përdornin kompani transporti rrugor false për të transportuar drogën në vende të tjera Europiane. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe kur autoritetet greke kanë dhënë lajmin për trafikun e drogës, vetë Klement Balili ka mohuar akuzat, duke i quajtur ato shpifje politike. Po atë kohë, Policia e Shtetit ka pranuar në një deklaratë për shtyp se në bashkëpunim me policinë greke dhe DEA-n amerikane po zhvillohej një nga operacionet më të gjera antidrogë. Ndërsa emri i Klement Balilit nuk është përmendur.

Lleshaj: Balili, në duart e policisë!

Në një deklaratë nga Ministria e Brendshme, ministri Sandër Lleshaj konfirmoi vetëdorëzimin e Klement Balilit, pa dhënë detaje operacionale, teksa dha edhe një mesazh të vendosur për vijimin e luftës ndaj krimit të organizuar.

“Policia shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë e të ndërlikuar për Klement Balilin. Nga sot Policia ka në duart e saj një nga personat e saj më të kërkuar, ndërsa qytetarët marrin një mesazh të rëndësishëm nga policia që duan”, tha ministri Lleshaj. Policia e Shtetit, sipas tij është në gatishmëri për t’u përballur me këdo, e gatshme dhe e aftë për të kaluar në fazën vendimtare për luftën kundër krimit të organizuar, me aftësi të përmirësuara goditëse.

“Në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, po e ngushtojmë gjithnjë e më shumë mundësinë që kriminelët t’i shpëtojnë policisë. Të gjitha ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin e dinë mirë se mundësia për të shkuar para hekurave të qelisë është shumë e madhe”, tha ministri Lleshaj.

Në fund, Sandër Lleshaj dha edhe një paralajmërim: “Rruga e vetme për ta është bashkëpunimi me drejtësinë, rrugë tjetër për ta nuk ka. Të gjitha institucionet janë sot të inkurajuara për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të mundësuar progresin e shpejtë drejt integrimit të vendit në BE”.

Reagimi

Nipi i Balilit: Ja si negociuam me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë

Nipi i Klement Balilit, Rigels Balili ka treguar arsyen që e shtyu të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit” që të vetëdorëzohej në polici, duke mohuar deklaratën zyrtare të MB se ai është arrestuar.

“Negociatat kanë nisur që në momentin kur na njoftuan se është plotësuar dosja dhe është gati për t’u dorëzuar në gjyq. Sot bëmë të mundur dorëzimin në drejtorinë e Policisë. Nuk është arrestuar, është vetëdorëzuar, kam shkuar unë në zyrën e drejtorit të policisë dhe kam bërë negociatën”, thotë ai në një intervistë për “Oranews’.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button