Lëvizja Besa: nxënësve shqiptarë në Veles t’u mundësohet arsimimi në gjuhën shqipe

Lëvizja Besa me kryetar Bilall Kasamin ka reaguar gjatë ditës së sotme në lidhje me çështjen e nxënësve shqiptarë në fshatin Karasllar të Velesit të cilët po mësojnë në gjuhën maqedonase. Me anë të kumtesës së tyre ata kërkojnë përgjegjësi nga ministri i arsimit Arbër Ademi për politikat e dyfishta arsimore dhe diskriminimin sipas gjuhës, transmeton Portalb.mk.

Nëse ministri i arsimit dhe kabineti i tij kanë harruar, Lëvizja BESA ua përkujton se sipas ligjit për arsimin fillor, Neni 2: “Ndalohet diskriminimi në bazë të gjinisë, racës, përkatësisë nacionale, sociale, fetare…”, ndërsa Neni 3: “Qëllimet e edukimit dhe arsimit fillor janë: – zhvillimi i vetëdijes te nxënësit për përkatësinë e Republikës së Maqedonisë dhe kultivimi i identitetit të vet nacional dhe kulturor“, thuhet në kumtesën e tyre.

Sipas tyre, kërkesa për të siguruar kushte që nxënësit shqiptarë të mësojnë në gjuhën amtare, ashtu si e kërkon Ligji dhe Kushtetuta, ka hasur në kundërshtime për hapjen e paraleleve shqipe në Veles dhe rrethinë, e që fatkeqësisht, shprehen ata, po heshtet edhe nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Në reagimin e tyre thuhet: “Fshatrat: Karasllar, Banjica, Vranivca e Poshtme, Starigradi, Sogleja, Novosella, ende nuk kanë shkollat e tyre edhe pse kanë fëmijë të moshës shkollore dhe arsimi fillor është i detyrueshëm. Të mbetur jashtë vëmendjes institucionale, prindërit shqiptarë të këtyre fshatrave janë të detyruar t’i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër shkollat me mësim në gjuhën maqedonase. Vetëm nga fshati Jabollçishtë sivjet në klasë të parë kishte të regjistruar rreth 100 nxënës, por ku do ta vazhdojnë shkollimin këta nxënës? Sa nxënës shqiptarë janë të detyruar ta ndjekin mësimin në paralele në gjuhën maqedonase?”.

Lëvizja Besa kërkon nga ministri i arsimit Arbër Ademi që të japë statistika të qarta për numrin e nxënësve shqiptarë në Veles.

“Kërkojmë nga ministri i arsimit të del me statistika të qarta se sa është numri nxënësve shqiptarë në Veles dhe rrethinë?
Nëpërmjet kësaj heshtjeje, a po shkohet drejt asimilimit të qëllimshëm që gjithë shqiptarët nesër mos dinë shkrim e lexim në gjuhën amtare e më pas të deklarohen edhe si maqedon folës?”, thuhet në kumtesën e tyre.

LEXO: Të privuar nga e drejta për të mësuar në shqip, nxënësit shqiptarë në Veles mësojnë me alfabet cirilik

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button