Meta, si duket, s’i di punët e veta

Na janë “befasuar” debatikët e Tiranës pse kryeminsitri Rama ka shkarkuar disa ministra dhe në vend të ministrave të rinj na i paskan “befasuar” dy emra: Gent Cakaj dhe Besa Shahini, sepse, siç theksojnë ata këta ministra na qenkan me shtetësi kosovare. Nuk është për t’u çuditur se asnjëri nga zhurmaxhinjtë gazetareskë dhe rrethi i debatikëve, përfshirë këtu edhe ish presidentin e Shqipërisë Londineze Bamir Topin, një pasardhës i familjes së njohur të Toptanëve të Tiranës, asnjëherë nuk thanë se këta të rinj, ky djalë- Genti,  me përgatitje të madhe dhe ajo vajzë e veçantë janë shqiptarë. Çfarë provincializmi! Nuk dua t’i përmend vjelljet e komenteve të “lexuesve” të shumtë kundër dy ministrave të rinj në shtypin e këtyre ditëve, pasi ato nuk i shkruan dot kalemi. Janë vetëm helm, vetëm vrerë. Dhe, fyerje, fyerje e fyerje më të rënda, thuajse ua ka diktuar fjalët dikush nga mjeshtrit më të ulët të maskinerisë propagandistike serbe. Fyerje e shqiptarit për shqiptarin! Janë tipat e kohës së Enverit që dikur e ruanin kufirin e Shqipërisë dhe i këndonin mbrojtjes së këtij kufiri që ndau shqiptarët nga shqiptarët ata që shajnë e hedhin gur e dru sot mbi dy ministrat e aftë të qeverisë së re. Në fakt kjo është një urrejtje patalogjike ndaj shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve ose më drejt është urrejtje ndaj atyre shqiptarëve që në fakt e kanë mbajtur mbi shpatullat e veta barrën e ekzistimit të shtetit të sotëm demokratik shqiptar me mendësi enveriste.

Reagojnë debatikët dhe kuptohet se do të reagojnë duke e ditur se si ata dolën nga balta dhe arritën të jenë gazetarët më të paguar në rajon. Ata nuk i mbrojnë interesat e publikut, por të vetat. Vetëm të vetat. Prej tyre nuk pritet gjë, siç nuk pritet as nga ata që luftojnë të bëjnë përçarje kombëtare, krahinore e fetare midis shqiptarëve. Mirëpo këto sjellje dëshmojnë se ne jemi larg synimeve të rilindësve tonë dhe se shumica e politikanëve tonë janë shumë më të imtë se rilindësit.

Kajmaku i gjithë këtij absurdi është presidenti Meta. Ju kujtohet Meta? Është ai i cili si zëvendëskryeministër i Shqipërisë dhe kryetar  i LSI-së ka qenë në Beograd dhe ka marrë pjesë në Kongresin e partisë demokratike serbe. Të partisë së Tadiçit. Ata në Beograd e kanë pritur siç pritet një shqiptar atje. Me ironi, me një nënqeshje e përqeshje dinake e të hidhët. Natyrisht, mezi të diktueshme. Që ta fshehin para të tjerëve urrejtjen e tyre patalogjike kundër shqiptarëve. Ishte Ilir Meta për ta vetëm një “shiptar” e asgjë më shumë. Por kjo është punë e vet Ilirit që e pranon talljen e politikanëve serbë në hesap të tij. Problemi nuk qëndron aty. Problemi qëndron në faktin se ai asnjë fjalë nuk e tha atje për Kosovën. Shkoi i heshtur, u entusiazmua nga Beogradi zyrtar si Koçi Xoxe dikur dhe u kthye në vend i kënaqur. Por të shkojë në Beograd, ka qenë ëndërr e shumë zyrtarëve partiakë të Shqipërisë së PPSH-së, sepse atje ka lindur ideja për themelimin e PPSH-së. Pra Beogradi ka qenë të thuash një teqe e madhe për komunistët e dikurshëm, ose mësuesit politikë të Ilirit. Megjithatë ç’ju desh Metës atëherë të dalë para kongresit e në fjalimin e tij përshëndetës të thotë se të gjithë do të shkojmë bashkë në Evropë. Demek Shqipëria me Serbinë. Shqiptarët me Serbinë. Me Tadiçin. I cili pikë për pike e vazhdonte politikën e moçme antishqiptare të Slobos. Epo ky propozim i Metës nuk ishte i kotë. Nuk është punë aq e lehtë të realizohet shkuarja bashkë. Të shkohet së bashku me Serbinë në Evropë?! Si? E para, serbët nuk duan të shkojnë me ne në Evropë si me të barabartë me ta. “Sa shiptarima”?! Ata, pastaj, vazhdimisht e përsërisin se nuk çajnë kokë aq shumë për Evropën, por prioritet mbi prioritete e kanë ta kthejnë Kosovën me shqiptarë ose pa ta nën çizmen e tyre të vjetër kolonialiste. E ëndërrojnë besa edhe Shkodrën ta fusin në kthetrat e veta dhe jo vetëm Shkodrën. E dyta, po të kishte pasur zgjidhje “të shkohet së bashku në Evropë”, do të shkonin sllovenët, kroatët, boshnjakët e malazezët, bashkë me Jugosllavinë, por edhe çekët e sllovakët, bashkë me Çekosllovakinë. Nuk shkuan ashtu. Po Ilirit, jo që s’i di këto punë, por s’i bëhet vonë.

Iliri ka qenë edhe në Rumani në një takim të rëndësishëm. As atje një fjalë s’e ka thënë për Kosovën. Iliri kurrfarë interesimi nuk ka treguar për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë politike. Ai ende nuk e di se kryeministri mund të zgjedhë një ministër edhe nga  mesi i arbëreshëve ose nga mesi i arbërorëve, pse jo? E zgjedh sepse ata janë shqiptarë. Madje shqiptarë shumë të mirë, të cilët asnjëherë nuk mendojnë të pasurohen dhe të trashen nga pasuria që nxirret nga marifetet e tranzicionit, por duan që Shqipëria të dalë nga kthetrat e mendësisë enveriste dhe të shpëtojë nga klanet që Shqipërisë i sollën hall mbi krye me drogën dhe me tregëti të tjera të ndryshme. Ndoshta edhe Meta do të kishte zgjedhur një shqiptar si Genti, mirsëpo si duket Meta nuk pyetet, po pyetet udhëheqja e LSI-së, e cila bën çmos që ta rrëzojë këtë qeveri e të vijë në pushtet ngase u mësua të jetë “e pazëvendësueshme” për koalicionet që formonin qeverinë pas zgjedhjeve. Prandaj Iliri e rrotullon pllakën e prishur që thotë se Genti e paska s’e paska repsktuar njëfarë ligji, s’e paska respektuar as Kushtetutën e shtetit shqiptar.

Dhe, pse Meta nuk i duron ministrat shqiptarë nga Kosova. Përgjigjja është shumë e thjeshtë

Interesant është edhe një fakt: Ilir Meta sa herë ka qenë në Beograd nuk e ka marrë asnjë ekip gazetarësh me vete ta bëjnë një reportazh me lagjen e dikurshme shqiptare të Beogradit, të bëjnë ndonjë emision ose të shkruajnë për fshatrat e braktisura e të dëbuara shqiptare, me thikë e me pushkë, në rrethet e Nishit, të Pirotit, Prokuples, Leskocit, Novi Pazarit etj., të thuhet ndonjë fjalë si dhe pse janë humbur gjurmët e shqiptarëve atje. Të veprojë ashtu siç vepruan serbët kur Vuk Drashkoviçi ishte në Shqipëri. Dikujt do t’i kujtohet si vajtonin gazetarët serbë atëherë para një kishe që e quanin serbe (a është me të vërtete serbe???) diku afër Shkodrës, e cila nuk ishte e ruajtur mirë. Apo ndoshta ka dashur të tregohet xhentëllmen para tyre, si inferior që është paraqitur midis tyre.

Asgjë e hairit nga politika e Metës nuk ka dalë për shqiptarët. Një politikan me poste të larta si ky që kurrë s’e ka përmendur gjenocidin e serbëve të ushtruar mbi shqiptarët në Shqipëri, dhe në trojet tjera etnike të shqiptarëve, është faktor për ta penguar ecjen e vendit përpara.

Dhe, nuk bien në sy fjalët e debatikëve të shqiptuara kundër shqiptarëve jashtë kufirit, sepse i merr era ato, po bie në sy cinizmi i një presidenti, mungesa e fakteve dhe argumenteve të tij kur mundohet t’ia presë karrierën një djali të ri e shumë të shkathtë vetëm pse paska lindur në Prishtinë. Ai që duhet t’u prijë integrimeve kombëtare, ai i pengon më së shumti. Ilir Meta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button