Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, përkthimi në shqip i nënshtetësisë është i gabuar!

Forma e drejtë në shqip duhet të jetë nënshtetësia “E Maqedonisë” dhe jo sikur përdoret me vite të tëra dhe siç kërkohet të shkruhet sërish “Maqedonisë”. Kështu vlerësojnë ekspertët në lidhje me atë se a janë respektuar normat e gjuhës shqipe gjatë për përkthimit të emërtimit të nënshtetësisë nga maqedonishtja në shqip, me ndryshimet kushtetuese të parapara sipas Marrëveshjes së Prespës, shkruan Portalb.mk.

Nënshtetësia për banorët e Maqedonisë, në dokumentet zyrtare është “Makedonosko” dhe e përkthyer në shqip “Maqedonisë”. Kjo formë e gabuar mëtohet të përsëritet edhe me ndryshimet kushtetuese. Amendamenti është:

– Македонско/граѓанин на Република Северна Македонија
(Makedonsko/gragjanin na Republika Severna Makedonija)

– Maqedonisë/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut 
– Macedonian/citizen of the Republic of North Macedonia

Ajtene Qamili
Ajtene Qamili, profesoreshë universitare

Ky emërtim ka shkaktuar reagim te ekspertët duke e pasur parasysh që gjatë përkthimit nga maqedonishtja në shqip nuk janë respektuar rregullat e gjuhës shqipe dhe sipas tyre “Makedonsko” është dashur të përkthehet në “E Maqedonisë” dhe jo sikur ka qenë deri më tani dhe tani vetëm e kanë trashëguar “Maqedonisë”.

“Formulimi i emërtimit të ri i nënshtetësisë (Maqedonisë/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut), gjuhësisht nuk është i saktë, sepse mungon nyja “e” e rasës gjinore. Sepse në gjuhën shqipe pronësia ose përkatësia shprehet me rasën gjinore. Kurse në këtë formulim përdoret rasa dhanore, e cila shpreh kundrinën e zhdrejtë. Me siguri për shkaqe teknike që të përkojë me një fjalë të vetme siç është në maqedonishte “makedonsko” është bërë ky lëshim, por nuk duhet harruar se maqedonishtja nuk ka rasa dhe në rastin konkret përdor mbiemër + emër, kurse sipas natyrës së shqipes kjo shprehet me emër në emërore + emër në gjinore. Kështu që mënjanimi i nyjës “e” e cungon kuptimin edhe morfologjik, edhe semantik. Secili që njeh shqipen, sapo të lexojë këtë formulim e dallon se diçka nuk është në rregull. Pra, formulimi “Македонско државјанство”, Në shqip duhet të jetë “Nënshtetësia e Maqedonisë”, thotë për Portalb.mk profesoresha universitare, Ajten Hajdari-Qamili.

Vebi Bexheti
Vebi Bexheti

Edhe profesori universitar Vebi Bexheti vlerëson se përkthimi është bërë i gabuar dhe se mënyra më e mirë do të ishte në rasën gjinore, gjegjësisht në vend nënshtetësia “Maqedonisë”, nënshtetësia “E Maqedonisë”.

“Nyja e përparme E, tregon rasën gjinore (Maqedonia- rasa emërore), (E Maqedonisë- rasa gjinore). Nyja e përparme E, në këtë rast, nuk e dëmton asnjërën palë, përkundrazi e respekton normën drejtshkrimore të shqipes, që duhet ta respektojnë të gjithë shqiptarët, kudo qofshin ata, përfshirë edhe deputetët shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Ky variant të cilin assesi nuk e pranoi propozuesi, pra Qeveria, do ishte zgjidhja më e mirë, e që do i bënte plotësisht të barabartë të gjithë qytetarët. Zaevi dhe Qeveria e Maqedonisë (për çudi edhe pjesa shqiptare e shumicës) pikërisht te fjala “Makedonsko” e kërkonte amnistinë nga kundërshtarët e Marrëveshjes  së Prespës, se e ruajtën qenien kombëtare të shtetit dhe kombit të tyre edhe pas ndërrimit të emrit”, shton Bexheti.

Politika t’i mbajë duart larg prej punëve që s’janë kompetentë

“Është gabim dhe nuk munden politikanët ta marrin rolin e gjuhëtarëve, rolin e profesorëve universitar, por edhe të gjithë atyre intelektualëve e kanë kaluar në këtë fushë të gjuhës shqipe. Nuk munden një ministër, politikan apo një parti, t’i vendos rregullat e gjuhës shqipe, apo si të përkthehen gjërat”, kështu e komenton publicisti Xhabir Ahmeti, përkthimin e nënshtetësisë nga maqedonishtja në shqip, duke thënë se është plotësisht i gabuar.

Xhabir Ahmeti

“Rregullat e gjuhës shqipe janë ligj dhe nuk munden as shteti, as institucionet ta shkelin këtë ligj, është koha e fundit që gjuha të respektohet nga shtetit. Përkthimi prej “Makedonsko” në “Maqedonisë” është plotësisht gabim si është përkthyer. Çështja është edhe te Marrëveshja e Prespës që faktori politik shqiptar nuk e ka pasur parasysh gjuhën shqipe. Është dashur edhe aty të kenë kujdes për shkak se ajo marrëveshje është arritur për Maqedoninë që është edhe shteti i jonë”, vlerëson për Portalb.mk Ahmeti.

Profesori Bexheti thotë çështja e përkthimit duhet t’u takojë shqiptarëve, për arsye që të mos bëhen manipulime në emër të përkthimit.

“Mendoj se për emërtimin e shtetësisë nuk ka nevojë të ketë moskuptime të natyrës teknike, që në këtë rast të shpikin një problem që nuk ekziston. Çdoherë  kur  ka pasur pretendime për t’i nëpërkëmbur të drejtat e shqiptarëve, Qeveritë e Maqedonisë, madje edhe kjo e tanishmja, e keqpërdornin përkthimin, herë nga anglishtja në maqedonisht e herë nga maqedonishtja në shqip. I tërë ky manipulim gjuhësor nuk do mund të bëhej aq lehtë sikur maqedonasit çështjet teknike gjuhësore që kanë të bëjnë  me gjuhën shqipe t’ua lënë shqiptarëve të cilët në bashkëpunim me specialistë të gjuhës dhe drejtshkrimit të shqipes do vendosnin ashtu siç duhet.
Nuk besoj se në mesin e shumicës shqiptare, qoftë në Parlament, qoftë në Qeveri nuk ka shqiptarë që nuk e di se fjala Makedonsko, me këtë rast,  në gjuhën shqipe duhet të jetë E Maqedonisë e assesi maqedonase. Ndryshimi mes fjalës “E Maqedonisë” dhe “maqedonase” qëndron në faktin se në rastin e parë bëhet fjalë për shtetësinë, ndërsa në rastin e dytë për kombësinë. Dhamë vetëm një shembull se si mund të manipulohet në emër të përkthimit, që duke ngatërruar  shtetësinë me kombësinë, popullatës jomaqedonase, nga të cilët shumica janë shqiptarë t’u mohohet përkatësia e tyre kombëtare”, thotë Bexheti.

Sa për ilustrim, shtetasve të Kosovës në nënshtetësi u shkruan “Kosovar”, ndërkaq atyre të Shqipërisë “Shqiptare”. Mirëpo, për dallim nga Maqedonia, këto dy vende nuk kanë popull tjetër i cili është me përqindje të madhe siç janë shqiptarët në Maqedoni andaj ata lirisht mund të përdorin kombin si nënshtetësi sepse nuk janë shtete me karakter multi-etnik, thuajse gjithë janë shqiptarë apo kosovarë. Andaj për këtë çështje, Maqedonia nuk duhet të krahasohet me këto dy vende fqinje.

Pasaporta e Kosovës dhe Shqipërisè
Pasaporta e Kosovës dhe Shqipërisè

Brenda pesë vitesh ose më së voni deri më 2024, në dokumentet personale të qytetarëve do të qëndrojë emri i ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Me amendamentet e reja në këto dokumentet do të shënohet edhe përkatësia etnike e komuniteteve pakicë në vend.
Letërnjoftimet dhe pasaportat e reja, si dhe shenjat e targat e reja për automjetet e tyre qytetarët do të duhet t’i marrin më së voni brenda pesë vitesh, pas ratifikimit të Marrëveshjes për emrin të Parlamentit grek, pasi që Kuvendi i Maqedonisë paraprakisht i miratoi ndryshimet kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button