Zgjedhjet presidenciale, VMRO-DPMNE-ja paralajmëroi bojkot, LSDM: Mickoski anti-perëndimor kërkon alibi për humbjen

Partitë më të mëdha, LSDM-ja pushtetare dhe VMRO-DPMNE-ja opozitare janë përplasur në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale. Opozita e kushtëzon pushtetin që bashkë me zgjedhjet presidenciale të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat sipas koalicionit qeveritar nuk janë të nevojshme, gjë të cilën e ka thënë edhe faktori ndërkombëtar, njofton Portalb.mk.

“Ka disa arsye që opozita thirr në zgjedhje parlamentare bashkë me zgjedhjet presidenciale. Në mesin e tyre janë ndryshimet kushtetuese, të cilat ishin të dhunshme dhe jo-përkatëse, dështimi ekonomik dhe mungesa e reformave. Opsioni për bojkot të zgjedhjeve presidenciale është në lojë dhe do të mundet të ndodh nëse pushteti nuk miraton vendim për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.

Paralajmërimet e VMRO-DPMNE-së për bojkot të zgjedhjeve, sipas LSDM-së janë dëshmi se Hristijan Mickoski e di se nuk do të ketë mbështetje te qytetarët dhe kërkon alibi për humbjen zgjedhore që e pret.

“Mickoski është i humbur në dështimin e veprimit të tij anti-perëndimor. Ai Gruevski, Ivanov dhe Baçev nuk patën sukses që ta bllokojnë ardhmërinë e Maqedonisë në BE dhe NATO, u mundën nga qytetarët”, thonë nga LSDM.

Të pyetur nga Portalb.mk, çka nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet presidenciale, nga LSDM-ja thonë se njëherë duhet që të konfirmohet qëndrimi i opozitës dhe pastaj do të deklarohen,

Ndryshe, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka thënë se me 2 ose 3 shkurt të këtij viti do të shpallen zgjedhjet presidenciale që do të mbahen sipas të gjitha gjasave në fund të marsit, ose në fillim të prillit.

Që zgjedhjet të jenë të suksesshme, duhet që të dilet në rrethin e dytë rreth 720 mijë votues, ose 40% nga numri i përgjithshëm i votuesve në Listën Zgjedhore.

Burimet kuvendore thonë se nëse nuk do të ketë cenzus, atëherë do të iniciojnë ndryshime kushtetuese që presidenti të zgjedhet në Kuvend. Shumica parlamentare me tetë deputetët e pavarur nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së ka 80 vota, aq sa nevojiten për ndryshim të Kushtetutës.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale që janë mbajtur më 13 dhe 27 prill të vitit 2014, i ka fituar kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov.

Sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit bëhet 60 ditë para skadimit të mandatit.

“Zgjedhja e Presidentit të Republikës bëhet në 60 ditët e fundit të mandatit të Presidentit të mëparshëm. Në rast të pushimit të mandatit të Presidentit të Republikës nga cilat do qoftë shkaqe, zgjedhja e Presidentit të ri bëhet brenda afatit prej 40 ditësh nga dita e pushimit të mandatit”, thuhet në Nenin 81 të Kushtetutës së Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button