Zyra e Kryeministrit deklarohet rreth çështjes së vizës amerikane për Haradinajn

Donjeta Gashi, zëdhënëse në Qeverinë e Kosovës, i ka thënë portalit Koha.net se kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka marrë ende ndonjë përgjigje zyrtare rreth vizës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tutje, Gashi ka treguar se për çfarë e kishte ndërmend Haradinaj të udhëtonte për në SHBA.

“Zyra e Kryeministrit ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje zyrtare nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth çështjes së vizës për z. Ramush Haradinaj. E vetmja arsye pse kryeministri do të udhëtonte për në SHBA janë Lutjet e Mëngjesit, e jo ndonjë konferencë”, ka thënë Gashi për Koha.net

Al Jazera Balkans, duke u thirrur në burime brenda Departamentit të Shtetit, njoftoi sot se kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i është refuzuar viza amerikane, kështu që nuk do të mund të marrë pjesë në konferencën për Ballkanin në fillim të muajit shkurt.

Siç ka raportuar për mediumin në fjalë gazetari i tyre nga Washingtoni, më herët Haradinaj kishte pranuar ftesë për pjesëmarrje në punimet e konferencës, e cila mbahet më 6 shkurt. Por, burimi i AJB nga Departamenti i Shtetit ka konfirmuar se Haradinaj nuk ka marrë vizë për shkak të ngritjes së taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, transmeton Koha.net. Haradinaj është dashur të marrë pjesë në këtë konferencë, ndërsa mos-shkuarja e tij i është konfirmuar mediumit edhe dikush nga organizatorët.

Ndërkohë, Koha Ditore ka shkruar në numrin e sotëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk shohin ndonjë përfitim të Kosovës nga vendosja e taksës prej 100 për qind për mallrat serbe. Shteti që synon t’i japë vulë marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, nëpërmjet përfaqësisë diplomatike në Prishtinë, ka kërkuar nga Qeveria pezullimin e vendimit për taksën, në mënyrë që t’i jepet shans arritjes së marrëveshjes.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka listuar dy interesat thelbësore në fazën e ardhshme, për të cilat kanë thënë se duhet të jenë prioritet për Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej lidershipit të Kosovës në mënyrë të përsëritur që të pezullojë menjëherë taksën për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Siç kemi thënë, ne nuk shohim ndonjë përfitim të Kosovës nga këto masa. Ne fuqishëm inkurajojmë ripërtëritjen e fokusimit në qëllimet thelbësore të Kosovës- të ardhmen evropiane dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane, dërguar “Kohës Ditore”.

LEXO:“Al Jazeera Balkans”: Shkaku i taksës 100%, Haradinajt i është refuzuar viza amerikane

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button