U hap Zyra Doganore e Kosovës në Durrës

 Gjatë një ceremonie me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës është hapur sot Zyra Doganore e Kosovës në Portin e Durrësit, transmeton Anadolu Agency (AA).

I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, si dhe ministra të kabinetit qeveritar nga të dy vendet.

Kryeministri Rama theksoi se kjo risi në fushën e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës shpejton lëvizjen e mallrave në tërësi dhe e “kthen kufirin Shqipëri-Kosovë në një kufi formal”.

“Dogana e Kosovës, këtu në Durrës, është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Shkurtimi i burokracive, i orëve të pritjes, të kontrolleve, i kostove të pallogaritshme për bizneset, janë efekti i drejtpërdrejtë i hapjes së kësaj zyre doganore. Por vazhdimi i këtij procesi me vendosjen e të njëjtit standard në të gjitha pikat doganore, jo vetëm për Kosovën në Shqipëri, por edhe për Shqipërinë në Kosovë është objektivi afatshkurtër”, tha kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në ceremoni, thuhet në njoftimin nga Kryeministria e Shqipërisë.

Rama theksoi se shifra e volumit tregtar të shkëmbimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë ka një rritje të konsiderueshme.

“Çfarë dua të shtoj në këtë aspekt, është se ne duam që këtë sistem ta vendosim edhe me Maqedoninë e Veriut. Kemi filluar kontaktet. Duam që këtë sistem ta vendosim edhe me Malin e Zi. Pra, kujt na thotë, apo do na thotë se integrimi kufitar me modelin Shengen është një shprehi e Shqipërisë së Madhe, i përsëris dhe do t’ia përsërisim se Shqipëria e Madhe është një sajesë e kundërshtarëve dhe armiqve të shqiptarëve në histori”, tha më tej Rama.

Kujtojmë së gjatë mbledhjes së përbashkët ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës më 26 nëntor në Pejë mes dy vendeve u nënshkruan disa marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi, përfshirë edhe protokollin për kryerjen e veprimeve të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën kufitare Morinë-Vermicë.

Ndërkohë, Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar gjatë dhjetorit edhe marrëveshjen për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button