Përfundoi marrja në pyetje e ish komandantit të UÇK-së në Hagë

Për dy ditë me radhë në Hagë u mor në pyetje ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa. Derisa të hënën intervista para zyrtarëve të prokurorisë së posaçme zgjati 7 orë, të martën ai u mor në pyetje për gati dhjetë orë, transmeton VOA. 

“Sot përfundoi intervista me mua pranë Dhomës së Specializuar në Hagë. Unë isha i ftuar si dëshmitar i dyshuar. Pyetjet kanë qeneë shumë serioze dhe ne kemi qenë shumë seriozë në përgjigje. UÇK-ja më ka mbrojtur mua dhe unë nuk kam pasur nevojë ta mbroj UÇK-në”, tha në përfundim të intervistës zoti Mustafa.

I njohur me emrin e luftës si komandant Remi, zoti Mustafa që drejtonte Zonën Operative të Llapit, një rajon në veri të Prishtinës gjatë luftës në Kosovë, është i pari që u paraqit në prokurorinë e posaçme për krime lufte në Hagë, për t’u marrë në pyetje me çka edhe filloi puna konkrete e këtij institucioni.

Të mërkurën ndërkaq, pritet të fillojë marrja në pyetje e Sami Lushtakut, ish komandant i Zonës Operative të Drenicës gjatë luftës në Kosovë dhe intervista do të zhvillohen edhe më një numër ish pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare.

Në mesin e atyre që kanë marrë ftesë është edhe Remzi Shala, i njohur me emrin e luftës si “Molla e kuqe”, i cili u ka thënë medieve lokale se nuk do të paraqitet në intervistë meqë nuk i beson Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button