Qeveria ende nuk e di se çka do të bëjë me përmendoren e Nënës Terezë, Grupi punues i Ministrisë së Kulturës propozon të rrënohet

Ende nuk është vendosur çka do të bëhet me monumentin e Nënës Tereza në Sheshin Maqedonia, edhe pse pothuaj një vit e gjysmë ndërtimi është ndërprerë. Raporti i grupit punues, i formuar nga Ministria e Kulturës, për t’u përballur me pasojat e projektit “Shkupi 2014” ka përfunduar para shumë kohe, por Qeveria ende nuk ka marrë vendim nëse përmendorja do të rrënohet apo do të vazhdojë ndërtimi. Përmendorja tekstualisht e bllokon rrugën për hyrje në shesh dhe pikërisht kjo është një prej vërejtjeve të cilat i ka dhënë grupi i punës në raport, pas çka edhe propozohet që monumenti të mënjanohet, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Mirosllav Gërçev, koordinator i grupit punues, thotë se ndërtimi i përmendores Nënë Tereza është shkelja më e vrazhdë e një sërë ligjesh, rendit juridik dhe sundimit të së drejtës dhe ajo duhet të mënjanohet.

“Nëse dëshironi të thoni që i zbatoni ligjet, atëherë nuk ka dyshim që ai objekt duhet të mënjanohet. Bëhet fjalë për krim të rëndë, keqpërdorim të hapësirës publike, vjedhje e rëndë dhe krim. Përmendorja është vendosur në vend në të cilin asnjë shtet, pavarësisht sa do të ishte fashist, nuk do ta kishte vendosur. Janë shkelur Ligji për ndërtim, Ligji për përmendoret, Ligji për buxhet, Ligji për ndërtim dhe planifikim urbanistik. Është e qartë se çka duhet të bëhet”, thotë Gërçev.

Nga Ministria e kulturës thonë se raporti është dorëzuar në Qeveri, e cila duhet të prononcohet për procedurat e mëtutjeshme.

Nga Qeveria u përgjigjën se vendimi nuk është miratuar meqë bëhet fjalë për material vëllimor dhe në periudhën e ardhshme do të prononcohen për hapat e mëtejmë.

“Raporti i Ministrisë për kulturë për kompozicionin e skulpturës së pa ndërtuar të Nënës Tereza në sheshin Maqedonia ka arritur në Qeveri në fillim të muajit nëntor 2018. Bëhet fjalë për material vëllimor dhe Qeveria do të sjell vendim në periudhën e ardhshme në lidhje me hapat e mëtutjeshëm për këtë objekt”, thonë nga Qeveria.

Përmendorja e Nënës Terezë ishte paralajmëruar si donacion i firmës “Sahara Indija”, pronësi e biznesmenit kontrovers nga India Subrata Roj. Ai së bashku me kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruevski në janar të vitit 2013 e paralajmëruan projektin duke e hapur pllakën e kujtimit të Nënë Terezës në Sheshin Maqedonia, në vendin ku do të ndërtohet monumenti. Pasi Roj u fut në burg për shkak se nuk ua kishte paguar dëmshpërblimet investuesve të mashtruar në Indi, Qeveria e Gruevskit përmes Ministrisë së kulturës e morri përsipër projektin. Fillimi zyrtar i punëve ndërtimore ishte në tetor të vitit 2015 dhe sipas marrëveshjes me realizuesin “Beton-Skopje” duhet të kushtojë 5,5 milion euro dhe duhet të jetë me lartësi prej 32 metra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button