Kujtime studentore: Sarajevë ’89-’92 (I)

Ditë vjeshte e vitit 1989. Xhami i autobusit, lotë dhe silueta familjarësh. Për herë të parë në rrugë të gjatë. Target: Sarajeva, qyteti më i hapur dhe më i lumtur i ish-Jugosllavisë; për të nisur ciklin e studimeve universitare për teologji. Larg familjes, hap i pavarësimit si individ dhe i formimit si identitet. Kalojmë nëpër ‘Kosovën e okupuar’, nëpër trojet e republikave jugosllave, të cilat së shpejti do të tërbohen si pasojë e nacionalizmave ballkanikë, në veçanti të atij radikal-patologjik serb të mbështetur nga establishmenti militar. Me M-në arrijmë në stacionin e autobusëve, ngjitemi në tramvaj për Bashçarshi, ku ulemi për të ngrënë: zvërk, një lloj byreku i yndyrshëm. Shokët më të vjetër, N. dhe J. na ndihmojnë për të gjetur banesën. Shtëpia e haxhiut në Bistrik… dy pleq lart dhe pesë studentë shqiptarë në katin e parë. Në një dhomë me një mik shemshovas. Krevati im, kur shtrihesha shndërrohej në një shkronjë V të madhe, i ngjashëm edhe ai i cimerit. S’di si bënim gjumë. Pas një viti, me N-në, e ndryshojmë banesën, nja disa qindra metra më andej, afër unazës. Kushtet edhe më tmerr. Çdo dy javë pronarja me vajzat vinte për t’i zbardhuar muret që jeshiloheshin nga lagështia e hapësirës sipodrumore. S’di si kemi dalë të shëndoshë andej. Erë qymyri gjithandej, ne ngroheshim me rrymë, me droje fature. E treta e vërteta: banesa e fundit, me nxehje qendrore, në nivel, në Kovaçi; aty, për shkak të luftës, na mbeti një mini bibliotekë që s’patën guxim kurrë ta kërkojmë duke e pasur parasysh “historinë e kataklizmës”. Televizori “EI” na prishej vazhdimisht. Më në fund një markë “Ionost” që na lehtësoi bartjen deri te mjeshtri (pa batanije). Trendi i kohës, Dino Merlin, Bijelo Dugme, Hari Mata Hari, “Top lista nadrealista”, konkurrenca Crvena Zvezda-Dinamo, bananet dhe çokollatat e lira në kohën e Markoviqit,…

Boshnjakët nuk na trajtonin me shumë simpati, madje edhe kolegët e fakultetit, as profesorët. Ne, shqiptarë nga Maqedonia, të bërë tok, çdo natë nga një kuvend, me ushqime të bëra vetë. Ekonomikisht dobët. Zakonisht hanim në menzën studentore, një pas një, një varg, etnikisht. Kur s’e pëlqenim menynë, silleshim rreth gjelltoreve, por me të matur përmasën e xhepave, ktheheshim në banesë, ku hanim atë që gjenim. Nganjëherë na gatuante gostivarasi M., që në veçanti e bënte të shijshme supën. Kafeja e melezit Armend në rrugën “Saraçi” dhe ëmbëltorja “Saraj” përballë sebilit, vendtakime tonat. Bureku ushqimi më i preferuar, që e hanim te tanët, te shqiptarët. Një emision në TV Sarajevë: gazetari i intervistonte qytetarët në rrugë lidhur me byrekun, boshnjakët përgjigjeshin me përçmim ndaj nesh: “Po ku do jetë byreku i mirë, kur atë e kanë zaptuar shqiptarët, e bëjnë ata!” Nga ana tjetër, për pjekurinat, simitat e shqiptarëve katolikë të nën-Sahat Kullës njerëzit me familje vinin nga Ilixha, nga lagjet më periferike të kryeqytetit boshnjak. Qebapët i hanin te “Zheljo” shqiptari. Por ama prapëseprapë, neve na perceptonin si të prapambeturit, si rebelët që duan ta shkatërrojnë Jugosllavinë, “utopinë titise”, vëllazërim-bashkimin, harmoninë e tipit “Momo i Uzejr”. (Reminishenca të kësaj distance boshnjako-shqiptare, që patjetër duhet të kapërvehet, shënuam edhe shtatorin e shkuar, në Hamamin e Daut Pashës, kur promovuesi boshnjak i librit “Alija: Mendimtar dhe shtetar” i përshënderi të gjithë pjesëtarët e etnikumeve që jetojnë në Shkup pos shqiptarëve. Për pak reagova, një profesor imi: “Shuj!” )

Këpucët në maje me hekura, xhupi “top gun”, dhe rruga “Vase Miskina” ku gjezdisnim në mbrëmje. Unë ndalesha te libraritë e saj, në veçanti te “Svjetlosti”, para të cilës shqiptarët shisnin misër të zier, gështenja, kokoshka etj. Antikuaritë, ku ofroheshin libra të vjetër ishin kthina ku hyja e dilja, shpesh me libra “të rinj” në dorë. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button